Shkruan
Eugen SHEHU

Fillimet e xhandarmërisë shqiptare,përkojnë me krijimin e shtetit të parë shqiptar,në dhjetorin e vitit 1912.Me formimin e qeverisë,u mendua që në fillim për Xhandarmërinë ndaj edhe në datat 4-5 dhjetor,delegatët e Vlorës,anëtarët e rinj të kabinetit të Ismail Qemalit,vendosën se kush duhej ta drejtonte xhandarmërinë,njerëzit dhe fondet që i duheshin kësaj arme për të ruajtur qetësinë në vend,për të çuar deri në fund me vendosmëri,deri në skajet më të largëta të Shqipërisë framën e shtetit ligjor.
Më 17 mars të vitit 1914,ndërsa Princ Vidi shpallte në Durrës,krijimin e qeverisë së re shqiptare,që në ditët e para të shpalljes së qeverisë,u ndie e domosdoshme ngritja në nivele të reja e kujdesit për xhandarmërinë.Në prillin e po këtij viti,në Vlorë u firmos nga antarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit,Statuti Organik i Shqipërisë me ç’rast jepeshin detyra konkrete për xhandarmërinë shqiptare.Sipas këtij Statuti (neni 149) forcat ushtarake të vendit,ishin xhandarmëria dhe milicia.Ato duhej të dilnin nga kazermat ku ishin vendosur dhe mbi bazën e një programmi të detajuar duhej të zhvillonin stërvitje konkrete,për të rritur efektivitetin në misionin që i ishte ngarkuar.Me kërkesën e Princ Vidit,në Shqipëri,shkoi në prillin e vitit 1914,një mision ushtarak anglez,i specializuar për xhandarmëri.Në krye të këtij komisioni,ishte koloneli Tomson,i cili disa muaj më pas në rebelimin e armatosur të Haxhi Qamilit,mbeti i vrarë nga plumbat e shqiptarëve të verbër.Brenda disa javëve,koloneli Tomson u njoh me kuadrot kryesore të xhandarmërisë shqiptare dhe pasi kreu organizimin e plotë të saj,vendosi komandën e Përgjithshme të kësaj xhandarmërie, në qytetin e Durrësit.Në krye të kësaj komande,u vendos atdhetari i shquar Shevqet Kosova.Ndërsa dy muaj më pas,kur rebelët e armatosur të Haxhi Qamilit të ndërsyer prej propagandës serbe e greke,po i afroheshin Durrësit,një numër i konsiderueshëm xhandarësh,rreth 400 zunë disa pika kyçe brenda qytetit,të komanduara prej një tjetër nacionalisti të shquar shqiptar Tajar Tetova.Ndërkaq xhandarët shqiptar të vendosur në Korçë,ndonëse të paarmatosur siç edhe duhet,treguan se ishin në nivelin e misionit të tyre,duke përballuar dredhitë greke për marrjen e qytetit të Korçës (prill maj 1914). Forcat e xhandarmërisë në Korçë në bashkëveprim me çetat e atdhetarëve Sali Butkës e Themistokli Gërmenji mundën jo vetëm të shmangnin trazirat brenda në qytet,por edhe i nxorën andartët grek,jashtë kufijve politike të vitit 1913.Ndonëse për javë të tëra forcat e xhandarmërisë shqiptare,hasën në luftime të rrepta dhe të organizuara mjaft mirë të andartëve greke,falë shqpirtit atdhetar burrat e Korçës,Kolonjës e Starovës,treguan guximin e madh të tyre,ndërsa qeveria shqiptare e asaj kohe jo vetëm që nuk bashkërendoi punët me këta xhandarë,por përkundrazi i la shpesh herë ato në harresë të plotë.
Gjatë Luftës së Parë Botërore,trevat shqiptare u shndrruan në teatër të veprimeve luftarake të ushtrive të huaja.”Ushtritë e Austro Hungarisë të Francës dhe të Italisë,por edhe ato fqinje,gjatë kohës së veprimit dhe qëndrimit në tokën shqiptare,u përpoqën dhe arritën të formonin,në zonat ku ishin vendosur,disa formazione ushtarake të përbëra nga oficerë,nënoficerë dhe ushtarë shqiptarë.Qëllimi i organizatorëve të huaj,ishte që këto reparte të përdoreshin në interes të forcave dhe veprimeve të tyre luftarake,si edhe për rruajtjen e rregullit dhe të qetsisë në vend”. (“Historia e Ushtrisë Shqiptare “ – Tiranë 2000 , faqe 100 ).
