Amerika është kundër Berishës dhe na pëlqen apo jo,nuk kemi forcë për ta ndaluar.

Nga Indrit Vokshi

-Në kuptimin juridik kuvendi i pretenduar i 11 dhjetorit nuk ka prodhuar vendime detyruese për partinë, kjo sepse iniciativës me 1/4 i është këputur hallka e legjitimitetit në 11 nëntor kur firmat nuk u dorëzuan në kryesi, nuk u caktua komisioni i kuvendit sipas nenit 43 të statutit.
– Me 11 dhjetor ka pasur njerëz të cilët janë delegatë sipas statutit, miq, shokë e bashkëpunëtorë tanët. Mirëpo jeta politike e një partie zhvillohet brenda e konform partisë, si bashkëveprim e mirëbesim i organeve partiake, përndryshe do të mblidheshim tek rrapi shekullor e ta zgjidhnim atje.
– Edhe pse vendimet e marra me 11 dhjetor dhe si rrjedhojë edhe referendumi nuk kanë vlerë juridike, nuk mund të themi se Partia Demokratike nuk ka problem përçarjeje. Ka një problem politik.
– Kuvendi i nesërm me datë 18 e para shërben për të rrëzuar mitin se lidershipi i sotëm nuk mundet të mbushë një sallë e të organizojë kuvend legjitim me delegatë. E dyta është kuvend i shpalljes së afrimit dhe inkuadrimit të mëtejshëm të PD-së në formulën dhe rendin politik ballkanik që SHBA e NATO po riformulojnë në rajon.
– Lideri historik Sali Berisha dhe presidenti aktual Meta, me aksionet e tyre politike, duan të rinegociojnë rolin e mardhënien, duan të tregojnë se janë faktor politik e edhe me ata duhet të bëhet marrëveshje. (E drejta e tyre).
– Unë nuk kam ndryshuar mendim politikisht për Sali Berishën, për mua është ai që ka qenë (pavarësisht se nuk jam me aksionin e tij). Sot nuk mendoj se Sali Berisha dhe ndjekësit e tij quhen antiamerikanë e janë kundër Amerikës. Mendoj se Amerika është kundër Sali Berishës dhe kërkon të qarkullojë e riformojë elitat dhe tektonikën politike në Ballkan. Na pëlqen apo jo, nuk kemi ne forcë për tia korrektuar politikën e për ta ndaluar.