Alibeaj – Gjonajt : Nezar Seiti u ekstradua se do të fliste për Saimir Tahirin

Deputeti demokrat Enkelej Alibeaj i kërkoi Ministres së Drejtësisë të mbajë përgjegjësi për ekstradimin e jashtëligjshëm të Nezar Seitit.

Nga foltorja e Kuvendit ku parashtroi kërkesën për interpelancë me Gjonaj, Alibeaj tha se Nezar Seiti u degdis në Itali pasi ishte e vetmja gojë që mund të fliste lidhur me bandën Tahiri-Habilal.

Enkelejd Alibeaj: Një javë më parë kryetari i grupit parlamentar Edmond Spaho kërkoi të fliste për skandalin më të madh gjyqësor dhe politik të 27 viteve. Rama dhe Ruçi i hoqën fjalën për ti mbyllur gojën opozitës për të dëgjuar një histori me hajdutë dhe kriminelë që do ta dëgjoni sot. Ministrja e Drejtësisë ka ekstraduar në Itali Nezar Seitaj, një person të mbërthyer dhe hetuar nga drejtësia shqiptare, një peshk të madh të rënë në rrjetën e saj. Ligji ndalon këdo, edhe Ministrin e Drejtësisë të ekstradojë një shtetas shqiptar kur prokuroria shqiptare ka hapur një çështje hetimore. Seiti është pjesë kryesore e bandës Tahiri-Habilaj, bandë kriminale që hetohet nga prokuroria shqiptare prej 2016.

Bandë kriminale kjo për të cilën prokuroria në 19 tetor 2017 e arrestoi pasi sekuestroi 4 tonë drogë në Babaicë të Vlorës. Prej 19 tetorit, Nezar Seiti mbahej në burgun 313 administrator dhe magazinier i të cilit është Ministria e Drejtësisë. Deri atë ditë nuk kishte as urdhër kërkimi ndërkombëtrar dhe as kërkesë ekstradimi nga Italia.Ditë më pas, autoriteteve italiane dikush u ka përshpëritur në vesh se në Shqipëri ishte arrestuar Nezar Seiti, dikush që mesa duket kishte thurur planin për ta larguar nga dora pataten e nxehtë Nezar Seiti, dora vetë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Vuri në zbatim skemën për ta degdisur larg drejtësisë shqiptare Nezar Seitin. Pala italiane shprehu qëllimin për ekstradim.Ministria e Drejtësisë dhe jo vetëm kishe detyrimin që në këtë moment të parë nëse kishte pengesë të ndalonte ekstradimin, nuk e bëri.

Kërkesa zyrtare për ekstradim erdhi në tryezë të Ministrisë së Drejtësisë me 30 nëntor 2017. Para se ta përcillte në prokurori të përgjithshme për vijim të ekstradimit, ligji detyron Ministrinë e Drejësisë të bënte verifikimin nëse kishte pengesë apo jo, nuk e bëri për herë të dytë.Prokuroria e përgjithshme me10 janar 2018 i kthen mbrapsht dokumentacionin.Ministria e Drejtësisë pretendon se është ajo që nuk e njoftoi që nuk kishte pengesë ekstradimi. Mundet.Por Ministrja kishte detyrimin ligjor për të verifikuar për llogari të vetë pavarësisht prokurorisë së përgjithshme ekzistencën ose jo të pengesave. Ishte kjo mundësia e tretë dhe për tretën herë nuk e zbatoi ligjin. Ministria e Drejtësië është vetëm 500 m larg nga burgu 313 ku mbahej Nezar Seiti për llogari të krimeve të rënda, nga dritarja e Ministrisë së Drejtësisë shihet godina e krimeve të rënda.

Ministria e Drejtësisë ka pasur disa dokumenta ku i ka nënshkruar me dorën e vet letërporositë e dërguara prej krimeve të rënda drejt Italisë për llogari të hetimit që bënte për Nezar Setin. Zgjodhi të shkelë ligjin, miratoi me ngut, me shpejtësi, brenda 24 orëve, në 11 janar finalizoi skemën e planifikuar nga Ministri i Brendshëm. Zonja Ministre, Nezar Seitin e degdise vërtet në shkelje të ligjit, por motivet i le këtu, të dokumentuara madje.

Po kush ishte Nezar Seiti, çfarë dinte ai që nuk duhet të fliste para drejtësisë shqiptare, kë do të përfshinte ai nëse do të fliste?

Ishte i vetmi anëtar i bandës i rënë në rrjetën e drejtësisë shqiptare, Habilajt në Itali, tre drejtues të lartë të policisë në arrati me ndihmën dhe mbrojtjen e Edi Ramës, Saimir Tahiri në Kuvend me imunitet mbrojtur nga Edi Rama. Nezari ishte e vetmja gojë që mund dhe do të fliste. Po çfarë do të fliste? Atë që mund të flasë financieri i bandës, për paratë. Gjurmo paratë për të gjetur kriminelin, 18 mijë euro të kaluar nga duart e Nezar Seitit për të blerë gjerdanë diamanti e byzylykë floriri për familjarët e Saimir Tahirit. Gjurmo 863 mijë eurot të kaluar nga duart e Seitit në ato të Saimir Tahirit që një panik për shkak të kontrollit ju gjetën në sediljen e pasme të Orest Sotës.

Gjurmo 20 milion eurot kaluar nga duart e Seitit në duart e Saimir Tahirit që Edi Rama të blejë zgjedhjet. Përgjimet italiane e thonë këtë gjë. Që të fliste Seiti dhe të gjurmoheshin paratë e krimit do të duhej që të ishte në dispozicion të drejtësisë shqiptare. Zonja Ministre në panik dhe dëshpërim ke thënë se Seitin e ke çuar në Itali jo me pushime por në duar të drejtësisë italiane, nuk qëndron alibia, ka më shumë se tre arsye që e rrëzojnë atë. Ministre në gjithë këtë histori mes hajdutësh dhe kriminelësh ju ku e fusni veten? Është momenti të reagoni, pranoni përgjegjësinë dhe pendohuni. Në burgun 313 ka një qeli që është lënë bosh, e vetme ajo qeli nuk ju mban të gjithëve.