Ambasada amerikane reagon për Ditën e Rinisë: Qëndrojmë krah jush teksa përqafoni të ardhmen

 

Ambasada amerikane në Tiranë ka nderuar të rinjtë shqiptarë që 31 vite më parë dolën në protesta në të gjithë vendin, duke shënuar fundin e diktaturës komuniste në vendin tonë.

Ambasada e SHBA-ve thotë se të rinjtë kërkuan fundin e komunizmit, dhe fillimin e një epoke të re lirie, duke e bërë Shqipërinë si ”gjithë Europa”.

Në postimin e ambasadës thuhet se SHBA ndihet krenare që ka qëndruar asokohe në krah të popullit shqiptar, dhe do të vijojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

“Sot, ne nderojmë studentët guximtarë të cilët 31 vjet më parë protestuan sypatrembur kundër një prej regjimeve më mizore të Europës, duke kërkuar fundin e komunizmit dhe fillimin e një epoke të re lirie, pluralizmi, ekonomie tregu, lirie fetare dhe lirie të fjalës.

Ata kërkuan një Shqipëri “si gjithë Europa”. Ne jemi krenarë që kemi qëndruar në krah të popullit shqiptar atëherë dhe do të qëndrojmë krah tij ndërsa ata përqafojnë të ardhmen”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në rrjetet sociale.