Analiza / Largimi i Ramës është punë! Kush do ta bëjë?

Nga Ermal Ngjelina
Ja më në fund edhe Glover e OSBE-së u shpreh qartë. Nuk më zhgënjeu aspak. Foli shumë dhe tha gjithsej hiç, asgjë. Tipa si Glover ndaj janë në pozicionin e punës që i njohim sepse përmbushin kushtin primar të punës: që të mos thonë asgjë.
Por ky nuk është problem i Glover dhe as i punëdhënësve të saj. Ky është problem ynë, i shqiptarëve.
Të gjithë ne që jemi në kulmin e piramidës, bëmë pushim gjithë paraditen dhe vendosëm të shprehemi pasi të fliste Ajo, The Almighty.
Ajo sot, prishi botën virtuale që krijuam në mbrëmjen e kaluar të bazuar në wishful thinking tonë kur u deklarua se Ed Rama kishte djersë.
Shumcia e mbështetësve të opozitës vijojnë të njëjtin refren duke mos hequr dorën nga virtualiteti.
Mund të justifikoj deri në një pikë atë që është në kulm të piramidës sepse i duhet të mbajë të karikuar mbështetësit. Ne të tjerët jemi të pajustifikuar nëse nuk themi të vërtetën.
E vërteta është që Edi Rama është Kryeministri. Glover nuk e largon. As hartimet si në klasë të 5 që bënim për shokun Enver, partinë apo natyrën nuk e largojnë nga timoni i këtij vendi.
Edi Rama do pranojë të gjitha vërejtjet që Ajo paraqiti në konferencë për shtyp. Edi Rama do sakrifikojë këdo prej Rilindasve që është kapur duke bërë shkelje ligjore gjatë procesit të 30 qershorit.
Festa e opozitës është e pajsutifikuar. Largimi i Ramës është punë. Është një punë si të gjitha punët e tjera. Banakieri ka ambient me kushte të caktuara dhe një procedurë se si e bën kafen. Kamarieri ka tjetër procedurë dhe kushte që shërben kafen. Kushte të punës dhe procedurë kanë të gjitha profesionet.
Punën e largimit të Ramës kush do ta bëjë? Si?
Deri më tani këtë detyrë pretendon se do ta bëjë opozita. Por opozita në vlerësimin tim i ka konsumuar të gjitha instrumentat. Së pari konsumoi instrumentat brënda sistemit/parlamentit. Pastaj konsumoi edhe instrumentat që kishte në dispozicion jashtë parlamentit; protestat dhe qartësimin e ndriçimin e njerëzve.
Deri në 30 qershor këtë punë opozita e bëri mirë, sepse me të vërtetë populli bëri gjithçka që opozita i tha të bënte; bojkotoi votimet pa dhunë si asnjëherë në historinë moderne të Shqipërisë.
Pra, nëse unë do isha punëdhënësi i opozitës dhe opozita do ishte punëtori im, për punën që bëri deri në 30 qershor jo vetëm që do i jepja pagën por do ta shpërbleja me bonus financiar.
Tashmë në rolin e punëdhënësit unë, dhe kushdo tjetër, vlerësoj se largimin i Edi Ramës, nga faktorë të brendshëm shqiptarë, dhe jo për shkaqe madhore, mund të bëhet vetëm me amendamentin e dytë.
Por amendamenti i dytë është punë që e bën populli dhe jo opozita, prandaj skam asnjë motiv pse ti jap rrogë dhe bonus opozitës. Apo jo?
Për më tepër amendamenti i dytë për mua sjell anarki dhe efekte anësore që më dëmtojnë biznesin, kështu që nuk paguaj asnjë që do më ofrohet për amendamentin e dytë.
Ajo çka vë re është fakti që pushteti i Ramës buron jashtë kufijve të Shqipërisë. Edhe dobësia e opozitës jashtë kufijve shqiptarë buron, në vlerësimin tim.
Pra nëse qeveria është në këmbë sepse opozita ka probleme me partnerët, është detyrë e opozitës që tani të jetë e hapur dhe e sinqertë. Të tregojë të vërtetën se çfarë kanë partnerët kundër opozitës.
Opozita duhet të jetë e sigurt se, nëse do jetë e sinqertë në shprehjen e të vërtetës (për raportin e prishur me partnerët e huaj) do të gjejë mbështetje të pakufizuar nga populli dhe populli do ti japë kohën e nevojshme për të modifikuar sjelljen që ka çuar në këtë raport të dobët me partnerët e huaj.
Opozita duhet të ketë të qartë se edhe partnerët e huaj nuk janë bllok të bashkuar. Janë edhe ata të përçarë dhe me axhenda krejt konfliktuale me njëra tjetrën.
Pra opozita duhet të pranojë që Rama nuk iku (femija në muajin e 8). Pasi të përfundojë procesin e pranimit (procesi i zisë) do kuptojë se nuk është koha për festë por për punë. Dhe punë për opozitën është modifikimi i sjelljes dhe qëndrimit që ka mbajtur deri më sot ndaj pratnerëve, duke nisur nga tituli i librit që thotë: “si të identifikoj se kush është aleati im jashtë Shqipërisë”. Të tjerat i di vetë opozita nuk ka nevojë ti lexojë këtu.
Ndërkohë populli dhe opozita duhet të kënë të qartë se kryeministri dhe ata që e mbështesin atë, nuk rrinë kot. Ata kanë në dorë të gjitha instrumentet dhe nuk humbasin asnjë sekondë në zbatimin pikë për pikë të axhendës që kanë.
Këtë do ta dëshmojmë pas pak ditësh kur askush nuk do jetë i aftë të ndalë largimin nga zyra (qoftë edhe përdhunshëm) të të gjithë heronjve opozitarë drejtues të bashkive që arritën të përballojnë presionin e një axhende që parashikonte për realizimin e saj deri edhe dhunën.