Antikomunistet e përndjekur – Bashës:PD duhet ta meritojë mbështetjen tonë !

Memorandum Mirëkuptimi

Drejtuar: Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë z.Lulzim Basha

I nderuar Z. Basha !
Në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politike te Shqipërisë ju drejtohem Ju për disa çështje që shqetësojnë të përndjekurit politikë antikomunistë në lidhje me marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me partinë që drejtoni dhe të tjerë që ne i mendojmë me interes të përbashkët.
I nderuar z. Kryetar!
Të përndjekurit politikë antikomunistë të Shqipërisë kanë qënë për 28 vite mbështetësja me besnike dhe baza politike e elektorale e PD. Mbështetja jonë, pa kushte, është një fakt i njohur publik por shumë herë i pa merituar nga PD dhe në mënyrë të veçantë qeverisja e saj. Ajo që ka mbajtur gjallë këtë marrëdhënie, perceptimi ynë, ndoshta i gabuar, ishte ideologjia, mendimi që PD ishte të paktën një parti antikomuniste gjë që e bënte atë zgjedhjen tonë të detyrueshme (të keqen më të vogël) në politikën aktive shqiptare. Sigurisht që në gjithë këto vite kemi pasur pakënaqësi të mëdha nga politikat, praktikat dhe veçanërisht qeverisja e PD-së por gjithësi e kemi mbështetur atë sidomos në ditët e vështira të saj. Ne kemi menduar dhe kemi shpresuar që PD gradualisht të reflektojë dhe të orientohet ideologjikisht djathtas duke ardhur në të njëjtën linjë me bindjet dhe interesat e elektoratit të saj baza e të cilit siç thash më lartë kemi qënë, të paktën deri tani, ne. Kemi shpresuar që këtë hap djathtas ta bëni Ju gjë që ua kemi shprehur edhe ne mënyrë miqësore, zyrtare e publike edhe herë të tjera.
Ne të përndjekurit politikë antikomunistë vërejmë me keqardhje dhe shqetësim të madh që kjo kërkesë e vazhdueshme jona nuk ka marrë vëmendjen e pritur nga ana e Juaj. Pra vlerësoj se ka një keqkuptim të madh midis nesh.
Në këto kushte bashkëpunimi ynë vihet në dilemë të madhe por ne shpresojmë që gjerat mund të rregullohen nëse Ju dhe struktura tuaja do të keni vullnetin e duhur politik.
Ne propozojmë këtë memorandum mirëkuptimi duku ju bërë prezentë disa kërkesa bazë që ne i mendojmë si kushte minimale të mbështetjes dhe bashkëpunimit reciprok.
Përcaktimin qartë nga ana juaj të një kornize ideologjike me bazë antikomunizmin dhe konservatorizmin politik e cila përputhet më sëshumti  edhe me bindjet e interesat tona

politike. Konkretizimin e kësaj linje ideologjike në të gjithë veprimtarinë e PD-se: program politik, filozofi, aksion politik, retorikë politike dhe përfaqësim politik.
Për këtë në kërkojmë nga ju reflektimin konkret që konsiston në:
1-Përcaktimi zyrtar e publik i ideologjisë dhe filozofisë suaj politike në linjën antikomuniste e konservatore.
2- Përfshirja në programin tuaj politik të dekomunistizimit të Shqipërisë, lustarcionit, dënimin e krimeve të komunizmit dhe autorëve te tyre, rishkrimit të historisë etj.
3- Dekomunistizimi të fillojë nga vetë PD-ja. Së pari duhet të kërkoni nga Autoriteti i mbi Informimin e Dosjeve të ish -Sigurimit të Shtetit verifikimin e të gjithë përfaqësuesve tuaj politikë e elektoralë nga qendra në bazë. Drejtues të lartë të PD-së, anëtarë të kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, deputetë, kryetarë të degëve në rrethe etj.
4 – Të verifikoni e të largoni nga strukturat drejtuese të PD-së në qendër e bazë të të gjithë pjesëmarrësve në krimet e komunizmit dhe pinjollëve të autorëve të këtyre krimeve. Është e pa pranueshme nga na jonë të na paraqiten si alternativa përfaqësuese politike e elektorale autorë të krimeve komuniste apo pinjollë gjenetikë të tyre.
5-Të garantoni në bashkëpunim me ne përfaqësimin në raport të drejtë me mbështetjen që antikomunistët e përndjekur i japin PD-së në strukturat drejtuese të saj si dhe në përfaqësimin elektoral në zgjedhjet politike dhe ato vendore. Konsultimi me ne i përcaktimit të përfaqësuesve tanë politikë e elektoral në siglën e PD është një kërkesë e një kusht me rëndësi jetike nga ana jonë.
6- Përfshirja në programin politik e ekonomik të PD-së i ndryshimit të ligjit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë në të gjitha aspektet, pasi në ligjin aktual me mijëra të pushkatuar, burgosur e të internuar politikë përjashtohen, si dhe përcaktimi i një afati kohor për shlyerjen përfundimtare të tij.
7-Përfshirja në programin tuaj politik e ekonomik të kthimit dhe kompensimit sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të pronave tek pronarët legjitimë si një e drejtë themelore e njeriut e dhunuar fatkeqësisht edhe gjatë qeverisjeve së PD-së.
8-Përfshirja në programin tuaj e masave për integrimin shoqëror e ekonomik të të përndjekurve politikë.
Z. Kryetar!
Këto që kam renditur më lartë janë kërkesat e kushtet tona në këtë memorandum mirëkuptimi që ne ju propozojmë ju si një mundësi për të normalizuar marrëdhënien e padrejtë midis nesh

gjë që do të justifikojë edhe mbështetjen e mëtejshme, nëse e dëshironi ende, të të përndjekurve antikomunistë për PD-në dhe Ju personalisht.
Ju garantojmë vullnetin tonë të mirë në këtë memorandum mirëkuptimi që ju ofrojmë si baza e sinqertë e një marrëdhënie të re, më të drejtë dhe më të ndershme midis nesh. Mirëkuptimi dhe plotësimi nga ana juaj i kërkesave tona mendoj se na shërben në të njëjtën masë të dy palëve pasi PD mund të bëhet një alternativë politike e besueshme vetëm duke përfaqësuar të djathtën reale shqiptare gjë që deri tani nuk ka arritur ta bëjë dot.
Si përfundim dua të theksoj se ne jemi të vendosur të realizojmë një raport të drejtë me përfaqësimin tonë politike dhe me PD apo jo, do te bëjmë ç’është e mundur ta arrijmë atë. Në thelb të këtij memorandumi qëndron një standard i qartë dhe i thjeshtë që Ju duhet te garantoni: Boll më! PD duhet ta meritojë mbështetjen tonë politike dhe elektorale!

Mbetemi në pritje të reagimit tuaj pozitiv.

Me respekt
Kryetari
Nebil Çika