ATJONI DHE “MINERVA” NË 25 VJETORIN E LINDJES…

…Herë pas janë botuar shkrime të Atjon Zhitit apo ç’kanë shkruar për atë, poezi, përkthime, vizatime të tij, etj. Ai në këtë 30 gusht do të ishte 25 vjeç…
Na duket sikur Atjoni ka një lidhje me “Minervën, hyjneshën e mënçurisë, Ja, na i tregojnë botimet e tij.…
Së pari do të dilte libri “Për atë që dua(m)”, me ese dhe shkrime të ndryshme, ndërsa më pas u botua albumi dy gjuhësh shqip dhe italisht, “Opera Atjon”, me vizatime dhe piktura nga fëminia dhe adoleshenca.
Me rastin e 25 vjetorit të datëlindjes së tij, sapo doli në Prishtinë libri “Jam Atjoni”.
E kujtojnë me dashuri të gjithë, ata që e kanë njohur apo që i kanë lexuar librat e tij a shkrimet nëpër gazeta, që i kanë parë pikturat e tij në ekspozita, që kanë qenë së bashku në veprimtari të ndryshme etj, deri dhe në Parlamentin Europian Rinor, ku Atjoni ishte anëtar dhe përfaqësonte të rinjtë shqiptarë.
Me emrin “Atjon Zhiti” jepen dhe dy çmime artistike ndërkombëtare tani, ai i Festivalit të Filmit “Giffoni”, ku Atjoni ka qenë në jurinë e të rinjve, si dhe çmimi i poezisë nga “IWA BOGDANI”, shoqata e shkrimtarëve me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel,
Atjoni u buzëqesh plot dritë të gjithëve nga Qielli dhe dashuria e tij për këdo, fjalët e tij të mençura ende emocionojnë dhe thonë shumë.
“Studenti i përhershëm” e kanë mbiquajtur..
Në Tiranë tashmë është dhe “Rruga e Atjonit”. Ai vërtet hapi një rrugë të re e të bukur për të gjithë të rinjtë
Por sjellim një artikull të tij, përmbledh pjesë, ku ndjehet si i shkruar sot, ku shihet se fjala e tij e sinqertë dhe rinore, është e lidhur me Hyjneshën Minerva…

– nga bashkëpunëtori –

NË KOHËN E FB…
QË PËRSOSJA TË MOS BANALIZOHET
DHE BANALJA TE MOS PËRSOSET.

1- Duhet kuptuar shoqëria për të folur për një fenomen shoqëror, të paktën sado pak. Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh.
Spektakli, në këtë rast programi juaj, për shembull, nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lindte spektaklin dhe spektakli bëhet real. Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion. Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në saje të kthimit në mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës. Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit zëvendësohet nga dukja. (-Mesazhi për një emision televiziv, të njohur në Tiranë – )

2- Lideri i opinionit publik, tregon Richart Hoggart (sociolog anglez), ka prirje që nën ndikimin e mediatizimit, të bjerë në narcizëm, pra t’i pëlqejë vetja dhe mendimet e tij në mënyrë të atillë që të mos pranojë asnjë dialog me të tjerët, të mos pranojë gabime, të mos tregojë kufijtë e dijes së vet, përballë së cilës nis injoranca e tij.
A nuk mendoni se ky pohim u përshtatet drejtuesve tanë, kur flasin… për ato që vetë nuk i bëjnë dhe nuk flasin për ato që bëjnë?
(– Nga përgjigjja, dhënë me sms ca shokëve, që e pyetën për këtë çështje.)

– Si vendas them se më vjen shumë keq për mjedisin që keni gjetur, por ky është realiteti dhe, po ta mbroja, do gënjeja, dhe veten.
Fatkeqësisht dhe fatmirësisht askush nuk u shpëton këtyre ligjeve.
Filozofia, me bindje them, se më mbush, kam filluar të shkruaj, po mundohem të shkruaj sesi prekonceptet, relativizmat, konformizmat, largojnë njeriun nga njeriu. Janë të mjaftueshme per il me stesso iniziale, por në një stad më të mëvonshëm duhet tejkaluar dhe vetvetja jonë, duhet të zhvishet prej tyre pikërisht për t’u njohur me të dhe sidomos në një nivel meno calpestato si subkoshienca. Deri tani këtë zhveshje e kam gjetur tek skizofrenia, por s’jam akoma gati momentalisht për të. Aimè, shkrim i thënçin, se informacioni që kam gjetur e arritur, është i pakët, po ashtu ineksperienca dhe një sërë faktorësh të tjerë që Ju i dini shumë më mirë sesa unë, më pengojnë, por dëshira mbetet. (– Nga një letër dërguar shkencëtarit hebre, Dr. M. S.-)

