A dështoi dhe a ra dje Opozita?!

Nga Indrit Vokshi

“Dje ra opozita” – thanë disa.

Opozita nuk bie përsakohë nuk bie pretendimi i studentëve për arsim cilësor dhe mundësi punësimi pas studimeve. Përsakohë nuk bie pretendimi i njeriut që në tokën e vet të mbjellë ullinj, grurë etj dhe të ketë më shumë treg për shitje, që të ketë pastaj më shumë para për të përmirësuar jetesën e vet. Përsakohë nuk bie nevoja dhe domosdoshmëria për rend dhe siguri dhe një polici ligjore dhe profesionale e cila jep provën se është me njerëzit kundër krimit, jo me krimin kundër njerëzve. Përsakohë nuk bie pretendimi që administrata e shtetit duhet t’na shërbejë se paguhet, jo t’na shërbejë me pagesë. E të tjera. Se opozitë quhen pretendimet e njerëzve. Dhe në opozitë me qeverinë si rregull është populli, jo partitë. Partitë, varet sa munden ta përfaqësojnë popullin. Se politika është avokatí.

Por dje, gjithsesi, ra diçka. Ra mendimi se protesta është zgjidhja finale, mjeti i parë i fundit dhe i vetëm për ta ndryshuar Shqipërinë. Protesta mbetet e domosdoshme por njëkohësisht bëhet e pamjaftueshme. Njerëzit nuk do të votojnë mllefin, se mllefin e kanë vetë. Ata duan të votojnë zgjidhjet politike për problemet e vendit të cilat nuk i kanë dhe iu duhen ofruar. Përshembull;

1.Çfarë do të bëhet me OSHE-në e cila është sot një ent mafioz që përllogaritet t’iu ketë grabitur shqiptarëve rreth 50 milion euro përmes mbifaturimeve, duke iu thënë paguajë se ka hyrë në sistem, pastaj flasim? Shumica e kanë ndjerë ketë.

2.Çfarë do të bëhet me policinë, zinxhiri drejtues i së cilës i merr urdhërat nga restorantet bregdetare të Vlorës e Durrësit dhe, është kthyer në polici private të kryeministrit dhe ministrit? A do të ndryshojë ajo dhe t’i kthehet publikut apo thjesht do të ndryshojë drejtues?

3.Pse shteti nuk bën transparencë mbi të gjitha kontratat dhe shpenzimet dhe t’i transmetojë ato në Televizionin Shqiptar të cilin e paguajmë? Pra pse nuk i informon njerëzit si po i përdor paratë e tyre?

4.Çfarë projekti kemi për rifutjen në prodhim të tokës bujqësore që edhe paratë të mbeten këtu edhe çmimet e produkteve prej tek buka e deri tek salca dhe makaronat të bëhen më të lira edhe të krijohet klasa e prodhuesve shqiptarë?

5.Çfarë projekti kemi për të nxitur dhe mbështetur nxënësit ekselentë, duke vlerësuar më të mirët dhe nxjerrë në pah talentet dhe kualitetet?

6.Po për ambientin?

Këto dhe të tjera, shqiptarët duan t’i dëgjojnë, t’i lexojnë, t’iu ofrohen, jo me retorikë e populizëm por me fatura, me afate, të studiuara, të mundshme dhe, prej njerëzve që përçojnë besim se do t’i realizojnë.

Kështu do të zhvillohej protesta më e fortë kundër zhvatjes, kundër përdorjes së qeverisë si biznes privat për të pasuruar veten dhe dënuar me varfëri dhe mbijetesë njerëzit.