Arba, mbesa e Musinesë!!!

Nga Nebil Çika *

Një shqiptare është zgjedhuar euro deputete dhe ka bërë krenar shumicën nga ne. Arba Kolalari, pinjolle e një familje të njohur me kontribute e sakrifica te mëdha për vendin e kombin tone ja doli. Jo në Shqipëri por në Suedi, në një vend që udhëhiqet nga vlerat në të gjitha aspektet. Aty ku znj. Arba gjeti e arriti atë që vendi i saj, jo nuk ja dha por, ja mohoi familjes së saj vite me radhe. Sigurisht që Arba e ka merituar këtë arritje të jashtëzakonshme dhe ky është një sukses personal i saj por kjo sigurisht që shkon shumë më tej. Emri i saj Kolalari. Gjeni i saj, historia e saj familjare e bën fitoren e saj më të madhe më të gjerë e sidomos më domethënëse për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Arab është mbesa Musine Kolalarit intelektuales, shkrimtares, politikanes antikomuniste që u dënua internua e vdiq në internim nga diktatura komuniste. Është gjithashtu mbesa e Muntaz dhe Vesim të pushkatuar pa gjyq nga komunistet në nëntor 1944 në Tiranë si antikomunistë dhe nacionaliste. Familja Kokalari ka ndërkohë dhjetëra të pushkatuar dënuar e internuar të tjerë nga diktatura komuniste dhe është nga familjet që vuajti më shumë nën regjimin komunist në Shqipëri. Por vlerësimi më i madh për familjen Kokalari nuk janë sakrificat dhe vuajtjet por qëndresa dhe kontributi që ata kanë dhënë me vlerat e tyre për popullin e kombin tonë. Arba nuk është një rastësi por një vazhdimësi e gjenit, gjakut dhe vlerave të familjes Kokalari. “Ku ka rrjedhur do të pikojë!”-thotë një proverb shqiptar dhe Arba është pa dyshim konkretizimi më i mirë i tij.
Arba ka marrë urime e bërë krenarë shumë nga ne sidomos antikomunistët e përndjekur politikë dhe familjet e mëdha shqiptare të cilët që nga viti 1944 janë të pa përfaqësuara politikisht. Ka marrë urime edhe nga Presidenti Meta dhe kreu i opozitës Basha dhe mirë kanë bërë. Por pyetja e çështja thelbësore që del nga e gjithë kjo është: Cili do të ishte fati politik i Arbës po të ishte në Shqipëri? Nuk mund të flas dot me siguri por mund të hamendësojmë përafërsisht se çfarë do të ndodhte duke u nisur nga fati i të ngjashmeve me të këtu. Në 100 vjetorin e pavarësisë kam botuar një shkrim me titull: “Kriza e përfaqësimit në PD” që lidhej pikërisht me mungesën e pinjollëve të familjeve që bënë Shqipërinë në politike dhe në drejtimin e shtetit shqiptar gjë që u vu re në kremtimet e atij momenti të rëndësishëm për kombin. Nuk është se gjendja ka ndryshuar sot. Me ardhjen në pushtet të ish komunisteve është bërë edhe më keq. Nuk mund ta vë në dyshim sinqeritetin dhe krenarinë e kreut te PD-së z. Basha në urimin e tij publik, por mendoj se më shumë ky duhet të jetë një moment reflektimi për të dhe partine e tij. Fakti që në krye të PD-së nuk ka asnjë përfaqësues të së djathtës historike, të antikomunistëve etj është jo vetëm një turp por edhe problemi më i madh i saj. Një Kokalari, Një Farshëlli, Një Vlora, Gjonmarkaj ,Nosi etj familje të njohur shqiptare. Përkundrazi kemi pinjollë të persekutorëve të tyre, apo edhe më keq të antishqiptarëve brez pas brezi. Pikërisht kjo mungesë e madhe është sot ajo krizë, që brenda krizës së madhe politike, PD po përjeton brenda saj. Në zgjedhjet e fundit brenda PD-së ne degën e Gjirokastrës, pati një kandidaturë që u mbështet fort edhe nga ne si të përndjekur politikë antikomunistë por që kandidimi i saj u pengua nga kryesia e PD ne Tiranë. Dhe jo rastësisht edhe kjo ishte një Kokalari si Arba, një zonjë e nderuar, Alije Kokalari zgjedhja e së cilës do ti bënte nder PD-së në