A DUHET MARRË SERIOZISHT RAMA DHE CIRKU I TIJ ENDACAK?

Nga Gjergj Hani

Ndonëse në kundërshtim me ligjin jemi në fushatë, dhe tonet nuk premtojnë asgjë të mirë! Denigrimet dhe fyerjet në adresë të kundershtarit nga ana e PS, u ngjajnë më shumë slloganeve të luftës së klasave kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm, sesa një konfrontimi programatik projektesh për qeverisjen vendore!
Gjithësesi nuk mund ti bësh shumë me faj, pasi nuk kanë as program e as ide, e fundja nuk erdhen në pushtet me qëllim qeverisjen! Një milion vota u garantuan sundimin, ndonëse nuk janë më aq të sigurtë për konfirmimin, çka i bën nervozë. I vetmi mjet që kanë në dispozicion për të “bindur” masat, është gjuha e urrejtjes e trashëguar nga e shkuara e tyre e afërt. Megjithatë duhet pranuar se etrit e tyre ishin më realistë në vlerësimin që i bënin pushtetit të tyre faktik. Gjë të cilën Rama nuk e bën dot. I izoluar siç është nga paranoja dhe vizionet e tij të shtrëmbera mbi një realitet imagjinar, perçon këto imazhe inekzistente edhe tek eunukët e tij, dhe të gjithë së bashku formojnë një kor qesharak në kufijtë e groteskes.
Në një tjetër dimension shoqëror, Rama e qeveria e tij do të kishte qenë një fenomen zbavitës, e do të ishte larguar nga pushteti në harkun kohor të një ose dy javësh, i shoqëruar nga fërshëllima e të qeshura tallëse, por në Shqipëri kjo gjë nuk ndodh pasi ne jemi një popull melodramatik, me nuanca tragjike falë së shkuarës sonë, dhe i marrim gjërat shumë seriozisht. Shumë më seriozish nga sa duhet! Dhe është pikerisht ky faktor që legjitimon deri diku këtë fenomen cirku endacak, sic është Rama dhe kllounët e tij! Për një popull që nuk nxjerr mësime nga e shkuara, historia përsëritet, ndose jo me të njëjtën formë e intensitet, dhe ne tani na paraqitet jo më si thjesht tragjike, po me përqasjen tragjikomike të qeverisë Rama. Tragjike për çka po shkakton e për pasojat që do të lërë pas, e komike për fasadën e tyre iperbolike, slloganet që shkojnë në kufijtë e një marrëzie madhështore dhe statura liliputiane e krimbave të mollës që përbëjnë shpurën e “mbretit lakuriq”.
Normalisht të gjitha këto duhet të na bëjnë të lagemi nën vehte nga të qeshurat, por fatkeqësisht ne vazhdojme ti marrim seriozisht, e shumë prej nesh mendojnë ti rrëzojnë nga pushteti me protesta serioze. Ide e gabuar kjo e fundit pasi do tu jepte nderin e armëve kësaj bande eunukesh që meriton të shporret vetëm me forcën e përbuzjes e më një det pështymash.