Basha i përgjigjet Berishës: Ka vetëm një dosje, Non Grata jote nga SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur mbrëmjen e sotme ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se së shpejti do të zbulojë të tjera dosje të Bashës.

Kreu i Selisë Blu shkruan në Tëitter se këto janë shpifje dhe trillime, duke shtuar se ka vetëm një dosje, dhe ajo është dosja e shpalljes non-grata të Berishës.

“Trillimet e shpifjet nuk e zgjidhin dot hallin e Sali Berishës. Ka vetëm një dosje, ka vetëm një çështje dhe ajo është çështja NON GRATA nga SHBA. Është kjo çështje që e detyron Sali Berishën të bjerë kaq poshtë me shpresën se do ta shndërrojë PD-në në mburojë të interesave personale. Nuk ka gjë më të ulët se të përdorësh demokratët dhe ndjeshmëritë e tyre si mish për top për hallin tënd personal”, shkruan Basha.

Berisha ka lëshuar një lumë akuzash ndaj kryedemokratit, Lulzim Basha, për të cilin tha se është shpallur anëtar organizate kriminale nga drejtësia belge, është pjesë e projektit të Portit të Durrësit bashkë me Edi Ramën dhe do të përballet së shpejti me drejtësinë amerikane.