Basha në Shkodër: Mosshpallja e emergjencës vepër penale e Ramës

 

Nga mbledhja e emergjencave civile të bashkisë Shkodër, ku ishin të pranishëm vetëm strukturat e kësaj njësie vendore dhe deputetët e djathtë, kryedemokrati Lulzim Basha i kërkoj qeverisë të shpallë emergjencen civile.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se po bën një shkelje penale, dhe ka kërkuar të vihet para përgjegjësisë ligjore për mosshpalljen e emergjencës.

Basha: Mosshpallja e emergjencës është përgjegjësi ligjore dhe penale dhe çdo pasojë në jetët dhe shëndetin e banorëve të bashkisë së Shkodrës dhe bashkisë së Vaut të Dejës, çdo pasojë negative, është pasojë e mosveprimit, pra është vepër penale dhe kriminale.

Ndarja e politikës edhe në momente të vështira nuk përbën më risi. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ishte pak minuta përpara se Basha të hynte në Shkoder, në rrugën e Dajçit i shoqëruar nga ministrja Olta Xhaçka.

Ai garantoi se institucionet janë në funksion të plotë dhe kërkoj që me përmbytjet të mos bëhet politike.

Bushati: Gjitha instancat shtetërore janë në bashkëpunim të plotë me njëra-tjetrëndhe emergjente është të kalohet kjo fazë, të mos ketë dëme njerëzore dhe materiale.

Nga selia e LSI-së, kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili tha se gjendja është alarmante duke akuzuar kreun e qeverisë se nuk po shpall gjendjen e jashtëzakonshme.

Vasili: Gjendja është vërtet një gjendje alarmante, është një gjendje e cila po mbahet me këmbëngulje nga qeveria, me çdo mjet, dhe sigurisht dhe me paratë e pista me të cilat ajo kontrollon dhe informacionin e mbyllur, pra ka një izolim të jashtëzakonshëm për situatën që ndodh atje.

Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe përballja e banorëve të këtyre zonave dhe strukturave shtetërore me emergjencën bëhet më e vështirë.

Në ujë janë 5000 ha tokë dhe 700 shtëpi të rrethuara nga uji në Dajç, Anë e Malit, Bërdicë, Vilun, Baks dhe Rrioll.

Si pasojë e stuhisë së erës është rrëzuar transformatori duke i lënë pa energji elektrike banorët. Edhe Dajçi është në errësirë në disa fshatra nga dëmtimet e shtyllave.

Pa mësim janë një pjesë e shkollave të Dajçit, ndërsa në Anën e Malit frekuentimi është i vogël.

Ndërkohë shkarkimet nga Vau i Dejës vijojnë me 1000 metër kub për sekondë.