Masakra e Tivarit – tragjedi kombëtare

NGA SADIK ELSHANI*

Masakra e Tivarit – tragjedi kombëtare

“Vëllezërit jugosllavë” të komunistëve shqiptarë

Javë më parë historiani Uran Butka botoi librin për Masakrën e Tivarit me titull: “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”. Librin nuk kam patur mundesi ta lexoj, por intervistat dhe shkrimet e Uran Butkës për këtë cështje i kam lexuar. Në këtë shkrim më tepër do të përqëndrohem te sulmet që iu bën Uran Butkës, i cili është duke u munduar që ta trajtojë këtë problem nga të gjitha drejtimet për ta nxjerrë në dritë të vërtetën lidhur me këtë tragjedi kombëtare, vrasjen e mijëra të rinjve shqiptarë të pafajshëm. Në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore kur forcat gjermane po tërhiqeshin nga Ballkani, dy brigada shqiptare, Brigada e V-të dhe Brigada e VII -të hynë në teritorin e Kosovës, jo për ta mbrojtur, për ta mbajtur teritorin, por për t;i ndihmuar “vëllezërit jugosllave” për ta ripushtuar Kosovën. Jugosllavët me dredhitë e tyre i sollen këto brigada per t’i terhequr shqiptarët për t’iu bashkangjitur atyre, siç cekëm më lart jo për të qëndruar në Kosovë, por për të vazhduar për në Sanxhak, Bosnje, në Frontin e Sremit dhe në frontet tjera. Ndërsa vendin e tyre e zinin brigadat serbe e malazeze të cilat kryenin masakra të tmerrshme mbi popullsinë e pafajshme e të pambrojtur shqiptare. Dihet mirë kundërshtimi i forcave shqiptare të komanduara nga Shaban Polluzha dhe qëndresa e tyre heroike në Drenicë. Shqiptarët e Kosovës kishin një përvojë të hidhur me Serbinë dhe Jugosllavinë e Kralit, prandaj edhe ua kanë tërhequr vëmendjen komandantëve e komisarëve të brigadave shqiptare, që të mos u besonin partizanëve jugosllavë dhe udhëheqjes së tyre, sepse ata qimen e kishin ndërruar, por jo edhe zakonin e tyre: urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe përpjekjet e tyre për zhdukjen e popullit tonë nga faqja e dheut. Sipas dëshmive të shumë njerëzeve të atyre ngjarjeve (prindërve, gjushërve dhe të afërmeve tanë), partizanët shqiptarë të vrisnin po ua kritikove “vëllezërit serbë”. Mirë e ka thënë Frang Bardhi: “Armiku i vjetër edhe nëse të bëhet mik, nuk të bëhet i drejtë”. Këtë e kuptuan shumë më vonë këta komandantë e komisarë naïvë shqiptarë, të cilët më vonë kishin thënë se edhe barinjtë e Kosovës kishin qenë më të mencur se ata. Por atëherë ishte vonë, tepër vonë. Tani dihet mirë si përfundoi ky kapitull i hidhur e i përgjakshëm i historisë sonë.

