Basha në Kuvend, Berisha në referendum, kundër njëri tjetrit

VOA

Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës vendosi sot në Kuvendin Kombëtar të shpallë si të papajtueshëm me çdo funksion partiak të saj të gjithë ata persona, që shpallen non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendimi mori shkas nga shpallja non grata e ish kryetarit Sali Berisha prej SHBA-ve, dhe sot u shtri për të gjithë anëtarësinë.

Ky vendim e përjashton zyrtarisht zotin Berisha nga Këshilli Kombëtar dhe nga Kuvendi i Partisë Demokratike.

Në të njëjtën kohë, zoti Berisha ka organizuar sot një referendum me përkrahësit e tij për të shkarkuar kryetarin Basha, si pjesë e një aksioni, që ai quan rithemelim të partisë, pas një tjetër Kuvendi të thirrur nga anëtarësia.

Kuvendi i sotëm i Partisë Demokratike vendosi të mbajë larg nga postet partiake të gjithë ata persona që shpallen non grata nga SHBA, një masë e përgjithësuar vetëpastrimi, që erdhi pas përcaktimit të ish kryetarit Sali Berisha dhe familjes së tij nga departamenti amerikan si person i papërshtatshëm për korrupsion dhe pengim të demokracisë.

Kuvendi me mbi 5 mijë delegatë nga 7 mijë gjithsej, vendosi të mbështesë fuqimisht nismën për dekomunistizimin si dhe të ndërtojë një partneritet me Aleancën Qytetare për Demokracinë, një organizatë intelektualësh të spikatur, që ofrojnë një mendim kritik ndaj politikave të saj dhe ndihmojnë dialogun e opozitës me shoqërinë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se PD aspiron “të bëhet partia më e pastër në Shqipëri”, se ajo “nuk do të lejojë në radhët e veta persona, që ka patur lidhje me diktaturën komuniste”, e “as persona me rekorde kriminale apo lidhje me botën e errët kriminale të biznesit”.

Zoti Basha theksoi se nuk do të lejohen në Partinë Demokratike njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë.

“Do të zgjedhim bashkudhëtimin tonë të pandalshëm e fatlum me aleatët dhe miqtë tanë të çmuar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Europian, që si asnjëherë tjetër më parë kanë vendosur dhe po veprojnë për ta ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, për t’i çliruar nga sundimi i tmerrshëm i oligarkëve politikë dhe ekonomikë dhe për të rimarrë, më hovshëm se kurrë, kursin e demokracisë normale të vlerave” – tha zoti Basha.

Zoti Basha theksoi se PD është partia e idealeve të lëvizjes antikomuniste të dhjetorit 1990, që drejtoi Shqipërinë në familjen europiane dhe euroatlantike, në NATO dhe drejt BE-së.

Ai tha se as Sali Berisha dhe askush tjetër nuk mund ta konsiderojë atë si jë pronë private dhe as demokratët e thjeshtë si kukulla për të mbrojtur interesat e hallet e tij personale.

“Kjo është një zgjedhje politike dhe atdhetare, një zgjedhje mençurie dhe largpamësie, një zgjedhje mirënjohje dhe besnikërie ndaj ëndrrës shekullore dhe popullore shqiptare për Shqipërinë si Europa, për Shipërinë në miqësi të përjetshme me SHBA” – tha zoti Basha.

Partia Demokratike e opozitës është vënë sot e gjitha në lëvizje për të marrë pjesë në dy veprimtari me qëllime të kundërta, të organizuara nga kryetari Lulzim Basha dhe nga ish kryetari Sali Berisha.

Zoti Basha thirri sot Kuvendin Kombëtar për të riorganizuar opozitën pas kundërshtive që lindën në radhët e saj lidhur me përjashtimin e ish kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i përcaktuar i papërshtatshëm nga SHBA, së bashku me familjen.

Kuvendi i Partisë rishpalli si të pavlefshëm të gjithë vendimet, që u morën një javë më parë nën logot e PD-së gjatë një tubimi të thirrur në stadium nga ish kryetari Sali Berisha.

Në krahun tjetër, përkundër kongresit të sotëm dhe në të njëjtën kohë me të, ish kryetari Sali Berisha ka organizuar sot një referendum me përkrahësit e tij për të shkarkuar kryetarin Basha, si pjesë e një aksioni, që ai quan rithemelim të partisë, pas një tjetër Kuvendi të thirrur nga anëtarësia.

Në orën 08.00 të mëngjesit, 106 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin pritën demokratët që ju përgjigjën thirrjes së ish kryetarit për referendumin.

Ndonëse zoti Berisha i kishte kërkuar drejtuesve të degëve të PD-së që t’i vinin selitë e partisë në dispozicion të procesit të votimit, duke u kujtuar atyre se zyrat e partisë nuk janë personale, në shumicën dërrmuese të rasteve, qendrat e votimit ishin ngritur në mjedise private.

Vetë zoti Berisha, votoi në një qendër të përshtatur në një Bar që jo rastësisht mbante emrin “Amerika” e që po ashtu, jo rastësisht, gjendej vetëm pak metra larg ambasadës së Shteteve të Bashkuara, vend të cilin ai dhe familja e tij nuk mund ta shkelin.

Pasi hodhi votën e tij zoti Berisha foli për “një ditë historike për lirinë dhe shpresën e PD, por dhe shoqërisë shqiptare”, duke qenë se, siç u shpreh ai, “ky është referendumi i parë i thirrur nga anëtarësia e një force politike” për të shkarkuar kryetarin.

Përplasjet midis tyre janë bërë përditë e më të forta dhe ndarjet po bëhen përherë e më të pakthyeshme, nga koha kur SHBA e shpalli zotin Berisha non grata për korrupsion dhe kur zoti Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar për këtë shkak.

Kryetari aktual Basha tha se e mori këtë vendim personal, sepse nuk do të lejojë që PD të votojë vendimet e SHBA-ve për luftën kundër korrupsionit dhe në mbrojtje të demokracisë.

Ish kryetari Berisha, e nisi reagimin e tij fillimisht “për të mbrojtur dinjitetin personal” dhe po e kulmon me një lëvizje “për rithemelimin e partisë”.

Diplomatët amerikanë janë shprehur se nuk takohen me persona non grata si Sali Berisha dhe nuk do të komunikojnë me PD-në, nëse ai kthehet aty.

Dy rrymat brenda partisë provokuan reagime të ndryshme në radhët e anëtarëve të thjeshtë, që u përfshinë në këto zhvillime pas tre mandatesh në opozitë dhe në periudhën më të pafavorshme pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.