3- …Pamundësia e votimit prej moshës nuk i bën të rinjtë të mospërfshirë në politikën e vendit të tyre, ata duan të jenë pjesë e saj, pasi janë pjesë e saj.
Personalisht besoj në aftësinë tonë si popull për të bërë zgjedhjen më të mirë, një të përbashkët. Nesër nuk pranoj kurrsesi një “rivdekje” të vendit tim, duke gabuar, sepse besohet ende në disa relike të paafta dhe hipokrite të diktaturës komuniste. Ka patur një Rilindje Kombëtare, ka patur dhe në dhjetorin e ‘90-s, lëvizja për demokraci, që vazhdon… Unë besoj në rrugën e nisur, unë besoj në idealet e demokracisë, unë besoj në ndryshimet e bëra… Përpara, përpara, përpara! …Këto ditët e fundit jam kthyer nga Barcelona, ku mbahej sesioni i fundit ndërkombëtar i Parlamentit Rinor Europian, pjesë e delegacionit shqiptar, përvojë e bukur. Përmbas shkurtova rrugën për shtëpi duke bërë një interrail nëpërmjet Francës, Gjermanisë, Holandës, Republikës Çeke, Serbisë e në fund Republikës së Kosovës. Takimin tjetër të Parlamentit Rinor Europian do ta mbajmë në Korçë. Kam filluar punë dhe shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne. (– Nga mesazhet dhe bisedat…)

4- Arena moderne

Nuk e gëlltis dot shumë patriotizmin e lindur befas nga një ndeshje, ka një të qenë të zbehtë, të shtirur e të pavlerë. Atdhetarizmi i vërtetë, kur ndihet, arrihet të shprehet në të gjitha mënyrat e manifestimit që ka, qoftë të heshtura dhe të padukshme. Nëpër mend më kalon kënaqësia e krenaria për progreset e arritura, për kulturën që ekziston në dheun, ku kjo ndjenjë të përket, për dëshirën për të ruajtur karakteristikat, trashëgiminë e pse jo dhe traditat…
Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka dhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standard, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin. Ndërkaq një individ i tillë, që në të vërtetë ndihet i përfshirë në këtë “rrymë”, vendos interesat e kombit përpara atyre personale, diçka e tillë “leverdis” shumë e më shumë, se sa të varfrat nevoja vetjake.
Për mendimin tim ajo ndeshja e asisojshme e paradokohshme vetëm ndeshje nuk qe, por jam tejet i lumtur që çunat mbrojtën simbolet tona, eventi ama ishte një gati-shfryrje politike e vendeve, të cilat plot me probleme nuk arrijnë të shprehen e të mbërrijnë rezultate në arenën politike. Nuk do të dëshiroja të flisja për Serbinë, por për vendin tim. Ne arritëm të tregojmë diçka, por ama betejën e radhës përsëri se si bën dhe e fiton kundërshtari.
Ata vazhdimisht vazhdojnë të hedhin baltë, pa ia treguar kush dhëmbët e të vërtetës siç duhet. Ne, si gjindje, nuk kemi një ndjenjë kush e di sa të fortë atdhetare, si një zeje të brendshme do të thosha, jo si shpërthime. Shteti në periudha tranzicioni, biles edhe më përpara, nuk ka patur një politikë etnike reale, kurrë nuk jemi shqetësuar si mendësi paraprake, por si mund i mëpastajmë, kur duhet ditur më së miri të vendosim të parat shkencërisht të drejtat tona si komb e të drejtat tona historike. Serbia që kur fort-e-dashura jonë Kosove ka marr pavarësinë, ka trefishuar investimet tek ne, shkëmbimet ekonomike me ta janë intensifikuar, ndërsa me Kosovën që nuk duhet të ketë fare doganë, madje as kufi të vërtetë, janë ulur, po fiton një Serbi, ku Presheva nuk njihet se është lënë me mjerim, përfiton një sistem që me dekada di të përdhosë e ne nuk ngremë krye, absolutisht nuk dëshiroj përgjakje, por dua forcë e vendosmëri për shtetin tim.

Ajo çka fatkeqësisht dimë të bëjmë më mirë, është të tejçojmë vuajtjet e të parëve tanë brez mbas brezi, të flasim me mllef (me të drejtë në shumë raste, po jo e drejtë gjithashtu, sepse politika nuk përbën një popull të tërë, edhe vetë nuk besohem të jam ndjerë i përfaqësuar nga politikat e vendit tim.) Dua të them se nuk është një analizë ose opinion është një ndjesi që lind nga ndodhitë e fundit dhe dua të shtoj se ndjenja e dashurisë kundrejt vendit rritet ende më shumë bashkë me njohjen, qoftë dhe duke parë më shumë e më shpesh trojet shqiptare, Tetovën, p.sh.
P.S.: Foton e mëposhtme e përzgjodha, sepse më pëlqen dhe do të doja Tiranën ta shihja ashtu të përndritur edhe për të sjellë ndryshimet reale, që duhen për Atdheun tonë. Dhe më vjen të thërras: RROFTË SHQIPËRIA! Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.
(Status në FB, Tetovë, 17 tetor 2014).

Imazh i zgjedhur nga Atjoni

 

Ballina e librit “Jam Atjoni

DISA SKICA NGA ATJONI

 

Bashkudhëtarë dhe kryqëzimi i hijeve
“Syri në fletoren time”
“Bashkim duarsh”
“Vorbull e re”
“Hijet mes yjeve”