Masakra e Tivarit – tragjedi kombëtare

Në këtë periiudhë kohore ndodhi edhe mobilizimi i dhunshëm i mijëra (afer 13.ooo) shqiptarëve nga mosha 16 e deri në atë 65 vjeçare. Pra, atyre që ishin të moshës që mund të luftonin. Qëllimi ishte i qartë: Këta njerëz duhej larguar nga vatrat e luftimeve, Kosova duhej të zbrazej nga njerëzit që janë të aftë për të luftuar dhe vendet e tyre t’i zinin njësitë serbe e malazeze. Këta rekrutë në fillim u mblodhën nëpër rrethet përkatëse dhe pastaj u grumbulluan në kazermat e Prizrenit dhe aty u çarmatosen. Këtu lindi dyshimi i parë se diçka e keqe ishte duke u kurdisur për ta. Kalvari i tyre pastaj vazhdoi në rrugën Prizren – Kukës – Shkodër e për të përfunduar në Tivar, ku i futen në vendin e quajtur “Monopoli i Duhanit”, në disa ndërtesa të rrethuara me mure të larta. Aty i priste vdekja e sigurtë, sepse forcat partizane malazeze i kishin zënë pozicionet e tyre dhe ishin gati për të hapur zjarr mbi trupat e shqiptarëve të paarmatosur. Sipas dëshmitarëve, nënat e këtyre partizanëve i lusnin fëmijët e tyre që të përmbaheshin, të prisnin edhe pak. Gjatë udhëtimit dhe gjatë masakrës në Tivar e kanë humbur jetën 3000 – 4000 shqiptarë. Në Kosovë nëpër ndeja me të mbijetuarit e ketij kalvari është folur haptas, ne jemi rritur me këto rrëfime të tmerrshme, sepse aty kemi patur mjaft anëtarë të famijeve tona. Na tregonin për udhëtimin e tyre në këmbë nëpër teritorin shqiptar, të etur, të uritur e të rraskapitur. Ndoshta nuk është shkruar nëpër gazeta e nëpër libra, por për t’u folur, është folur mjaft. Më kujtohet fare mirë një bisedë në Beograd (atëherë studioja në Universitetin e Beogradit e më vonë kam kaluar në U. të Zagrebit) me kolonelin aktiv, Ymer Haxhidauti, i cili në atë kohë punonte në Institutin Ushtarak të Historisë të Armatës Popullore të Jugosllavisë në Beograd. Kuptohet, ai jetonte me familjen e tij në Beograd dhe fëmijët e tij shoqëroheshin me ne studentët shqiptarë, vinin në lokalet e shoqateë sonë, “Përpjekja”. Në maj të vitit 1977 në Beograd i organizuam Takimet e Majit, që ishin takime të studentëve shqiptarë që studionin ne Beograd, Zagreb, Lublanë, Sarajevë, Suboticë e në ndonjë qytet tjetër të ish Jugosllavisë. Gjatë këtyre takimeve bënim gara sportive, shfaqnim programe muzikore e artistike, recitale, dramatizime. Në fund të këtyre takimeve organizuam edhe një koktej në një klub në Qytetin e Studentëve në Beogradin e Ri. Në këtë koktej merrte pjesë edhe koloneli Ymer Haxhidauti me të cilin bënim biseda të ndryshme për gjendjen në Kosovë, çështjen shqiptare në përgjithësi. Më ka habitur guximi dhe atdhedashuria e tij, sepse ai ishte kolonel i Armatës Jugosllave dhe ne flisnim haptas në një mjedis të hapur ku kishte mjaft të pranishëm dhe që nuk e njihnim mirë njëri – tjetrin. Në bisedën e sipër një shok i imi i studimeve, Ekrem Guri (ndjesë pastë), nga Kaçaniku, i bëri një pyetje për Masakrën e Tivarit. Thënë të drejtën, unë ngadalë ndërhyra dhe i thashë Ekremit që mos t’ia nisim kësaj bisede se mos po e vëmë në pozitë te papërshtatshme, të keqe, kolonelin, sepse ushtarakët shikoheshin pak më ndryshe se civilët dhe aty nuk ishte një mjedis i përshtatshëm për biseda të tilla të ndjeshme. Por, për habinë time, koloneli foli haptas pa kurrëfarë ngurrimi për këteë masakër dhe ndër të tjera na tregoi edhe për polemikat që kishte patur me Svetozar Vukmanoviq – Tempon (1912 – 2000, udhëheqës jugosllav, i cili gjatë luftës mbante lidhjet në mes partizanëve shqiptarë dhe atyre jogosllavë).

Sulmuesit e Uran Butkës, mbrojtës të krimeve komuniste

Disa mbrojtës të një regjimi cnjerëzor, siç ishte diktatura e Shqipërisë, iu vërsulën Uran Butkës me taktikat dhe zellin e tyre bolshevik, se gjoja ai po e bën fajtor udhëheqjen e Shqipërisë për Masakrën e Tivarit dhe jo atë jugosllave. Por, Uran Butka në një shkrim të tijin në gazetën Telegraf, 31 mars 2019, shkruan: “Shteti jugosllav, megjithëse ishte projektuesi dhe realizuesi i masakrës, e ka pranuar atë, qoftë edhe si aksidentale e të mpakur, por gjithësesi ka nxjerrë disa konkluzione dhe pergjegjësi. Ndërsa shteti shqiptar i implikuar në këtë kasaphane, shkaktuar kundrejt popullit të vet, ka heshtur për gjysëm shekulli, duke e mbuluar me harresë dhe papërgjegjshmëri të plotë, aq më tepër që akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda teritorit të Shqipërisë. Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar.” Më interesoi se a ka diçka të shkruar nga pala jugosllave për këtë masakër dhe në internet hasa në një intervistë që një zyrtar i lartë i UDB-së dhe luftëtar i orëve të para (serb., prvoborac) nga Tivari, Nikola Masaniciq, i kishte dhënë një gazetë kroate, Hrvatski Fokus (Fokusi Kroat), 26 maj 2017: “Jugoslovenski partizani, u suradnji s albanskim partizanskim jedinicama, okupirali su veci broj novaka iz Mitrovice, Prizrena, Vucitrna, Podujeva, Pristine (prema nekim izvorima oko 5.400). Perkthimi: Partizanët jugosllavë, në bashkëpunim me njësiteëpartizane shqiptare, kanë tubuar një numër të madh të rekrutëve nga Mitrovica, Prizreni, Vushtrria, Podujeva, Prishtina (sipas disa burimeve rreth 5.400). Pastaj ai tregon sesi i kanë çarmatosur në Prizren, ndarjen në tri kolona dhe udhëtimin e tyre nëpër kurorat e bjeshkëve për në Tivar. Po ashtu, ai tregon se organizatorët e kësaj masakre janë kritikuar, por askush kurrë nuk është dënuar seriozisht. Ndoshta nuk duhet t’i besojmë një pjesëtari të UDB-së, por rrëfimi i tij përputhet me të dhënat nga burime të tjera dhe nga vetë dëshmitë e të mbijetuarve të kësaj masakre. Për këtë masakër ka shkruar edhe historiani e atdhetari, profesor Zekeria Cana (1934 – 2009): “Shkaktarë e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër teritorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur `Golgota e madhe Shqiptare`”.

