A eshte zgjidhje denimi me vdekje ?!

Nga Indrit Vokshi

Myftiu i Lezhës kërkon kthimin e dënimit me vdekje?! Ka një problem të madh me trajtimin e drejtësisë penale. Disa njerëz shohin tek dënimi me vdekje zgjidhjen apo mungesën e zgjidhjes për pandëshkueshmërinë.

1. Pak histori; dënimi me vdekje në kohë paqeje u shfuqizua si detyrim i Shqipërisë nga nënshkrimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata Kushtetuese në vitin 2000 e gjeti atë të papajtueshm me konventën. Mirëpo në Konventë aderojnë edhe shtetet e BE, nuk na është bërë vetëm ne kjo “padrejtësia” e shfuqizimit të dënimit me vdekje. E shteteve europiane me gjykata relativisht të drejta nuk iu ka penguar heqja e dënimit me vdekje për ta konfirmuar veten përmes drejtësisë. Për ata që thonë se “Europa është para nesh”, them s’ka lidhje. Kjo histori e heqjes së dënimit me vdekje nisi në vitet 1700 kur një politolog, jurist dhe filozof italian me emrin Cesare Beccaria, arsyetoi gjerë e gjatë se dënimi me vdekje është i papranueshëm. Nën ndikimin e ideve të tij, dukati i Toskanës shfuqizoi dënimin me vdekje, Katerina e Madhe e Rusisë e pezulloi dhe u zotua se sa të jetë në fron nuk do ta përdorë. Megjithatë edhe në mesin e shteteve europiane shumica dërrmuese e mbanin në fuqi dënimin me vdekje. Kështu, mund të thuhet se shtetet europiane nuk janë para apo mbrapa, se nuk është ky metri matës i diçkaje; thjesht kishim disa sundimtarë më të guximshëm dhe novatorë për kohën.

2. Qëllimi i dënimit si dënim, i çfarëdoshëm qoftë ai, në daç gjobë, në daç burgim, është parandalimi, rehabilitimi i pasojave, ndëshkimi si konfirmim i drejtësisë dhe, mesazhi psikologjik për të tjerët. Pyetja shtrohet; dënimi me burgim të përjetshëm apo me njëzetë e pesë vjet, a janë të mjaftueshëm për të përcjellë mesazhin e nevojshëm tek njerëzit?! Po. Janë të mjaftueshëm. Mirëpo njerëzit ngatërrohen dhe thonë se këto dënime lejojnë korruptimin e gjykatave, pasi paguhen para dhe nga burgim i përjetëshëm ulet në njëzet e pesë vjet dhe nga njëzet e pesë në pesëmbëdhjetë. Por harrojnë se kur gjykatat kanë probleme edhe dënimi me vdekje duke paguar para, mund të ulet në të përjetëshëm apo në njëzet e pesë vjet. Problemi pra nuk është tek sanksioni, tek mungesa e dënimit me vdekje, problemi është tek institucionet e drejtësisë të cilat edhe sanksionet më të lehta se dënimi me vdekje, siç është burgimi, nuk i zbatojnë deri në fund dhe nuk përmbushin vullnetin për drejtësi. Kësisoji edhe nëse nesër kthehet dënimi me vdekje, kjo nuk i bën më të drejta prokuroritë e gjykatat, përsëri do të ketë mangësi në përmbushjen e vullnetit për drejtësi.

Ka rënë një epidemi knejpari, sa herë shfaqen probleme, turren tek dënimi me vdekje si shpëtim, a thua së dënimi me vdekje është vetë drejtësia, jo thjesht një sanksion penal.