“Ballkani i Hapur”, plan i hershëm i Serbisë 

 

Nga Ervina Toptani

Plani i hershëm i Serbisë për të ndërtuar kanalin mesdhetar
Një qasje ndryshe e këndvështrimit të krijimit të “Ballkanit të Hapur”.
Serbia po planifikon prej dekadash të bëjë realitet ëndrrën e saj për dalje në det nëpërmjet ndërtimit të një kanali mesdhetar që kushton rreth 17 bilion dollar amerikanë, me një gjatësi rruge ujore 650 kilometra, që do të lidhë lumin Danub me detin Mesdhe. Aktualisht, anijet që udhëtojnë ndërmjet Azisë Lindore dhe Europës Qëndrore kalojnë nëpërmjet kanalit të ngushtë të Dardaneleve dhe atë të Bosforit duke dalë në Detin e Zi nëpërmjet lumit Danub.
Ndërkohë lumi Morava dhe Vardar kanë vetëm 30 kilometra distancë ndërmjet tyre. Morava rrjedh në veri me dalje në Danub dhe Vardari rrjedh në jug në detin Mesdhe. Për këtë arsye ideja e një kanali qe do të lidhë Danubin me lumin Morava dhe Vardar po mendohet gjerësisht dhe masivisht. Ky koncept u propozua fillimisht në vitin 1840 dhe prej asaj kohe është diskutuar për shumë dekada me rradhë derisa në vitin 1900 ideja mori formën e shkruar duke iu prezantuar dhe publikut të gjerë nga profesori serb Nikola Stamenkovic. Por me fillimin e Luftës së Parë Botërore, Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore ideja u la mënjanë për disa dekada të tjera. Më pas në vitin 1961 ajo u riprezantua nga Beogradi dhe në vitin 1973 u konfigurua nëpërmjet një design-i të sofistikuar i cili iu prezantua ekspertëve të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë asgjë e tillë nuk u realizua në këtë periudhë, ndërkohë që pas kësaj periudhe luftrat në ish Jugosllavi sollën trazira në të gjithë rajonin. Ideja u la përsëei mënjanë.
Më pas në vitin 2012 Tomisllav Nikolic, kryetari i partisë Progresive të Serbisë fitoi presidencën e vendit dhe partia e tij menjeherë promovoi idenë e vjetër për ndërtimin e kanalit ujor. Në janar të vitit 2013 ministri i Serbisë, Milan Bacevik nënshkroi një marrëveshje me një ndër kompanitë më të fuqishme kineze “Gezhouba Group” të cilët përgatitën një studim fizibiliteti shumë të përpiktë për projektin në fjalë. Në fund të vitit 2013 ata e përfunduan konceptin e tyre. Sipas këtij studimi, kanali do të ketë një gjatësi totali prej 650 kilometrash duke lidhur lumin Danub me detin Mesdhe dhe Selanikun në Greqi duke i sjellë përfitime direkte 3 shteteve, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Faza e parë e kanlit do të ndjekë rrjedhën e lumit Morava me 346 kilometra gjatësi. Kjo gjë do të realizohet nëpërmjet gërryerjes masive për të zgjeruar dhe zmadhuar shtratin e lumit e cila do të sjellë dhe pastrimin e këtij të fundit si rezultat. Faza e dytë e kanalit do të ndjekë rrjedhën e lumit Vardar me 274 kilometra gjatësi. Edhe këtu do të ketë gërryerje masive për të zmadhuar dhe zgjeruar shtratin e lumit dhe përmirësimin e rrjedhës së tij. Faza e tretë do të jetë dicka absolutisht e re, një kanal me 30 kilometra gjatësi që do të lidhë këto dy lumenj nëpërmjet luginës së Preshevës. Ky kanal do të ketë një thellësi prej vetëm 4 metrash me gjerësi 34 metra. Keto 3 faza sëbashku do të sjellin një diferencë lidhjeje prej 492 metrash ndërmjet Danubit dhe detit Mesdhe. Për të tejkaluar këtë ndryshim të ri (në lidhje me krijimin e pjesës së tretë të kanalit) kanali do të ketë 63 shkallë të ndryshme lartësie me pengesa mbyllëse (dyert mbyllëse) 58 prej të cilave do të jenë për ngarkesat e anijeve. Krahasuar me këtë, kanali i Panamasë ka vetëm 12 të tilla. 165 kilometrat e kanalave dytësore do të jenë pjesë përbërëse të kanalit kryesor duke lidhur më shumë rajone me njëri tjetrin dhe me detin gjithashtu.
