ALIBEAJ: TAHIRI GËNJEU. POLICA E SIGURIMIT PROVON LIDHJEN E TIJ ME HABILAJT, PROVË E MJAFTUESHME PËR ARRESTIMIN E TIJ

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, dorëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kopjen origjinale të policës ndërkombëtare të sigurimit për Audin AA 003 GB, që fakton se Tahiri dhe Habilaj janë bashkëpërdorues të makinës dhe provë e qartë e lidhjes mes tyre. Z. Alibeaj kërkoi nga Prokuroria që të hetojë dhe verifikojë këtë dokument i cili është i mjaftueshëm për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Sajmir Tahirit.

Deklarata e plotë e deputetit Enkelejd Alibeaj:

Në cilësinë e deputetit, anëtar i Komisionit të Ligjeve, anëtar i Këshillit të Rregulloreve dhe si një qytetar që ndjen detyrimin për të ndihmuar drejtësinë, u paraqita sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për të depozituar disa dokumente lidhur me çështjen penale të hetimit, tashmë të njohur të bandës Habilajve- Tahiri. Sot, kam depozituar një dokument i cili fakton qartësisht, si drita e diellit, bashkëpunimin midis Saimir Tahirit, apo ish-ministrit i Brendshëm me një prej anëtarëve të bandës, Artan Habilaj. Dhe bëhet fjalë për një dokument, Polica e Sigurimit, të makinës të njohur tashmë, narko makinës, Audi AA003GB. Policë sigurimi, e cila tregon në përmbajtjen e saj dy emra, dy emra të përdoruesve të saj, Saimri Tahiri dhe Artan Habilaj, që tregon mbi të gjitha faktin e bashkëpunimit apo bashkë përdorimit të kësaj makine. Makinë e cila është përdorur si imunitet për trafikun e lëndëve narkotike brenda dhe jashtë vendit. Interesant është fakti, që ky dokument, polica e sigurimit, mban datën, është lidhur me 2 prill të 2015-ës me një kohëzgjatje deri në 1 prill të 2016-ës. Pra, një periudhë e cila shkon përtej datave dhe kohës së cilës u diskutua në Këshillin e Mandateve që pretendohej se bashkëpunimi midis tyre të kishte ndodhur diku vetëm në vitin 2014. Ky dokument tregon bashkëpunimin e vazhdueshëm, të një periudhë përtej, nga prilli i 2015-ës deri në prill të 2016-ës. Kohë në të cilën, siç besoj publiku e mban mend dhe ju e dini, kohë kur edhe Dritan Zagani bëri denoncimin e tij, ku edhe opozita në tetor të 2015-ës bëri denoncimet e saj lidhur me këtë marrëveshje, me këtë bashkë përdorim, me këtë aleancë midis ish-ministrit të Brendshëm edhe bandës së Habilajve. Që tregon faktin se Saimir Tahiri ka gënjyer për mospasjen e kurrfarë lidhjeje me bandën e Habiljave. Nga dokumenti i cili e tregon qartësisht që ndajnë marrëdhënie besimi reciprok dhe të vazhdueshëm e të shtrirë në kohë. Jo vetëm kaq, por edhe të dhëna të nxjerra nga media, para disa ditësh, dëshmia e shoferit të ministrit të Brendshëm, i cili tregoi se, takimet marrëdhëniet e Artan Habilajt me Sajmir Tahirin kanë vazhduar përtej asaj periudhe për të cilën u diskutua në Këshillin e Mandateve, përtej vitit 2014. Të gjitha këto dokumenta, të gjitha këto të dhëna tregojnë fraktin se Sajmir Tahiri ka gënjyer, tregon faktin akoma më të rëndësishëm, të angazhimit total të Edi Ramës, i cili ndodhet sot në një makth të tmerrshëm, për të penguar dhe mbyllur hetimin. Ndaj jam sot këtu, për të inkurajuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda, sistemin e drejtësisë në tërësi, që të hetojë dhe verifikojë këtë dokument, këto të dhëna me përparësi dhe një orë e më parë të paraqesë kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Sajmir Tahirit. Kjo është detyrë jo vetëm e një deputeti, por është detyrë e çdo qytetari i cili kërkon të bëhet drejtësi për këto që po ndodhin.