Alibeaj: Lirimi i 4 të akuzuarve për nxjerrjen e të dhënave është mbrojtja e Edi Ramës për skemën e patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve

Partia Demokratike deklaroi sot se lirimi i 4 të akuzuarve për nxjerrjen e të dhënave është mbrojtja e Edi Ramës për skemën e patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve. Nënkryetari i PD Enkelejd Alibeaj tha se vendimi tregon se segmente të drejtësisë mbeten nën ndikimin direkt të Edi Ramës dhe i shërbejnë pushtetit të tij të vjedhur.

Ai u shpreh se është dëshmi e qartë se autorët e publikimit të të dhënave, përfshirë dhe atë të patronazhistëve janë kryeministri dhe vartësit e tij. Sipas Alibeajt, të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u vodhën për të vjedhur zgjedhjet

DEKLARATË E NËNKRYETARIT TË PD ENKELEJD ALIBEAJ
Vendimi i sotëm i gjykatës për të liruar 4 personat e akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personale të shqiptarëve është dëshmi e qartë se Edi Rama po mbron krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve. Është gjithashtu e qartë, se vendimi tregon se segmente të drejtësisë mbeten nen ndikimin direkt të Edi Ramës dhe i shërbejnë pushtetit të tij të vjedhur.

Vendimi i sotëm, në thelb, vulos me pafajësi një nga krimet më të mëdha të Edi Ramës në lidhje me zgjedhjet dhe një nga skandalet me të mëdha të kësaj qeverie në lidhje me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave personale të qindra mijëra shqiptarëve.

Vendimi i sotëm i gjykatës është dëshmi e qarte se autoret e publikimit të të dhënave, përfshirë dhe atë të patronazhistëve janë kryeministri dhe vartësit e tij. Nuk ka asnjë shpjegim juridik apo logjike normale që të justifikojë gjykimin në gjendje të lirë për 4 personat që kryen krimin, i cili i ka shërbyer para së gjithash, Edi Ramës.

Të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u vodhën për të vjedhur zgjedhjet! Ato janë pjesë e skemës kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit, në shërbim të pushtetit personal të një njeriu të vetëm, Edi Ramës.

Që në fillim të shpërthimit të skandalit, Edi Rama u përpoq ta zvogëlojë përmasën e skandalit, ndërsa sot, me tentakulat e tij në sistemin e drejtësisë, doli hapur dhe liroi 4 personat, që akuzohen zyrtarisht për publikimin e të dhënave.

Shqiptarët e kanë të qartë se krim nuk është vetëm publikimi i të dhënave! Krim është mbledhja e këtyre të dhënave që prekin sigurinë e qytetarëve për qëllime elektorale.

Partia Demokratike dënon ndërhyrjen flagrante te Edi Ramës në vendimin për të liruar vartësit e tij dhe për të mos i shkuar deri në fund skemës kriminale të patronazhimit përmes vjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve.

Me taksat e tyre, shqiptarët kanë paguar në 8 vjet qeverisje të Edi Ramës, 160 milionë euro me qëllimin e vetëm që të dhënat e tyre të jenë të sigurta.

Me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka asgjë të sigurt: as vota nuk është e sigurt, as puna, as siguria në familje. Një kryeministër që keqpërdor dhe tradhton qytetarët për pushtetin e vet personal duhet të ishte sot para drejtësisë!