“Anulimi i  prokurimeve publike”, Lulzim Basha: I vonuar por vendim i drejtë, kursen 200 mln euro

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një komunikimi online me mediat dhe qytetarët ka ripërsëritur thirrjen për anulimin e koncesioneve dhe përdorimin e parave për situatën e emergjencës.

Ai tha se sot ka mësuar se qeveria ka vendosur anulimin e prokurimeve për të cilin tha se uronte të jetë lajm i vërtetë, ndërsa shtoi se duhet kthyer menjëherë në një vendim të qartë dhe të prerë qeveritar.

“Çdo prokurim që nuk lidhet me emergjencën nga COVID, sot mësuam jozyrtarisht nga faqja e prokurimeve publike se qeveria ka vendosur anulimin e prokurimeve. Dua të uroj që ky lajm të jetë i vërtetë, ndonëse i vonuar më mirë vonë se sa kurrë. Dua t’i kërkoj që këtë njoftim të APP ta kthejë menjëherë një vendim të qartë e të prerë qeveritar”, tha Basha.

Më tej kryetari i opozitës pohoi se një vendim i tillë i kursen shqiptarëve 200 milionë euro ndërsa garantoi se opozita do monitorojë që ky vendim të zbatohet.

“Duke e përshëndetur ndonëse të vonuar këtë vendim që nëse zbatohet sic është shpallur do i kursejë afro 200 milionë euro shqiptarëve, dua të kërkoj transparencë totale në zbatim të këtij vendimi. Opozita do monitorojë që ky vendim të zbatohet në atë mënyre që mos të ketë mundësi të abuzohet me paratë e shqiptarëve. Të anulohen koncesionet për PPP dhe cdo lek i qytetarëve duhet të shpenzohet për tejkalimin e krizës së pandemisë”, tha Basha