“Adesivin e quajnë blind”, Bardhi ironizon deputetët e grupit të Berishës: Kanë filluar punë të re, inspektojnë dyert dhe dritaret e PD-së

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk i ka kursyer ironitë në lidhje me kolegët e tij, përfaqësues të grupit të Rithemelimit që tentuan të hynin sot në selinë blu, por u hasën me dyer të mbyllura.

Në një komunikim për mediat Bardhi tha se ata kanë nisur punë të re, inspektojnë dyert dhe dritaret e PD-së ndërsa shtoi se adesivët iu duken blinda.

“Ishin të nevojshme. Ne nuk do të qëndrojmë peng i axhendave personale të askujt. Strukturat e partisë janë funksionale. Deri para riorganizimit, PD ka pasur 4 funksionalë të saj, dhe tani ka më shumë se 10. Për të realizuar misionin e tij që është beteja e Edi Ramës. Disa kanë filluar punë të re, të inspektojnë dyert dhe derëtarët e PD. Adesivin e quajnë blind. Do lejohen të gjithë të shohin ambientet. Unë do jem në seli, të gjithë do të jenë në seli. Çdo demokrat ka qenë dhe do të jetë iu lejuar për të hyrë në PD. Trafikantët e drogës që shkelmojnë dyert e PD, të shpallur në kërkim për trafik droge, s’do të lejohen më që të hyjnë në selinë e PD. Kjo godinë ka 8 vite që bën luftë me regjimin e Ramës. S’mund të hyjnë në seli ata që kërkohen nga Britania e Madhe për drogë, dhe shfaqen krah Berishës. S’mund të futeni tani, siç nuk jemi futur ne në ambientet e televizionit tuaj kur bëni punime aty. Çdo anëtar është i lejuar që të futet në seli. Deputetet nuk kishin ardhur të bënin mbledhje, por kishin ardhur të shihnin dyert e PD. Janë të njëjtat dyer, janë veshur me adesivë. është gjëja më normale në botë. Por për njerëz që s’kanë punë, edhe veshja e xhameve me adesivë, është lajm botëror. I vetmi lajm botëror është shpallja non grata më 19 maj e Sali Berishës.”, tha Bardhi.