Alibeaj: Publikimi i pagave, skemë e qartë e përpunimit të të dhënave për të intimiduar njerëzit, shteti ka rënë

Nënkryetari i PD-së Enkelejd Alibeaj i ftuar në emisionin ‘Frontline’ në ‘News24’ foli për rrjedhjen e databasës me pagat e qytetarëve të cilat u bënë publike.

Alibeaj u shpreh se këto të dhëna duhet të mbrohen fort nga qeveria , pasi detyra e shtetit është të mbrojë individin, ndërsa shtoi se me këto skandale këtij vendi po i bëhet gjëma më e madhe.

Për Alibeajn, rrjedhja e këtyre të dhënave nuk mund të quhet një incident, ndërsa kujtoji edhe rastin me patronazhistët, duke shtuar se praktikisht me këto skandale shteti i cili duhet të siguronte mbrojtje, ka rënë.

“U njoha përmes Watssap. Pata një ndjesi që isha duke prekur diçka të paligjshme, pasi sipas Kushtetutës këto të dhëna do duhet të mbrohen fort, sidomos nga qeveria. Por fakti që shpërndahen në masë kaq të madhe tregon diçka tjetër. Pra shteti ekziston për të mbrojtur individin…Pra serioziteti i shtetit matet me këtë sjellje ndaj ruajtjesh dhe në situata të tilla shohim se një gjëmë e madhe i ka rënë këtij vendi. Dhe kjo është situata e dytë e pas atyre të patronazhistëve”, u shpreh Alibeaj.

Kush na i spiunoi xhepat?

Alibeaj: Kjo është një nga pyetjet që mund të shtrohet. Më e rëndë është ndjesia e të qenit i pambrojtur. Kjo nuk ka të bëjë me paaftësinë. Kjo mund të ishte një ndjesi e parë, por është krijuar një legjislacion i madh lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale. U krijua madje edhe një institucion përkatës, Komisioneri dhe i trajnuar po ashtu me qëllim mbrojtjen e këtyre të dhënave. Pra nuk do ta quaja incident. Ky nuk është i pari, sepse e kemi edhe disa muaj më parë. Pra një skemë e qartë e mbledhje, përpunimit të këtyre të dhënave të përdorura madje nga shteti për një qëllim pra ai i zgjedhjeve. Motivi për t’i përdorur ndaj njerëzve, për t’i intimiduar. Nuk di të them se sa të dhëna të tjera…deri edhe tek orientimi politik që e pamë tek patronazhistët. Pra praktikisht këtu ka rënë shteti. Si ka mundësi të dhënat e patronazhistëve ishin marrë nga shteti dhe përdorur nga partia në pushtet? Kjo ishte drama e madhe shkrirja në një e shtetit me partinë. Nga të dhënat që i dispononte Partia Socialiste , tani i disponojnë të gjithë.”, tha më tej Alibeaj.