Ndërsa kundërshtarët e librit dhe shkrimeve të Uran Butkës, në vend se ta hedhin mllefin e tyre kundër shkaktarëve, organizatorëve të ëesaj masakra, ata i vërsulen atij, duke u munduar që ta mbrojnë një krim, një masakër, për ta mbrojtur një regjim antikombëtar siç ishte regjimi cnjerëzor i Enver Hoxhës. Kështu, historiani nga Kosova, dr. Hakif Bajrami në shkrimin e tij në Radio Kosova e Lirë, me titull: “Mos ia kthe pushkën veti dhe kombit tënd, Uran Butka”, që në fillim të shkrimit shprehet: “Të ngrihesh sot e të thuash se: “Enver Hoxha urdhëroi vrasjen e kosovarëve”, në Tivar, më 1 prill të vitit 1945, është një tragjedi për kombin, sepse sido që të ketë qenë “urdhrin” për masakrën e Tivarit e paska pasur dhënë një shqiptar. Po sa të ka paguar Beogradi, o i gjori Uran Butka?” Ndoshta do të ishte më mirë që dr. Bajrami të pyeste se sa i kishte paguar Beogradi udhëheqësit e Shqipërisë që e shndërruan Shqipërinë në vitet 1944 – 1948, jo në një republikë të shtatë jugosllave, por edhe më keq, në një koloni jugosllave, ku jugosllavët kontrollonin të gjitha funkcionet, organet shtetërore e ushtarake të shtetit shqiptar dhe vendosnin për çdo gjë. Nga ajo që citova më lart nga shkrimi i Uran Butkës shihet qarte se ai në radhë të parë e bën fajtor shtetin jugosllav, por e fajëson edhe udhëheqjen shqiptare për bashkëpunimin e tyre të drejtpërdrejtë. Po, Enver Hoxha ka dhënë shumë urdhra për vrasjen e shqiptarëve, madje disa edhe shokë, familjarë e të njohur të tij. Edhe Ahmet Qeriqi në shkrimin e tij me titull: “E vërteta dhe shpifjet për atë që ndodhi në Tivar 74 vite më parë”, botuar më 1 prill 2019 në gazetën “Dita”, që në fillim të shkrimit shprehet: “Lidhur me akuzat e disa “historianëve” profashistë, të cilët pa asnjë fakt relevant dhe pa asnjë dëshmi të vetme te të mbijetuarve pretendojnë se shteti i sapovendosur komunist i Shqipërisë kishte dijeni për Masakrën e Tivarit, dhe madje e kishte përkrahur atë…” Pastaj vazhdon me një raport të Shefqet Peçit dërguar Shtabit të Pergjithshëm në të cilin raportonte pas shtatë ditësh pasi kishte ndodhur Masakra e Tivarit. Me këtë, z. Ahmet Qeriqi mundohet t’i arsyetojë, mbrojë udhëheqësit shqiptarë se ata nuk paskan ditur për këtë masakër. Po si nuk paskan ditur kur mbi 10 mijë shqiptarë të paarmatosur kalonin nëpër teritorin shqiptar?! Askush nuk i paska parë, askush nuk qenka interesuar se ku po shkonin, askush nuk paska biseduar me ta?! Po kur morën vesh për këtë masakër ç’bën ata, si reaguan? Nuk bën asgjë, nuk reaguan fare. Madje as nuk e zunë në gojë për gjysëm shekulli. Rregullisht i kam përcjellur emisionet e Radio Tiranës, herë pas here kam lexuar edhe gazeta e revista të ndryshme nga Shqipëria, por kurrë nuk dëgjova, askund nuk hasa të bëhej fjalë për Masakrën e Tivarit. Po përse kurrë nuk e ngritën këtë çështje? Sepse e dinin fare mirë se e kishin mizën pas veshi, se edhe vetë ishin pjesëmarrës në këtë krim të tmerrshëm.Në vazhdim të shkrimit të tij z. Qeriqi kryesisht e perifrazon shkrimin mjeran të Hakif Bajramit. Marrëzirat dhe krimet e udhëheqjes komuniste shqiptare të asaj kohe nuk mund të arsyetohen, mbrohen me marrëzira të mbrojtësve të tyre të sotëm. Po e kritikove regjimin komunist që për gjysëm shekulli e terrorizoi një popull ëe tërë, apologjistët e atij regjimi menjëherë të vënë etiketën: fashist, tradhtar, armik.

