Antikomunistët protestojnë / Ndal promovimit të terrorizmit komunist!

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë ndjehet e provokuar dhe e fyer nga vendosja në bulevardin Dëshmorët e Kombit të portreteve të terroristëve komunistë autorë të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocid nga Bashkia Tiranë në kuadër të përkujtimit prej tyre të 75 vjetorit të pushtimit komunist të Shqipërisë.
Personat në fjalë po trajtohen nga shteti shqiptar si dëshmorë të atdheut ndërkohë që nuk plotësojnë asnjë kusht të ligjit për të pasur statusin e dëshmorit dhe në shumë raste janë autorë të vrasjeve të dëshmorëve të vërtetë të atdheut.
Ne të përndjekurit politikë antikomunistë të Shqipërisë e konsiderojmë këtë akt si një përpjekje zyrtare të radhës të Bashkisë Tiranë dhe qeverisë shqiptare për restaurimin historic të diktaturës komuniste dhe promovim publik të terrorizimit komunist në Shqipëri.
Në këto kushte ne i kërkojmë institucioneve të shtetit shqiptar të reagojnë në përmbushje të ligjeve dhe detyrave të tyre kushtetuese për të ndaluar këtë rikthim pas të vendit jo vetëm aspektin historik.
Nderimi i autorëve të krimeve komuniste nuk përben vetëm një fyerje për viktimat e tyre por edhe një rrezik të kthimit në model të terrorizmit komunist që mund të sjellë pasoja shumë negative për të tashmen dhe të ardhmen e kombit dhe popullin tonë.
Akte të tilla politike janë të pa pranueshme për një vend anëtar i NATO dhe aspirant për anëtar i BE dhe është prova e shpjegimi më i artë për bllokimin dhe regresin që po përjetojmë në përpjekjet tona për integrim euroatlantik.
Një vend që nderon terrorin komunist dhe autorët e krimeve kundër njerizimit dhe gjenocidit nuk mund të jetë pjesë e familjes euroatlantike dhe kjo është arsyeja kryesore pse avancimi në rrugën drejt anëtarësimi në BE i Shqipërisë refuzohet nga vendet anëtarë të saj.
Shqipëria ka ratifikuar konventat ndërkombëtare që dënojnë krimet e komunizmit por ky akt dhe të tjera përbejnë shkelje të hapura të tyre.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare dhe Bashkisë Tiranë të ndalojë me një herë promovimin dhe nderimin e terrorizimit komunist dhe autorëve të krimeve kundër njerizimit dhe gjenocid.
I kërkojmë opozitës, veçanërisht PDSH të reagojë me forcën dhe përgjegjësinë e duhur ndaj akteve të tilla të qeverise në se ende vazhdon të pretendojë se është një force politike antikomuniste siç është deklaruar edhe qëllimi i formimit dhe ekzistencës politike të saj.
Ne i bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike perëndimore ambasadave të USA, BE, OSBE dhe vendeve të tjera demokratike në Shqipëri të informojnë qeveritë e tyre për atë që po ndodh këtu me restaurimin e komunizmit si dhe të ndërhyjnë pranë shtetit shqiptar për të ndaluar promovimin e terrorizmit komunist.
I kërkojmë opinionit publik, mediave dhe shoqërisë civile të reagoje ndaj këtij akti të rikthimit në kohën e diktaturës komunistë në Shqipëri.
Ne i bëjmë thirrje të përndjekurve politike antikomunistë dhe antikomunisteve e demokratëve të tjerë shqiptarë të perceptojnë qartë rrezikun që u kanoset atyre dhe familjeve të tyre nga këto akte të rikthimit në komunizëm e të reagojnë me forcë e kurajë ndaj tyre me të gjitha mjetet dhe mënyrat demokratike në dispozicion.
Ne i sigurojmë shqiptarët se beteja jonë historike me terrorizmin komunist do të vazhdojë pa ndërprerje deri sa vendi, populli e kombi ynë të kthehet në normalitetin e një vendi demokratik perëndimor siç kanë aspiruar e janë sakrifikuar brezat e martirëve tanë të lirisë dhe demokracisë.