Analiza / Ferma e Edi Ramës

Nga Agim Popoci
“Animal Farm” e kujtojnë lexuesit e devotshëm, emigranti francez si frankofon që është mund ta ketë me shumë ëndje si “Union des républiques socialistes anomales”, por për dallim nga George Orwell i cili me vetëdije u mundua të bashkoj politikën dhe artin në një vepër të vetme, Edi Rama me vetëdije u mundua dhe bashkoi politikën dhe artin duke krijuar një fatkeqësi të madhe shqiptare, që shkatërroi dhe qenien e kombit me atë që tashmë njihet si “Ferma e Edi Ramës”.
Komisari i vjetër kur e kuptoi se kishte ardhur koha të spostohej, i thirri kafshët e tij që komunizmi i kishte krijuar për një gjysmë shekulli, i kritikoi, i quajti parazitë, dhe filloi t’u mësoj këngën “Kafshët Socialiste Shqiptare”.
Dy derrat e ri, Avni Rustemi dhe Skënderbeu, që njërin e solli nga kullotat e FRESSH-it dhe tjetrin nga kanalet e Senës, me të ardhur në pushtet menduan se kishte ardhur koha për kryengritje. Vërtetë e bënë një gjë të tillë dhe e larguan nga ferma, pronarin e papërgjegjshëm dhe pijanec, Ali Pashën, duke e pagëzuar “Ferma e kafshëve socialiste shqiptare”. Njëri në krye të Qeverisë dhe tjetri në krye të Bashkisë së Tiranës, miratojnë disa urdhra ku në krye të herës është më i rëndësishmi:
“Të gjitha kafshët janë të barabarta!”
Avni Rustemi i mëson kafshët që të lexojnë dhe shkruajnë ndërsa Skënderbeu me parimet e kafshërisë. Ushqim kishte me bollëk dhe ferma në fillim të viteve 2000 po funksiononte ashtu siç duhej. Derrat fillojnë të emërohen në poste të ndryshme dhe u krijohet mundësia të ndajnë ushqime edhe për veten e tyre, në emër të shëndetit dhe familjes.
Pas një kohe, një grup njerëzish sulmojnë fermën. Ali Pasha bashkohet me ca fermerë të tjerë dhe sulmojnë fermën që kanë frikë nga kryengritje të ngjashme, në përpjekje për të kthyer fermën nën kontroll. Bëhet një rrëmujë në KPD, Avni Rustemi kishte ndihmën e Skënderbeut, por ndërkohë studion taktikat e Jul Çezarit dhe tërhiqet me kafshët e tij deri në momentin e duhur.
Popullariteti i Avni Rustemit rritet dukshëm ndër kafshë dhe ndonëse krijon një stan të ri, beteja për udhëheqjen e fermës vazhdon. Pasi Avniu publikon një lëvizje për mendimin ndryshe, Skënderbeu fillon betejën me qentë e tij që ta largojnë nga ferma, dhe pas pak kohësh ai bëhet edhe udhëheqës i Fermës së kafshëve që shumë shpejt do të pagëzohet “Ripjellje”.
Skënderbeu fillon të bëjë ndryshime në strukturën e fermës, dhe kur asnjëri nuk po e kuptonte se pse mbante emrin e heroit kombëtar, ngeli enigmë deri në sqarimin që bëri Mamica. Gjithsesi, Skënderbeu, KPD-në e bërë telef e zëvendësoi me Asamble të cilën gjithashtu vazhduan ta drejtojnë derrat ndonëse po menaxhonin një fermë me dele.
Skënderbeu me ndihmën e derrit të ri, Lalit, i cili kishte merita të mëdha në largimin e Ali Pashës, arrin të bindë kafshët tjera se “Ripjellja” është ide e tij, dhe kafshët fillojnë të punojnë tashmë të bindur dhe krenar se do ta kenë shumë më të lehtë se sa të jenë fermë e punës ose fermë socialiste me shpresën se një do të menaxhojnë edhe Kooperativën.
Pas disa viteve, me përfundimin e zgjedhjeve të vitit 2009, kur kafshët konstatojnë se “Ripjellja” ka rënë për toke, Skënderbeu dhe Lali arrijnë të bindin kafshët tjera se këtë e ka bërë Avni Rustemi për sabotim. Pasi Avniu bëhet kurban, Skënderbeu fillon spastrimin e fermës me ndihmën e qenve, duke vrarë të gjitha kafshët dhe duke i akuzuar se po bëjnë marrëveshje me armikun.