Edhe një pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ato ngjarje të viteve 1944/1945 në Kosovë, gjeneral Rrahman Parllaku (1919, respekt për moshën), komandant i Divizionit të 5-të, në një intervistë të botuar në gazetën “Panorama” (4 maj 2019) mundohet që ta mosperfillë Masakrën e Tivarit, thuaja se ajo nuk paska ndodhur kurrë: “Maskra e Tivarit është një sajesë e Uran Butkës. Uran Butka gënjen atje.Uran Butka hodhi një parullë që ka qenë Ramiz Alia. U bë fakt sikur Ramiz Alia ka organizuar Tivarin. Unë dhe Ramizi kur ndodhi Tivari, kur ndodhi ngjarja e Tivarit kemi qenë në Mitrovicë të Kosovës.” Këtu Rrahman Parllaku ia nxjerrë në shesh genjeshtrën e Ramiz Alisë, i cili në intervista të ndryshme ngulte këmbë se kur ka ndodhur Masakra e Tivarit ai ndodhej në Bosnje e jo në Kosovë. Pasi që të dy, z. Ramiz Alia e gjeneral Rrahman Parllaku paskan qenë në Kosovë,ata nuk paskan vërejtur asgjë të jashtëzakonshme përreth tyre, para syve të tyre – askush nuk qenka ankuar te ta?! Po përse gjeneral Parllaku luftoi kundër vëllezërve të tij shqiptarë në Drenicë e ne krah të “vëllezërve jugosllavë”. Ky ishte ai naiviteti, papjekuria e komunistëve shqiptarë, të cilëve ideologjia bolshevike ua kishte errësuar sytë, ua kishte paralizuar mendjen, arsyen, ua kishte shuar çdo ndjenjë kombëtare. Madje edhe në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, pas rënjes së komunizmit në Shqipëri, Haxhi Lleshi, ministër i Punëve të Brendshne të Shqipërisë kur ka ndodhur Masakra e Tivarit kishte deklaruar se të njejtën gjë do ta bënte edhe sot, “sepse kosovarët janë reaksionarë”. Ketu ka mjaft për t’u sqaruar, por kjo nuk është tema e këtij shkrimi. Herën tjetër.

Historia e shtrembëruar, falsifikuar nuk mund të jetë mësuese e mirë e jetës

Kësaj gjendje i përshtatet mirë ajo thënia: More s’po zemërohem që ujku m’i hangri delet, po pse qentë e mi hanin mish me ta. Edhe ne, nga armiqtë tanë shekullorë i kemi pritur këto veprime, po pse tanët u ndihmuan atyre. Historia duhet trajtuar ashtu siç ka ndodhur, pa shtrembërime e falsifikime. Duhet të mësojmë nga historia, që gabimet e së kaluarës të mos përseriten. Historia e shtrembëruar, falsifikuar nuk mund të jetë mësuese e mirë e jetës. E ceka në fillim se librin e Uran Butkës nuk e kam lexuar, por për Masakrën e Tivarit kam dëgjuar qysh kur kam qenë fëmijë, e kam dëgjuar nga rrëfimet në veten e parë, nga njerëzit qq kanë qenë të mbijetuarit e kësaj kërdie, kasaphane. Ndoshta cdo gjë nuk eëhtë e saktë në librin e z. Butka, por masakra ka ndodhur nën organizimin e shtetit jugosllav në bashkëpunim, bashkëveprim me shtetin shqiptar. Sulmuesit e z. Butka dhe veprës së tij mendojnë se duke i mbroitue krimet e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve, ata po i bëjnë një shërbim të mirë kombit tonë. Jo, të kritikosh, të ngresh zërin kundër shtetit, kombit tënd kur ai është gabim nuk është tradhti, por është nje shërbim, detyrim kombëtar e atdhetar. Sa më parë që teëpranohen gabimet, aq më mirë për të gjithë.

*Marre nga Bota Sot