Basha :Drejtësi siç e parashikon Kushtetuta, jo siç e parashikon Surreli

 

Nga Lulzim Basha

Kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është një grusht kushtetues me qëllim që në vend të Gjykatës Kushtetuese të pavarur nga politika, të kemi një kukull të qeverisë.
Kjo qeveri e ka jetike ta kapë ose ta bllokojë reformën në drejtësi. Ata nuk duan reformë në drejtësi, nuk duan SPAK. Sepse SPAK-u i pavarur nga politika me prokurorë të kualifikuar, është kërcënim për aferat korruptive.

Edi Rama nuk e do Gjykatën Kushtetuese sipas Kushtetutës! Kapja ose bllokimi i Gjykatës Kushtetuese është plani i tij,
Sepse një Gjykatë Kushtetuese që nuk falet natën në Surrel, një Gjykatë Kushtetuese që nuk bëhet me tender me paracaktim nga Ardian Dvorani, do të vendosë në mënyrë të pavarur, dhe do të tregojë atë që treguat ju, se 30 qershori ishte një proces fals.

Kapja e të gjitha institucioneve dhe pushteteve është plani i vetëm i kësaj qeverie.

Askush nuk është më i interesuar se ne për një drejtësi të pakapur, për një reformë në drejtësi siç e parashikon Kushtetuta, dhe jo siç e parashikon Surreli dhe mercenarët e tij. Nuk ka faktorë më të interesuar se qytetarët, se biznesi që e ndjen në lëkurë barrën e padrejtësisë.

95% të rasteve që përfundojnë në Gjykatat Administrative i fiton qeveria. Ndërsa më parë 70% i fitonte privati, por tani 95% i fiton qeveria. Sepse drejtësia është e kapur.

Ne nuk mund ta pranojmë këtë. Ky është një moment vendimtar për të ardhmen tonë si shoqëri.

Ne besojmë tek vlerat dhe parimet europiane, tek drejtësia e pavarur, tek një Gjykatë Kushtetuese e pavarur, e formuar sipas Kushtetutës.

Sepse një Gjykatë Kushtetuese e formuar sipas tekave të qeverisë do i shërbejë qeverisë dhe jo drejtësisë, jo Kushtetutës, jo qytetarëve.

Ne duam një Prokurori të pavarur, duam një SPAK me prokurorë kurajozë, me integritet, që nuk mbrojnë por ndëshkojnë hajdutët e zgjedhjeve, kriminelët dhe oligarkët që zaptojnë pronat e qytetarëve dhe politikanët që i mbrojnë dhe përfitojnë nga lidhjet e tyre me krimin.