Antikomunizmi dhe Nacionalizmi janë e ardhmja, PPE në rrugë pa krye

Nga Ermal Ngjelina

Pak ditë më parë në një artikull të publikuar tek Minerva konsiderova si të drejtë, nga pikëpamja e interesave të shqiptarëve, vendimin e kreut të PD Lulzim Basha për të votuar kandidaturën e Manfred Weber për kreun e ri të Komisionit Europian.
Weber në ndryshim nga të gjithë garuesit e tjerë ishte i vetmi që në retorikën e tij qëndronte shumë më pranë ligjëratës që kërkon koha, nacionalizmit dhe antikomunizmit.
Rivalët e tjerë, që garuan si kandidatë të PPE për kreun e Komisionit, sigurisht që ishin marksistë dhe në kushtet e mungesës së papërgjegjshmërisë politike, të prirur për të rrëshkitur akoma më shumë majtas.
Po zgjedhja e Weber është vetëm një hap dhe nuk paraqet tablonë e plotë të situatës politike në kontinentin e vjetër, situatë e cila projektohet me forcë të madhe edhe në Shqipëri.
Për shkak të territ informativ që mbizotëron në vendin tonë, të gjithë shqiptarëve u është krijuar ideja se jetojmë në një tjetër planet, ku ngjarjet e botës nuk na prekin fare. Krejt e kundërta është e vërteta. Ajo çka ndodh në vendin tonë është në linjë politike dhe e monitoruar dhe pjesë e skenarit politik që ndodh në çdo vend tjetër të Europës.
Dhe çfarë ndodh në Europë? Ka një dukuri shumë interesante. Qendra e djathtë e përfaqësuar nga PPE konsideron si kërcënim nacionalizmin. Bën thirrje që në zgjedhjet që po i afrojnë Europës të kihet kujdes nga nacionalizmi (jo nga social-nacionalizmi).
Në kushte normale PPE duhej të shprehej në retorikën e vet me sulme ndaj të majtëve. Por nuk po ndodh. Kjo do të thotë se socialistët europianë janë të parëndësishëm në termat politikë si konkurentë në zgjedhje. Por paralelisht mund të thotë se qendra e djathtë e europës ka rrëshkitur majtas.
Rrëshkitja majtas është motivi i vërtetë që PPE kanë filluar të shënjestrojnë nacionalistët. Busti i Marksit u vendos në ekonominë e parë të Europës të drejtuar nga anëtarët e PPE-së. Teoria marksiste po prevalon në elitën europiane të institucioneve të BE-së. Kjo është e vërteta e hidhur e Europës dhe jo vetëm e Europës: Marksizmi!
Marksizmi është motivi pse popujt europianë kanë kuptuar mashtrimin dhe po mandatojnë për drejtimin dhe kontrollin e institucioneve publike forcat politike antimarksiste.
Marksistët janë internacionalistët. “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!”. Këtë parullë e përdornin komunistët e Shqipërisë. Duke konsideruar popujt europianë si proletarë, elita e Europës tentoi të krijojë edhe Bashkimin Europian, që në terma praktikë në fakt u shndërua në Bashkimin Sovjetik Europian. Dhe ashtu siç falimentoi Bashkimi Sovjetik ashtu falimentoi me Krizën e Borxhit Sovran edhe Bashkimi Europian. Këtë faliment institucionet e Bashkimit Europian duan ta fshehin nëpërmejt imponimit të dorëzimit të sovraniteteve kombëtare tek Brukseli. Për të realizuar këtë qëllim kërkojnë dhe të krijojnë ushtrinë e Europës.
Pengesa e vetme janë nacionalistët, të cilët automatikisht janë dhe antimarksistë. Elita e Europës tentoi që me përvjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, tja faturonte nacionalistëve shkakun e shpërthimit të sa. Trump ishte gozhda ku ngeci sharra e tyre.
Ndoshta shumë pak persona në Shqipëri ndajnë të njëjtin opinion me mua, por e vërteta është që Luftën e Parë Botërore nuk e shkaktuan nacionalsitët. (As luftën e dytë.) Atë e shkaktuan internacionalistët, ata që prodhuan dhe parrullën e mirënjohur në Shqipëri: “Proletarë Të Të Gjitha Vendeve Bashkohuni!”.
Situata në Europë sigurisht që shprehet edhe në vendin tonë. Tashmë janë të qarta, pavarësisht se shumë të hershme, sinjalet që në vendin tonë fronti i luftës është rihapur kundër nacionalistëve dhe antikomunistëve. Shqipëria ka pasur fatin e keq që edhe pas 1990 kontrollin e vendit ta kenë Trockistët.
Në kushtet e situatës politike në Europë dhe të përplasjes mes antikomunistëve dhe internacionalsitëve, në Shqipëri ka përpjekje që të mos prishet kontrata e 1990.
Anëtarë të “Deep State” po vendosen ne pozicione kyç politikë për të penguar atë çka realisht është projektuar se do të ndodhë.
Në fakt PPE është në rrugë qorre. Vetëdija e njerëzve, jo vetëm në Europë, është shumë herë me e lartë se në 1990. Ushtria mediatike është shumë e madhe. Sot kjo ushtri përbëhet nga gazetarët-qytetarë me mjete të tjera dhe krejtësisht të pakontrollueshme komunikimi.
E ardhmja është shumë më e mirë se në këto 28 vitet e fundit. Liria e individit, liria e tregut nuk mund të ndalen. Individi dhe tregu nuk mund të kontrollohen nga një dorë njerëzore sepse janë në dorë të Krijuesit. Antikomunistët e sotëm janë ushtarët e Krijuesit në shërbim të njerëzimit. Asgjë nuk ndal këtë proces. Tentativat e Deep State janë të dështuara!