Banorët në protestë kundër vendimit të qeverisë, bllokohet autostrada Lushnje-Fier

 

Qindra banorë bllokuan mëngjesin e sotëm kalimin në autostradën Lushnje-Fier. Banorët e zonës kanë dalë në protestë pasi kundërshtojnë vendosjen e barrierave metalike në një kryqëzim.

Në dy anët e autostradës radha e makinave në pritje të lirimit të rrugës shkoi deri në 3 kilometra. Aktualisht, rruga është liruar dhe e hapur për kalimin e automjeteve. Atje ndodhet edhe policia.

Të Premten, Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi mbylljen e kryqëzimit të quajtur “pushimi i shoferit” në autostradën Fier-Lushnje, pas aksidenteve fatale të përsërituara në atë pikë.

Barrierat e vendosura do të pengojnë kalimin mes për mes autostradës të automjeteve dhe këmbësorëve. Në atë pikë ndër vite janë shënuar me dhjetëra aksidente fatale dhe ndryshe vendi ka marrë emrin “kryqëzimi i vdekjes”.

Banorë dhe drejtues te automjeteve nga e zonat e Krutjes, Kemishtajt e Divjakës thonë se ky vendim do të shtojë kostot e lëvizjes së tyre.