Ambasadorja tregon për telefonatën e Marcron me Ramën

Ambasadorja franceze në Tiranë, Christine Vasac, në vetëm një deklaratë të shkurtër për gazetarët nga Korça ka shpërndarë disa mesazhe ‘të koduara’, për çështjen e krizës së thellë politike në Shqipëri.
Duke i mëshuar faktit të domosdoshmërisë së një marrëveshje mes palëve brenda vendit, ajo ka paralajmëruar gjithashtu se deri në muajin Tetor mund të ndodhin shumë gjëra. Duket se periudha e pas 30 qershorit, kur Rama zhvilloi zgjedhje mono-partiake, nuk do të jetë edhe aq e qetë dhe normale siç po përpiqet ta paraqesë dhe ta kalojë Edi Rama.
Diplomatja gjithashtu ka zbuluar për herë të parë, edhe zhvillimin e një bisede telefonike mes presidentit francez Emanuel Macron dhe kryeministrit Rama, por pa dhënë detaje për temën që mund të kenë folur.
Kujtojmë se edhe pse presidenti Macron ka pasur në plan që të vizitojë Tiranën, pas anulimit që i bëri vizitës në dhjetor të vitit të shkuar, ai sërish e anashkaloi Shqipërinë edhe pse vizitoi së fundmi Beogradin. Franca është një nga vendet më skeptike ndaj qeverisë Shqiptare dhe është pozicionuar hapur kundër hapjes së negociatave me vendin tonë, edhe këtë Tetor.
‘Deri në tetor mund të ndodhin shumë gjëra. Populli të jetë i qartë, nëse është gati. Para 3 ditësh presidenti Macron ka folur në telefon me Kryeministrin Rama. Për Francën asgjë nuk është mbyllur’, deklaroi ambasadorja franceze nga Korça.