A ta vrasim Klodian Çalamanin siç vret Erion Veliaj qentë e rrugës?!

Nga Erl Kodra

Dhimbja që përjetuam këto ditë nuk ishte një rrufe në qiell të pastër, por një paradigmë që u rrit brenda nesh, e ushqyer prej harbutërisë tonë. Në të vërtetë, ka një dallim thelbësor mes një harbuti të vetëm që sillet si i tillë, dhe një shoqërie harbute. Një harbut dallohet prej fjalorit, sjelljes publike, ndërsa karakteristika kryesore e një shoqërie harbute është indiferenca dhe mospërfillja, vaniteti dhe dukja si qëllim në vetvete, krekosja dhe shpërfaqja boshe.
Vrasësi Klodian Çalamani është një burrë që kurrë nuk ka patur fëmijëri dhe adoleshencë. Me siguri që ai është një individ i deformuar nga dhimbja dhe vuajtja, pa qenë në gjendje të gjejë strehën që do t’i ofronte mbrojte dhe dashuri njerëzore. Ai nuk ka njohur kurrë emocione pozitive, përkëdhelje ose përkujdesje. Për Klodianin e tmerrshëm dhimbja ishte mënyra e tij e jetesës.
Unë jam i bindur se ai nuk është ndjerë keq në momentin që ka kryer krimin makabër, përndryshe, ai e ka vrarë djalin e vogël ashtu siç vritet një ketër. Klodian Çalamani i kishte kaluar 38 vite të jetës së tij në dhimbje dhe mjerim, prandaj edhe dita kur ai kreu vrasjen ishte një ditë normale.
Klodianë Çalamanë ka gjithandej nëpër Shqipëri, të harruar zgëqeve të shoqërisë, aty ku nuk shkojnë kamerat e vanitetit tonë harbut. Ata (klodianët) nuk kanë IPhone, as Facebook ose Instagram – në fakt ata nuk kanë bukë të hanë – organizmi i tyre është i vitamina dhe proteina, trupi i tyre është i mbuluar me rrecka, shtëpia e tyre ngjanë si shpellë prehistorike. Dhe nuk janë pak, por me një llogari të thjeshtë dalin diku rreth 100,000.
Këta 100,000 njerëz mund të bëhen gjithçka – që kurrësesi nuk duhet të bëhen – trafikantë, vrasës me pagesë ose përbindësha që vrasin fëmijë.
Prandaj ne jemi të gjithë harbutë, përndryshe një shoqëri harbute. Sepse nuk e prishim terezinë edhe pse një pjesë e shoqërisë – të paktën 100,000 njerëz bëjnë jetë kafshësh, njësoj si qentë e rrugës.
Hë tani – a ti vrasim këta njerëz njësoj siç vret Erion Veliaj qentë e rrugës?!