Basha “hap dosjen” e Vangjush Dakos: Është kapur duke bashkëpunuar me kriminelët. Rama largoi prokurorin

 

 

ryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, duke theksuar se ai është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me grupet më të rrezikshme kriminale për të blerë vota. Shërbimet Inteligjente, tha Basha, përfshirë ato të vendeve partnere, e kanë kapur Vangjush Dakon duke bërë pazare në telefon. Këtë fakt sipas tij e di Dako dhe kryeministri Edi Rama, ndaj u shpreh Basha, ata ndërhynë fuqishëm për të larguar prokurorin që po merrej me këtë aferë kriminale.

Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, duke deklaruar se ka prova të pakundërshtueshme se ai është kapur në flagrancë duke folur me banda kriminale për blerjen e votave.

Faktet që implikojnë kryebashkiakun Dako, sipas Bashës i disponon Shërbimi Informativ Shtetëror por dhe partnerët ndërkombëtarë.

Basha: Vangjush Dako, është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit, ku i kërkon të vjedhin dhe blejnë votat për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017. Shërbimet inteligjente, përfshirë edhe ato të vendeve partnere, e kanë kapur gafil Vangjush Dakon duke bërë pazare në telefon. Në këmbim të blerjes së votave dhe dhunimit të qytetarëve, Dako u premton kriminelëve tendera. Janë miliona euro që Vangjush Dako u ka premtuar kriminelëve, vetëm që ata të siguronin vota dhe pushtetin për Partinë Socialiste.

Basha thotë se pas kësaj afere kriminale fshihet edhe arsyeja e dorëheqjes së kreut të SHISH, Visho Ajazi, por dhe transferimi i prokurorit që po hetonte çështjen në Durrës.

Basha: Këtë fakt e di Gjushi, por e di edhe mentori i tij, Edi Rama. Për këtë arsye, ata ndërhyjnë fuqishëm për të larguar nga hetimi prokurorin që po e hetonte këtë aferë kriminale të interceptuar nga shërbimet inteligjente përfshirë ato të vendeve partnere. Kjo është një nga çështjet ku mund të gjendet edhe arsyeja e dorëheqjes së papritur të Shefit të Shërbimit Inteligjent.Projekti i Edi Ramës për drejtësinë e kapur dhe të nënshtruar nuk po realizohet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm që të thotë para qytetarëve nëse lëvizja e prokurorit Anton Martini është bërë për këtë arsye apo jo.

Basha: Edi Rama përdor mënyrat e tjera për të shpëtuar Gjushin dhe Gjushët e tjerë të partisë. Sot i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm që t’u thotë qytetarëve nëse lëvizja e prokurorit Anton Martini është bërë apo jo nën presionin kriminal të Edi Ramës.

Partia Demokratike, tha Basha, është në kontakt me partnerët ndërkombëtarë të cilët tashmë sipas tij posedojnë fakte dhe prova të kriminalizimit të qeverisë shqiptare.