Aferë korruptive/ Denoncimi, PD: Tenderi 30 mln euro për uniformat e policisë

Gjuetia e preferuar e Ministrave të Brendshëm të Edi Ramës është tenderi me uniformat e policisë. Kësaj rradhe, mënyra e gjetur për të vjedhur është paracaktimi i fituesit të tenderit 30 milionë eurosh është përmes shkeljes së procedurave ligjore për rregulla të barabarta loje dhe konkurencë të drejtë në treg. Denoncimin eka bërë sot Partia Demokratike përmes kreut të Departamentit Antikorrupsion pranë PD, Lealba Pelinku:
“Për të përjashtuar garën në tenderin e hapur pak ditë më parë, Ministria e Brendshme ka përgjysmuar afatin minimal të parashikuar në ligj për t’u bërë pjesë e tenderit dhe për të plotësuar kushtet e tij.
Ligji i Prokurimit Publik parashikon një afat minimal 52 ditor, por Sandër Lleshaj, në shkelje të ligjit, ka vendosur shkurtimin e afateve për ata që duan të konkurojnë në 24 ditë,” sqaron Lealba Pelinku duke shtuar se ky është një afat kohor i pamjaftueshëm për të përmbushur detyrimin ligjor që dikton kushte të barabarta gare dhe konkurence.
“Shkelja e të tilla garancive ligjore është tregues direkt se kemi të bëjmë me një aferë korruptive. Kemi të bëjmë me një pazar mes atij që drejton Ministrinë e Brendshme dhe klientit të paracaktuar, për favorizimin e të cilit ngushtohen ditët e garës dhe shmangen konkurentët e tjerë.”
Kjo shkelje flagrante e rregullave në këtë tender 30 milionësh të uniformave të policisë tregon se kushtet ku operon sot prokurimit publik në Shqipëri janë kushtet e një pazari mafioz, thekson Partia Demokratike, kur dy banda mbyllin pazarin, siç ka ndodhur në rastin e tenderit të uniformave, askush nuk duhet lejuar të ndërhyjë e të prishë pazarin, por garanton:
“Partia Demokratike do ta ndjekë me vëmendje këtë tender dhe do të denoncojë çdo akt korruptiv që fut duart e Ministrit të Brendshëm apo të kujtdo tjetër në 30 milionë euro para publike.”