A është arrestuar në Itali? Valdrin Pjetri reagon për herë të parë

Kryebashkiaku i ri i Shkodrës Valdrin Pjetri ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike se ai është subjekt i ligjit për dekriminalizimin pasi ka fshehur një arrestim në Itali.
I kontaktuar në telefon nga gazetarët Valdrin Pjetri thekson se do të flasë mbi këto akuza vetëm pasi të jetë shprehur institucioni i prokurorisë: U njoha nepermjet kerkeses se z. Bardhi i cili bazohet dhe firmos mbi “Indicie Publike”. Sigurisht qe jam i hapur mbi cdo verifikim timin por jo mbi “ Indicie Publike”.
Askush me mire se Institucioni i Prokurorise se Pergjithshme nuk mund te ktheje pergjigje kerkeses se z. Bardhi dhe cdo personi tjeter te interesuar apo kurioz.
Pasi institucioni i ngarkuar nga ligji per te kryer verifikimet e kerkuara te kete kthyer zyrtarisht pergjigje, nga ana ime do kete nje prononcim publik mbi kete kerkese te z.Bardhi te bere ne emer te partise demokratike.
Partia Demokratike i ka kërkuar dje Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë pa vonesë pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, i cili u regjistruar në votime si kandidat i PS për Bashkinë e Shkodrës.
Kërkesa e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, bëhet në kushtet kur ekzistojnë të dhëna, indicie dhe dëshmi publike se Valdrin Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak te ligjit të dekriminalizimit.
“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”-thuhej në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.