Përgjatë rrugës që do të përshkojë kanali do të ndërtohen 5-7 diga me fuqi elektrike me kapacitet total ndërmjet 300 deri 400 Megawat. Do të ketë si derivat dhe 9 porte përgjatë rrugës që do të përshkojë kanali. Në vitin 2013 është parashikuar që ky projekt do të kushtojë rreth 17 biliard dollar amerikanë dhe ndërtimi i tij do të zgjasë 13 deri 15 vjet. Sigurisht që këto shtete parashikojnë që një ndëtim i tillë do t`u sjellë avantazhe shumë të mëdha. Së pari do t`i japë dalje në det Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera përreth përfshirë këtu Austrinë, Sllovakinë dhe Hungarinë. Do t`u sjellë këtyre vendeve rritje të ndjeshme ekonomike duke rritur dhe rolin e tyre në tregtinë ndërkombëtare me +52 për qind, sikurse dhe rritjen e ndjeshme të turizmit në ekonomitë vendore nëpërmjet porteve të reja që do të krijohen. Kanali do të zvogëlojë distancën ndërmjet Beogradit dhe Selanikut me 1260 kilometra më pak ose e thënë ndryshe 3 ditë e gjysëm lundrimi më pak. Kjo gjë do të sjellë promovimin e tregtisë e jo vetëm ndërmjet Europës dhe Azisë duke i sjellë benefite të mëdha Gjermanisë, Kinës Japonisë dhe shumë vendeve të tjera. Për Greqinë përfitimet do të jenë shumë të mëdha sidomos për portin e Selanikut dhe do të ulet ndjeshëm kontrolli i Turqisë. Ky projekt do të krijojë gjithashtu dhe më shumë se 20.000 vende të reja pune dhe kanali në vetvete do të mbrojë rajonin nga përmbytjet. Digat që do të përdoren për përfitimin e energjisë elektrike do të sjellin përfitime të jashtëzakonshme në energjinë e gjelbërt. Duke kursyer dhe naftën, si pasojë e zvogëlimit të distancës së lundrimit, edhe mjedisi do të jetë më i mbrojtur, gjithashtu.
Së fundmi, kushdo që e ka krijuar e paguar këtë projekt, Serbia apo Kina do t`i tregojë botës kapacitetin e saj gjigand në fushën e ndërtimit e inovacionit.
Por kjo gjë do të sjellë dhe probleme serioze njëkohësisht. Lumi i Moravës dhe Vardarit janë të cekët dhe të ngushtë e për të lejuar kalimin e anijeve të tonazhit të rëndë do të duhet të bëhen gërryerje masive dhe shumë të kushtueshme por edhe me këto të fundit pjesa e lidhjes së kanalin në fazën e 3 do të jetë sërish e cekët dhe e ngushtë (4 metra thellësi dhe 43 metra gjerësi). Uji që do të përdoret e do të ndikojë në zonat e banuara rreth e përqark këtij kanali duke dëmtuar edhe mjedisin aty e duke e bërë jetesën të pamundur për këto pjesë të popullsive që do të jenë të detyruara të braktisin vendbanimet.
Duhet të përmendim faktin se Turqia është prerazi në kundërshtim të realizimit të këtij projekti. Nëse fillon ndërtimi i tij, sic pritet prej kohësh tashmë, mund të nisë një konflikt i ri ndërmjet Turqisë, Serbisë dhe Greqisë. Por dhe implikimi direkt i Kindës në këtë projekt do të sjellë jo pak probleme në fushën ndërkombëtare të diplomacisë. Përvec këtyre, rajoni të cilin përshkon ky kanal prej dekadash është i pastabilizuar dhe me përplasje të herëpashershme konfliktuale. Vendet e përfshira në këtë projekt janë të varfra për të bërë të mundur konceptin tejet ambicioz që synon ky kanal. Ai është rreth 8 herë më i gjatë se kanali i Panamasë dhe ka 5 herë më shumë bllokada. 17 bilion dollar nuk janë një shumë e vogël dhe duhet parë me kujdes nga xhepat e kujt do të dalin. Nga ana tjetër shumë ekspertë mendojnë se kostoja e këtij projekti nuk do t`i nxjerrë këto të ardhura në shumë e shumë dekada dhe se projekti nuk ia vlen një shifër të tillë shpenzimi. Që prej se doli studimi i fizibilitetit të projektit nga firma kineze, studimet e tjera për të kanë vazhduar të përmirësohen. Në mars të vitit 2017, Tomisllav Nikolic dhe presidenti kinez Xi Xiping janë takuar në Pekin ku kanë biseduar gjatë në lidhje me vazhdimin konkret të këtij projekti që iu intereson më shumë palëve. Megjithatë qysh prej atëherë nuk ka pasur dalje të tjera konkrete për publikun e gjerë dhe nuk është e sigurtë nëse Serbia është e gatshme të përballojë konflikte të asnjë lloji me Turqinë.
Megjithatë këto 2-3 vitet e fundit kanë qenë të pamundura për projekte të tilla prej shfaqjes së Koronavirusit. Por a është marrëveshja e “Open Balkan” një dritare që të shpie direkt në derën e projektit të kanalit ujor për në Detin Mesdhe? Sa është diskutuar një nisëm e tillë nga teoricienët shqiptarë, për të dalë në konkluzione të menjëhershme nëse Shqipëria në këtë rast do të ketë humbje (në rastin konkret sa e ku) apo do të ketë përfitime (përsëri sa e ku)? Përse publiku shqiptar nuk është i informuar për të tilla nisma apo projekte ku vendi ynë sikurse dhe i gjithë rajoni janë të përfshirë tërësisht ndërkohë që Europa është në dijeni të tij?