Gjirokastër, por Basha me apo pa ndërgjegje i mohoi asaj edhe garën, dhe nuk është e vetmja nga kjo sërë e nderuar që pati të njëjtin fat. Por ky problem nuk është vetëm në politikë por në të gjithë shtetin e shoqërinë shqiptare. Vullneti për të mos vlerësuar e respektuar, madje për të persekutuar ende familjet e medha shqiptare sidomos ato antikomunist është i dukshëm. Po rri sërish tek familja Kokalari dhe trajtimi që i bëhet asaj në Shqipëri. Mjafton të shkoni në Gjirokastër e të shikoni gjendjen e shtëpisë se Kokalareve, të Musinesë dhe vëllezërve të saj e për rrjedhoje edhe e Arbës. Ajo ndodhet ngjitur me shtëpinë muze të diktatorit Enver Hoxha persekutorit politik e personal të familjes Kokalari si dhe pranë shtëpisë së e shkrimtarit të njohur komunist Ismail Kadre. Shtëpia e Koklarvëve është e rrënuar dhe e braktisur, para disa viteve i vunë edhe zjarrin. Një pjesë e pushtuar nga një person tjetër që ka banuar atje me vendim partie në kohën e komunizmit pra në një gjendje gati për tu shkatërruar e zhdukur fare. Ndërkohë që për shtëpinë e Enver Hoxhës dhe Ismail Kadarese janë shpenzuar qindra milionë lekë dhe janë restauruar madje edhe janë shtuar në sipërfaqe dhe volum. Vetëm ky krahasim i prekshëm nga kushdo që shkon në Gjirokastër tregon trajtimin mizor të Kokalarëve dhe të tjerëve familje të mëdha antikomuniste në Shqipëri. E pra, vetëm këto pak fakte e prova që sollëm na çojnë në përfundimin se cili do te ishte fati politik i Arbës po të kishte qenë në Shqipëri.
Tani dy fjalë për Arbën!
E nderuar zonjë!
Urime dhe suksese për zgjedhjen eurodeputete! Jemi krenar që je njëra nga ne! Duke u nisur nga gjeni juaj fisnik, historia dhe sakrifica e të parëve të tu dhe vlerësimi që ju ka bërë populli suedez, kemi besim se do të jeni edhe një përfaqësuese e jona e denjë në BE. Vërtet ju zgjodhi populli suedez dhe do të jeni përfaqësuese e tij, por misioni juaj bëhet edhe më i madh pasi do t’iu duhet të përfaqësoni edhe ne në Shqipëri. E dimë që kjo është një punë shumë e vështirë pasi do t’iu duhet të prezantoni në Bruksel dhe Evrope një Shqipëri tjetër, jo atë që kanë prezantuar politikanët tanë deri tani. Do t’iu duhet të sqaroni kolegët tuaj në BE që shqiptarët nuk janë të gjithë si ata që kanë njohur ata . Nuk janë vetëm komunistet, spiunet, kriminelet , trafikantët , tradhtaret , kurvat, pederastët etje qe ata takojnë e njohin si përfaqësuesit tanë ne Bruksel e Tirane . Me shembullin tuaj duhet të tregoni shqiptarët e vërtetë . Shqipërinë tjetër, atë fisniken, të ndershmen, atdhetaren , evropianen e të lavdishmen ,që ka 75 vjet që vritet dënohet, persekutohet , dhunohet , vidhet grabitet e nuk lejohet të përfaqësohet politikisht.
E dimë mirë që pesha që ke mbi supe është e rëndë pasi keni mundësinë të përfaqësoni më shumë se vetja dhe familja juaj, të na përfaqësoni të gjithë ne, me hallet tona të mëdha. Do t’iu duhet të sqaroni BE-në për atë që ka ndodhur dhe po ndodh këtu me shqiptarët e njëjtë apo të ngjashëm me ju. Ne besojmë se ju do t’ia dilni, pse jo! Halla juaj ja doli në kushte shumë më të vështira e me sakrifica më të mëdha. Mos harroni, ju tani jeni model për shumë nga fëmijët tanë dhe kjo ju vë në shpinë një barrë shumë të rëndë! Të jesh një trashëgimtar i denjë me shumë se privilegj është përgjegjësi.
P.S. Dhe mos u josh e mos u beso mesazheve hipokrite të komunistëve të Shqipërisë dhe pinjollëve të tyre. Janë po ata që vranë Muntazin e Vesimin dhe dënuan e lanë të vdiste në internim Musinenë.
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e te Përndjekurve Politikë të Shqipërisë