Kur disa kafshë filluan të kujtojnë betejën në KPD, Skënderbeu arrin të bindë kafshët tjera se Avni Rustemi ka bashkëpunuar me Ali Pashën, dhe po modifikon rolin e tij duke u hpallur si hero i madh i betejës. Kënga “Kafshët Shqiptare” ndryshon me “Skënderbeu i Spiropalit” e cila vazhdon të rrisë madhështinë e Skënderbeut, për të cilën filluan të besojnë se ka filluar të përvetësoj mënyrën e jetesës së njeriut. Dhe, vazhdojnë të besojnë se kështu e kanë më mirë se sa kur ferma ishte pronë e Ali Pashës. Madje shumë më mirë edhe kur Kooperativa menaxhohej nga Ali Pasha!
Përkundër menaxhimit tashmë solid të fermës “Ripjellja” ajo nuk po arrinte të menaxhonte Kooperativën që po menaxhohej nga fermeri i fuqishëm, Doktori.
U përdor një fermer fqinj, Shkau, dhe arritën të bindin Avni Rustemin që ta minojnë këtë menaxhim të Kooperativës që për momentin quhej i paarritshëm. Sulmi i 21 Janarit tronditi themelet e Kooperativës edhe pse me çmim shumë të lartë. Por, me ndihmën e Oktapodhit dhe Lalit, Skënderbeu arriti që të vazhdojnë punën në mënyrë që arrihet deri tek menaxhimi i Kooperativës.
Menaxhimi i Kooperativës me Avni Rustemin shumë shpejtë filloi të krijoi pakënaqësi, Oktapodhi ndonëse kishte qenë ministër që nga koha e Komisarit të vjetëe, nuk po arrinte të amortizonte sjelljet e kafshëve të Avniut që filluan të sillen si njerëz.
Kështu Skënderbeu mori tepsinë e ushqimit, largoi nga tavolina Avniun me kafshët e tij dhe thirri derrat e tij para tepsisë së bollshme me ushqim dhe whisky.
Vitet kaluan, ferma “Ripjellja” po menaxhonte edhe gjithë Kooperativën me repartet përcjellëse, që ju mundësonte derrave mjaft të ardhura. Mirëpo, derrat harruan se vitet po kalojnë, stallat duhej modernizuar ashtu siç thoshte Avni Rrustemi bazuar në shumë gjëra që kishte mësuar nga Doktori, por, për Skënderbeun këto ishin në kundërshtim me kafshërinë.
Skënderbeu ashtu siç erdhi në krye të Kooperativës vazhdon të jetë i bindur se kafshët e lumtura jetojnë jetën e thjeshtë, nuk u ndërtoj asnjë metër rrugë, madje as atë Tiran-Elbasan që Doktori po e përfundonte.
Sot vërtetë Avniu u bë i pafuqishëm dhe nga frika e prangave vetëm sqaroi se pse ishte Avni Rustemi, Ali Pasha nuk është më ai pijaneci dhe i papërgjegjshmi, Oktapodhi vërtetë është në shërbimin e plotë të fermës “Ripjellja”, por halli i Skënderbeut është shumë më i madh. E gjithë tepsia me ushqim dhe whisky ndryshoi shumë gjëra. Derrat e “Ripjelljes” filluan ti ngjajnë njerëzve, po ecin në dy këmbë, filluan të veshën dhe të pajisen me salltanete tjera ndërsa shtatë urdhrat i bashkuan në një fjali të vetme:
“Të gjitha kafshët janë të ngjashme, por disa kafshë janë më të ngjashme se sa të tjerat!”.
Në përpjekje për krijuar një aleancë me fermat tjera ndonëse po menaxhon Kooperativën, Skënderbeu po mundohet që të modifikoj praktikat e “Ripjelljes” dhe traditat e revolucionit. Meqë pikëpamjet e kafshëve socialiste rrëshqasin nga derrat deri tek njeriu, dhe sërish nga njerëzit tek derrat, Skënderbeu ndërsa shikon veten në pasqyrë dhe të gjitha ata derra të cilëve u ka vu tepsinë përpara, ndonëse delet heshtin dhe nuk ankohen, nuk po mund të kuptojë më se kush është derr e kush njeri.

*Të gjitha emërtimet janë pjesë e realitetit të “Fermës së Edi Ramës”, disa prej të cilave janë vetëquajtur nga protagonistët e Fermës së “Kafshëve Socialiste Shqiptare”.