Akuzat për blindim, Bardhi: Protestë kundër lyerjes së PD-së, Berisha ka humbur arsyen

Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës dhe Grupit të Rithemelimit. Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi mohon akuzat për blindimin e godinës së PD-së.

Sipas numrit dy të demokratëve, “protesta kombëtare kundër lyerjes së godinës së PD, në oborrin e PD, mund të thërrasë vetëm dikush që e ka humbur arsyen nga një hall i madh”, duke iu referuar kështu Berishës.

Lexo edhe: Komisioni i Rithemelimit të PD: Basha kërkon ta zëvendësojë kuvendin me hekura dhe brava

Reagimi i plotë:

Ka vetëm një rrezik për bunkerizimin e PD. Ai nuk vjen as nga adezivët me logon e PD, as nga risistemimi i disa ambjenteve të punës për sekretariatin e PD. Rreziku për bunkerizimin e PD vjen nga kushdo që shpalljen nongrata të Sali Berishës nga SHBA kërkon ta transferojë tek çdo demokrat.

Histeria me brava dhe blinda është një histori e dështuar dhe qesharake. Quhet mjerim kolektiv! Njësoj si qëllimi i të ashtuquajturës protestë kombëtare, ku demokratët ftohen të protestojnë kundër Partisë Demokratike!

Protesta kombëtare kundër lyerjes së godinës së PD, në oborrin e PD, mund të thërrasë vetëm dikush që e ka humbur arsyejen nga një hall i madh. Kjo nuk u shërben demokratëve, por i shërben vetëm Edi Ramës, dhe është vijim i talljes disa mujore me demokratët dhe sakrificën e tyre.