Basha kërkon ‘kokën’ e Ramës: Dorëzimi i mandatit lojë për të mbyllur dosjen e Saimir Tahirit

Lulzim Basha thotë se dorëheqja e Tahirit është një lojë me kryeministrin Edi Rama për të mbyllur këtë cështje. Sipas tij lajm i mirë do të ishte nëse ish-ministri do të dorëhiqej para 6 muajsh dhe jo sot kur ka fshirë çdo provë dhe kur drejtësia është kapur nga Rama.

Basha: Që kur Edi Rama e mbrojti nga kërkesa për arrest, Sajmir Tahiri e shfrytëzoi imunitetin për atë që i duhej, për të shkatërruar provat kyçe. Kjo dorëheqje erdhi pasi Edi Rama emëroi PPP-në, Prokurorin e Përkohshëm të Përgjithshëm, pa vetting dhe vetëm me votat e tij, për të futur nën kontroll Prokurorinë.

Drejtësia e kapur dhe e shantazhuar nuk e zgjidhin këtë problem tha Basha, ndaj ai kërkoi largimin e kryeministrit.

Basha: Si mashtrim për Gjermaninë, si mashtrim për Europën, për të thënë që “Ja, tani është në dorë të Prokurorisë”.Por, Prokuroria është në dorë të Ramës. Pra, Sajmir Tahiri është dhe mbetet në dorë të Ramës sikundër Rama në dorë të Tahirit. Ky është kodi mafioz që i lidh bashkë!

Dorëheqja e Tahirit sipas Bashës erdhi si mashtrim ndaj vendeve europiane që ushtruan presion ndaj kryeministrit Rama që mos e mbrojë atë.

Basha: Vetëm dorëheqja dhe largimi i Edi Ramës, janë zgjidhja. Nuk ka Bashkim Europian me qeveri mafioze që vepron me kodet e mafias.

Basha tha se kryeministri Rama është provuar tashmë si pengesa e vetme në BE.