Basha: BE të përqendrohet drejt marrveshjes Kosovë- Serbi.Ballkani kryqëzim i trafiqeve 

Gjatë fjalës së tij në samitin e Ballkanit Perëndimor, kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se BE duhet të përqendrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Basha shprehet se vetëm në këtë formë mund të hyjmë në një epokë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit.

Kreu i PD shton se remineshencat e një të kaluare jo shumë të largët, të përziera me interesa gjeo-strategjike të fuqive jo-perëndimore, janë një fitil që mund të ndizet nga momenti në moment.

“Vetëm në këtë mënyrë do të hyjmë në një epokë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit Ngjarjet e fundit në kufirin Kosovë-Serbi dhe në Malin e Zi, tregojnë se sa e brishtë mbetet paqja dhe stabiliteti në këtë rajon.

Remineshencat e një të kaluare jo shumë të largët, të përziera me interesa gjeo-strategjike të fuqive jo-perëndimore, janë një fitil që mund të ndizet nga momenti në moment. Siç e dimë të gjithë, problemet e pazgjidhura shumë lehtë mund të kthehen në kriza.

Kjo është arsyeja pse është jetike për BE-në që të përqëndrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe për ta arritur këtë, njohja e Kosovës nga 5 Shtetet Anëtare të mbetura duhet së pari të përfundojë.

Asnjë paralelizëm nuk mund të bëhet, asnjë argument nuk mund të justifikojë mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, përderisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka certifikuar atë Vetëm në këtë mënyrë, Ballkani Perëndimor do të hyjë në një epokë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit, e cila me siguri do të jetë një vlerë e shtuar për BE-në”, u shpreh Lulzim Basha.

Lulzim Basha me tej,gjatë fjalës së tij në Samitin e Partive Popullore Europiane u ka kërkuar krerëve të shteteve anëtarë që mos pranojnë për vendin tonë, gjëra që nuk do t’i pranonin kurrë për zgjedhësit e tyre.

Lideri demokrat u ndal te procesi i 25 Prillit duke e krahasuar raportin e OSBE-së për zgjedhjet të njëjtë me atë në Bjellorusinë e diktatorit Lukashenko. Për Lulzim Bashën, Ballkani është kthyer edhe në kryqëzimin e rrugëve të trafikantëve e kriminelëve.

“Ne presim nga ky Samit i Ballkanit Perëndimor të adresojë pengesat në udhëtimin tonë drejt Europës.

Përveç arenë përplasjesh gjeostrategjike, Ballkani është kthyer edhe në kryqëzimin e rrugëve të trafikantëve e kriminelëve, të cilat nxiten dhe lehtësohen nga autokratët e Ballkanit, që për pushtetin e tyre përdorin krimin e më pas e ndajnë pushtetin me ta.

Për shumë vite është kërkuar stabiliteti në dëm të demokracisë, duke korrur si rezultat bjerrjen e të dyjave.

Mjafton të shihni raportin e ODIHR, 5 rekomandimet prioritare, nëse hiqni emrin e Shqipërisë, do të mendoni se është raporti i zgjedhjeve i Bjellorusisë së Lukashenkos. Po ju përmend vetëm një frazë, “Shteti duhet të garantojë lirinë dhe fshehtësinë e votës”. Lirinë dhe fshehtësinë e votës?! Në 2021, në Shqipëri, një vend anëtar i NATOS-s, kandidat për në BE që pret Konferencën e Parë Ndërqeveritare…

Ndaj në këtë proces, sinqeriteti dhe guximi janë thelbësorë.

Guxim për të drejtuar gishtin ndaj veprimeve dhe autorëve që gërryejnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias.

Duke mbajtur qëndrim, për të mos pranuar për vendet tona, gjëra që nuk do t’i pranonit kurrë për zgjedhësit tuaj.

Për këtë, unë besoj se rajoni ynë ka nevojë për më shumë mbështetje për sundimin e ligjit, më shumë ndihmë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, më shumë mbështetje për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Vetëm në këtë mënyrë ne mund të krijojmë, së bashku, më shumë mundësi për të rinjtë tanë dhe qytetarët tanë, dhe të bëhemi udhëheqës të vërtetë për shpresat dhe aspiratat e tyre dhe jo shfrytëzues të frikës dhe anktheve të tyre” deklaroi ai, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të selisë blu