Basha në Vlorë: Qeveria më antikombëtare që ka pasur Shqipëria!

Pas zgjedheve të 30 Qershorit, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me strukturat e partisë në Vlorë ku u diskutua situata e krijuar politike dhe e sigurisë si dhe vazhdimi i aksionit politik të opozitës në funksion të betejës për t’u siguruar shqiptarëve ndryshimin e madh, që ata presin dhe meritojnë.
“Vlora spikati me refuzimin që i bëri Edi Ramës më 30 Qershor, ku morën pjesë vetëm 14% e vlonjatëve. Braktisja e votimeve moniste nga qytetarët e Vlorës tregoi se ata duan të jetojnë si qytetarë europianë dhe jo si skllevër të krimit dhe korrupsionit.”
Duke iu referuar refuzimit masiv të qytetarëve ndaj qeverisë më 30 Qershor, Lulzim Basha u shpreh se Partia Demokratike e ka marrë leksionin e 30 Qershorit dhe po vazhdon të punojë pa ndërprerje për ndryshimin e thellë dhe të vërtetë që duan shqiptarët, në mënyrë që këtë masë refuzuese ta kthejmë në një mazhorancë kombëtare për ndryshim:
“Bazuar në vendimet e marra, kjo është qeveria më antipopullore, më antikonbëtare që ka patur Shqipëria në 3 dekada. Akti më i fundit kundër interesit të qytetarëve, që favorizon klientët e qeverisë, është vendimi për të rritur sërish indirekt taksën e karburantit me 200 lekë për letër.”
Vendime të tilla, tha Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, varfërojnë njerëzit, i fusin duart e kryeminstrit në xhepat e qytetarëve, e bëjnë të domosdoshëm largimin e kësaj qeverie të korruptuar:
“Kjo është një nga arsyet pse 85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e Edi Ramës më 30 qershor,” tha ai duke përfunduar:
“Vetëm një qeveri e dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, do të punojë për njerëzit, jo për klientët e kryeministrit.”
Basha në Selenicë: Beteja e PD i jep fund tranzicionit
Ndërkohë me strukturat e partisë në Selenicë, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e konsideruar të pavlefshëm, antikushtetues dhe antilgjor farsën e 30 Qershorit, e bëri të qartë se deri kur do të jetë Përparim Shameti kryetari i Bashkisë Selenicë:
“Kryetari legjitim i Bashkisë së Selenicës është Përparim Shameti dhe ai do të jetë në këtë pozicion derisa në vend të mbahen zgjedhje të rregullta e demokratike, në të cilat ai do të rikonfirmohet si kryebashkiak i Selenicës.”
Lideri i opozitës tha me këtë rast se demokratët duhet t’i shërbejnë mesazhit më të madh që dha 30 Qershori:
“85 për qind e shqiptarëve refuzojnë regjimin e Edi Ramës dhe duan ndryshimin. Ata duan jo thjesht të ikë një parti dhe të vijë një tjetër, por duan ndryshimin e vërtetë, që i jep fund tranzicionit 30 vjeçar,” tha Lulzim Basha duke e përsëritur:
“Kjo nuk është betejë për karriget tona, por për të mbrojtur interesin publik. Për ndryshimin rrënjësor të sistemit, që e keqja që solli Edi Rama, të mos përsëritet më kurrë.”
Në Selenicë, lideri i opozitës vuri në dukje rëndësinë jetike për të qenë pranë qytetarëve në çdo kohë, në mënyrë që Partia Demorkatike të fitojë besimin e sa më shumë votuesve që refuzuan regjimin e Edi Ramës në 30 Qershor.
“Fokusi kryesor duhet të jetë tek biznesi i vogël për t’i shpjeguar atij ndryshimin që vjen me qeverisjen e vendit nga PD për ringritjen e tyre përmes uljes së taksave dhe sjelljes së administratës tatimore.”
Me këtë rast, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha solli në vëmendje propozimet kryesore konkrete të paketës së PD për biznesin e vogël.
“Klasifikim si biznes i vogël për xhiro nën 140 milionë lek të vjetra në vit; 0.5% taksë e xhiros vjetore si e vetmja taksë për biznesin e vogël; Ulje e çmimin të naftës me 300 lekë për litër; Ulje deri në 20% e çmimit të energjisë.”