Basha me gazetarët : Rama po gënjen shqiptarët

 

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një bashkëbisedim më gazetarët duke u fokusuar tek rritja e çmimeve në vend.

Basha hodhi akuza ndaj Edi Ramës, duke u shprehur se po gënjen qytetarët dhe se ka zgjedhur luftën personale për pushtet, përpara interesit të qytetarëve.

Më tej ai theksoi se përgjegjësi i vetëm i gjendjes së keqe ekonomike në Shqipërisë është Rama dhe se me vendimet e tij të gabuara kriminale kërkon të merret me batuta, vetëm për të larguar vëmendjen nga situata në të cilën ndodhet vendi.

‘Përshëndetje përfaqësues të medias. Të dashur qytetarë, sikur paralajmërova dje kur tellalli i frikës doli për atë që ai do t bëjë me energjinë. Sot patë se si spërdridhej para gazetarëve, jo si kryeministër, por avokat i klientëve me të cilët po ndan si plaçkë Shqipërinë dhe resurset e saj.

U përpoq që të krahasonte Shqipërinë me vendet e tjera, por s’ka paralelizëm. Edhe përpjekja megalomane për t’i qarë hallin dështakut, për të justifikuar atë që ka në plan ky të bëjë me çmimin e energjisë këtu, në një nga vendet më të varfra, është teatër i përshirë për të dezinformuar opinionin publik, nëna dhe baballarë për të bërë se rritja e çmimeve është e pashmangshme.

Në fakt nuk është kështu. Kjo nuk është një krizë energjetike, por krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi me shkak dhe plan. I keni bilancet e operatorëve të energjisë se si në verë shesin me çmim të ulët energjinë e prodhuar nga uji dhe e blejnë e 3-4-fish çmimin pak muaj më vonë me tendera korruptivë duke shpërdoruar taksat që ua mbledhin kacidhe më kacidhe. OSHE dhe KESH janë ndërmarrje të zhytura në korrupsion dhe klientelizëm. Janë grup patronazhistësh dhe militantësh partie që nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve.

Janë miliona euro që dalin nga xhepat e qytetarëve. Përpara interesit të njerëzve Edi Rama ka zgjedhur luftën personale. Përpara interesit të njerëzve ka vendosur babëzinë e tij.

Vetëm ryshfeti ndaj këtij shteti nga niveli më i ulët dhe niveli më i lartë u kushton shqiptarëve 500 milionë euro në vit. Raporti ndërkombëtar na rëndit në botë të dytin pasa Zambias Afrikane.

Pas kësaj vjen Shqipëria e Ramës, për ryshfet. Kjo shifër është 3 herë më e larta nga sa ishte në vitin 2013, kur morën pushtetin, Këto edhe shumë plagë të tjera nuk janë thjesht kauza normale të opozitës por janë plagë për qytetarët që rropatën për të nxjerrë bukën e gojës, plagë për të rinjtë dhe të rejat që nuk gjejnë dot punë, sepse këto thagma të krijuara nga kjo pakicë e korruptuar e bëjnë të pamundur të krijojnë vende pune.

Ndaj çdokush që ka dëgjuar që posedon zgjuarsinë e shqiptarit nuk mund të gënjehet, kjo nuk është krizë energjike, po kriza e korrupsionit e babëzisë dhe e keqmenaxhimit të kësaj qeverie’, tha Basha, ndërsa shtoi se në një vend normal politikanët do të mbanin përgjegjësi.

© SYRI.net