Basha e Kryemadhi bashkojnë PD-në dhe LSI-në

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka zhvilluar një mbledhje të përbashkët të grupeve parlamentare. Kjo sipas Lulzim Bashës vjen në kuadër të një plani konkret veprimi kundër qeverisë, që ai e denoncon si të zhytur në krim dhe korrupsion. Plani i veprimit të opozitës, tha Basha, parashikon dhe thirrjen ndaj institucioneve të Bashkimit Evropian, për çeljen e negociatave.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, janë të unifikuara në qendrimin e tyre do të lobojnë pro çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Në një mbledhje të përbashkët të dy grupeve parlamentare, Basha tha se ky vendim i Bashkimit Evropian do ti jepte një mundësi qytetarëve shqiptarë të cilët sipas tij qeveria i ka zhytur në krim dhe korrupsion.

Basha foli për një plan konkret veprimi të opozitës.

Basha: Ajo fillon me unifikimin e qëndrimit tonë dhe kërkesës sonë për hapjen e negociatave jo si një akt merite ndaj narkoqeverisë dhe narkoshtetit por si një akt shpëtimi dhe ndihme për Shqipërinë dhe shqiptarët ne jemi të gatshëm të bëjmë detyrën tonë jo vetëm në planin e denoncimit por me një plan konkret veprimi për kundër krimit të organizuar dhe drogës për kapjken dhe vënien para drejtësisë të peshqve të mëdhenj.

Ndërsa kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, foli për opozitë kompakte kundër qeverisë Rama.

Kryemadhi: Ata që menduan se mitingu i 27 janarit ishte finalja e aksionit opozitar kanë menduar komplet gabim. Ai miting ishte fillimi i një rruge që ska kthim pas. Aty ka nisur beteja jonë me qeverinë e Edi Ramës, me qeverinë e narkoshtetit dhe kjo qeveri e krimit nuk mund të mbajë peng as shqiptarët, as politikën shqiptare dhe as të ardhmen e brezave të shqiptarëve përsa i përket çështjes së integrimit europian.

Mbledhjet mes dy grupeve parlamentare të opozitës, por dhe aleatëve të tjerë, do të jenë periodike kjo dhe në funksion të rakordimit të axhendave.