AMANETI I MID’HAT ABDYL FRASHËRIT NUK PO PËRMBUSHET SI DETYRIM KOMBËTAR POR PËR PAZARE TË VOGLA

 

Nga Ilir Hysa, PhD

Të dashur miq!

Sot, 10 nëntor 2018, qeveria shqiptare po bën në Nju Jork një ceremoni për riatdhesimin në Shqipëri të Mid’hat Frashërit. Ndonëse ky akt përmbush amanetin e të madhit Lumo Skëndo, mënyra e marrjes së këtij njeriu të madh ka shumë që nuk shkon. Këtë ia kam bërë të qartë shtetit shqiptar prej kohësh por dua të ndaj me ju mesazhin tim publik drejtuar dje ambasadores së Shqipërisë në Uashington në të cilin sqaroj pse njerëz si unë do t’a bojkotojnë ceremoninë. Thënë shkurt, pinjollët e atyre që vranë poetët e bënë sa e sa të zeza të tjera nuk guxojnë të thonë: Koha i dha të drejtë Mid’hat Frashërit. Faleminderit për vëmendjen!

AMANETI I MID’HAT ABDYL FRASHËRIT NUK PO PËRMBUSHET SI DETYRIM KOMBËTAR POR PËR PAZARE TË VOGLA

Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Floreta FABER
Ambassador
Embassy of the Republic of Albania
2100 S Street, NW
Washington DC 20008
Tel. (202) 223 4942
Fax. (202) 628 7342
Twitter. @Floreta.Faber
Instagram. Floreta.Faber
Facebook. Floreta Luli-Faber
Email. [email protected]

E nderuara Znj. Ambasadore!

Edhe një herë dua t’ju falenderoj për kohën tuaj. Pas disa shkëmbimeve privatisht, kësaj here, ndërkohë që mbeten vetëm pak orë nga riatdhesimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit, po ju drejtohem publikisht.

Sikurse ju patët premtuar, janë publikuar tashmë detajet e shumëpritura të ceremonisë së riatdhesimit të burrit të shquar të kombit shqiptar Mid’hat Abdyl Frashëri nga Nju Jorku. Që nga dita që ju publikuat lajmërimin e parë zyrtar, jam munduar t’a lexoj çdo fjalë të thënë në komunikimet tuaja publike dhe në ato me mua privatisht me dashamirësi, me kujdesin që meriton një temë e tillë.

Kam qenë skeptik mbi motivet e vërteta të riatdhesimit ndaj vazhdimisht kam pyetur veten: Pse e gjithë ajo çfarë është thënë dhe po bëhet më le shije jo të mirë? Në përfundim, u binda se ka një hendek të madh ndërmjet retorikës së përdorur dhe asaj që po ndodh realisht. Edhe kësaj here, sikurse edhe herë të tjera, shteti shqiptar nuk u tregua serioz. Makineria shtetërore rekrutoi individë në atdhe dhe këtu në komunitetin shqiptaro-amerikan, për t’i përdorur si figurantë por edhe si oratorë, pavarësisht nëse ato që thonë kanë ndonjë kuptim apo jo. Jemi mësuar me vulgaritete e gjepura ne. I kemi parë të gjitha. Kemi parë edhe shkrimtarë të realizmit socialist dhe rapsodë që i kënduan Enver Hoxhës me gjithë forcën e shpirtit të japin leksione rreth Fishtës, Konicës dhe çeshtjes së rëndësishme të bashkimit kombëtar. Mos e pyet!

Por le të kthehemi tek tema kryesore. Detajet e aktivitetit të planifikuar për t’u mbajtur në 10 nëntor në Qendrën “Nënë Tereza” të Kishës Shqiptare “Zonja e Shkodrës” në Hartsdale, NY tregojnë se ju dhe qeveria që përfaqësoni ose nuk e njihni ose nuk doni të njihni as Mid’hat Frashërin dhe as komunitetin tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për më tepër, ironia më therëse është se pjesa më e madhe e atyre që do të mbushin sallën, madje edhe ata që do të mbajnë fjalime për Mid’hat Frashërin, nuk e dinë as kush është ky njeri dhe as ku i ka patur eshtrat për gati 70 vjet, ndonëse i përmalluari Lumo Skëndo ndodhet jo shumë larg nga kisha. Atje do të ketë edhe enveristë nga ish-Jugosllavia e Titos, nga ata që kujtuan këto ditë themelimin e Partisë Komuniste dhe flasin me pathos për kombin, pa ditur ç’ndodhi në Mukje. Por qeverive iu duhen turmat dhe ato nuk do të mungojnë edhe në këtë rast, duke i dhënë një aktiviteti të supozuar solemn gjithë ngjyrimet e folklorizmit primitiv që na karakterizon ne si popull.

Për më tej, një moment kaq solemn nuk po shërben si mundësi e forcimit të unitetit kombëtar. Komuniteti ynë e ka nuhatur se përtej retorikës, nuk ka asgjë tjetër. Sa vend zë Mid’hat Frashëri, ky firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë dhe kryetar i Kongresit të Manastirit në tekstet e sotme shkollore? Por çfarë mund të presësh nga një qeveri e cila përdor mediat për t’iu kujtuar shqiptarëve të mashtruar për dekada me radhë, sikur të mos mjaftonte skepticizmi i tyre, se ballistët vetëm hanin pula?! Çfarë institucioni publik, universitet apo tjetër, do të marrë emrin e Mid’hat Frashërit? Pra, fjalë dhe vetëm fjalë. Unë e të tjerë si unë besojmë se kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit nuk ka të bëjë me amanetin e tij për t’u prehur në atdhe por me pazare të vogla, nga ato që bëhen zakonisht në Shqipërinë tonë të gjorë. Pazare të tilla i kemi parë të marrin herë formën e ndryshimit për 24 orë të kushtetutës dhe herë të përfundojnë me eleminimin fizik të atyre që “prishin punë”. Pra, Shqipëria e dogmës së djeshme dhe e korrupsionit të sotëm nuk është përgatitur për të pritur Mid’hat Frashërin e madh. Në një atmosferë të tillë, unë druhem se Lumo Skëndoja ynë do të përdhoset nga një opinion i painformuar dhe madje i keqinformuar. Ajo do të ishte vdekja e tij e dytë. Kush do mbante përgjegjësi në një rast të tillë?

Këto janë arsyet pse një pjesë e komunitetit shqiptar nxitoi t’ia bëjë nderimet Mid’hat Frashërit para shfaqjes së turpshme teatrale të së shtunës që organizon qeveria shqiptare. Kjo është arsyeja pse Federata Panshqiptare Vatra i bëri nderimet e saj për të mos u bërë pjesë e një akti teatral. Kuptojeni si të doni por kjo tregon se komuniteti shqiptar i atyre që e njohin dhe e kanë përkujtuar Mid’hat Frashërin në përvjetorë lindjeje e vdekjeje po e bojkoton ceremoninë tuaj. Pata thënë në një komunikim me ju para disa javëve se nuk mjafton që Mid’hat Frashërit ti kthehen vetëm eshtrat, ai duhet të përqafohet nga një komb borxhli ndaj këtij shërbestari të përulur. Pata thënë se historia po ju sheh, dhe ju u dakordsuat me mua se ky është një moment historik i cili shkon përtej riatdhesimit të një grushti eshtrash. Por ndërkohë, përtej thirrjes tuaj formale për pjesëmarrje të komunitetit shqiptaro-amerikan në përcjelljen e Mid’hat Frashërit, ju asnjëherë nuk iu përgjigjët pyetjes se çfarë përfaqëson ky kthim i këtij iluministi të madh për Shqipërinë. Sigurisht që, sipas qeverisë që ju përfaqësoni, jo shumë. Sepse roli i shtetit shqiptar në ndriçimin e historisë ka qenë herë neutral dhe herë regresiv. Mediat dhe historianët afër qeverisë vazhdojnë të vjellin vrer për “kolaboracionistin” dhe shteti shqiptar ende mban si version zyrtar të historisë atë të historianit të regjimit të vjetër Pëllumb Xhufi e të tjerëve si ai. Të denigrosh ata që farkëtuan identitetin tënd, ata që mundësuan alfabetin që përdor pa farë përgjegjësie sot, është blasfemi.

Çfarë mallkimi! Mjerë ne që nuk mësuam kurrë!

Mjerë edhe Mid’hat Frashëri që po le qetësinë gati 70 vjeçare në lëndinën e gjelbërt të varrezave Ferncliff në Nju Jork për t’iu bashkuar moçalit të Tiranës, atje ku ende vjellin vrer! Vjellin vrer ndaj njeriut që iu tregoi rrugën mes errësirës, njeriut me largpamësi profetike që n’a doli borxhit për të gjitha të zezat që do të n’a vinin…

Mjerë Shqipëria që nuk mori vesh se kush janë shërbëtorët e saj të vërtetë dhe kush janë zhvatësit e saj të pangopur për mall e gjë!

E megjithatë, unë jam optimist. Kjo sepse kauzat nuk njohin moshë dhe e vërteta është e magjishme. Me gjithë represionin institucional, ajo gjen rrugën e del sheshit, siç doli sheshit e vërteta e “imperialistëve amerikanë” të cilët nuk paskan qenë armiku ynë por shpresa jonë e madhe, ndoshta e vetme. Koha i dha të drejtë Mid’hat Frashërit, por ju nuk keni guximin t’a shqiptoni këtë fjali, sepse pas saj fshihen ata që ekzekutonin poetët, ndaj pinjollët vetëm heshtin.

Sinqerisht,
Ilir Hysa, PhD
Sh.B.A., 9 nëntor 2018