Në pikëpamje të organizimit dhe funksionimit,këto reparte që përmenda më sipër,ishin shumë pranë natyrës së formacioneve të xhandarmërisë së mëparshme si e tillë,kjo risi,ndikoi në mënyrë të vetvetishme pothuaj spontane në mentalitetin tradicional të organizimit të vet shqiptarëve.Vlen të thuhet se në ato kohra,ky mentalitet i xhandarmërisë shqiptare,ishte tejet i prapambetur krahasuar me organizimin e ushtrive të Fuqive të Mëdha.Edhe në vitet 1916-1919,arma e xhandarmërisë shqiptare,përshkoi një rrugë tejet të vështirë,sa i përket organizimit të strukturave të saj aq edhe në kryerjen e misioneve delikate që mbante mbi supe.Në të vërtetë,nëse flitet për hapa cilësore të xhandarmërisë për përcaktim të drejtë të vendit që ajo zinte në strukturat e ushtrisë shqiptare,duhet të shihet roli i saj pas Kongresit të Lushnjës,i cili nxori në dritë një Qeveri të përbërë nga nacionalistë shqiptarë të shquar.Dihet tanimë se ministri i brendshëm i dalë nga qeveria e Lushnjës,u caktua Ahmet Zogu.Ky burrë i Matit,në krye të 300 trimave matjanë të armatosur,jo vetëm që ndikoi dretëpërsëdrejti në mbarë ecurinë e punimeve të Kongresit,por në mënyrë të vendosur dhe tejet trimërore,i çeli qeverisë shqiptare rrugën për në Tiranë, e cila ishte e bllokuar prej mijëra ushtarëve dhe oficerëve italian.Ahmet Zogu,që në ditët e para të detyrës së marrë prej Kuvendit të Lushnjës,mori në duar frenat e xhandarmërisë,duke vendosur në krye të reparteve të saj,oficerë të kualifikuar dhe me bindje të thekshme atdhetare.Shumë prej këtyre oficerëve ai i vendosi në ate shkallë hierarkie,duke dashur në një farë mënyre t’i shpërblejë për kontributet e tyre,sidomos në luftimet kundër malazezëve,serbëve,bullgarëve apo andartëve grek,gjithsesi në gjdo rast emërimi apo gradimi i këtyre oficerëve të xhandarmërisë,realizohej nëpërmjet kriterit të atdhetarisë.
Në pranverën e vitit 1920 në bashkëpunim të ngushtë me ministrin e drejtësisë,Hoxhë Kadrinë,Ahmet Zogu,në krye të 700 xhandarëve shqiptarë,shkoi në Shkodër në prag të përfundimit të mandatit të pushtimit të qytetit prej fuqive aleate,të komanduara prej gjeneralit De Fouton.Ai shkoi urgjentisht atje,sepse parandjente një dredhi të serbëve.Këta të fundit,kërkonin që pas largimit të trupave aleate të pushtonin Shkodrën dhe për këtë qëllim patën afruar disa mijëra trupa të armatosur në Mal të Zi e Kosovë.Zogu jo vetëm vendosi rend e qetësi në Shkodër,por edhe dërgoi në kufijtë veriore politike të shtetit amë mbi 1500 trupa,në gjendje gatishmërie,për t’u përballur me serbët.Ndërsa në muajt maj-qershor 1920,në krye po ashtu të rreth 1400 trupave të armatosur të xhandarmërisë shqiptare,Ahmet Zogu iu drejtua Vlorës ku gjendeshin të grupuar mbi 15.000 trupa të komanduara nga gjenerali Italian Piaçentini.E vërteta është se Ahmet Zogu,në funksionin e Ministrit të Brendshëm të asaj kohe,i kërkoi gjeneralit italian që t’i dorzohej administrimi i qytetit në shkëmbim të vendosjes së rregullit dhe qetësisë.Por Piaçentini e kuptonte se po të hynin xhandarët shqiptarë në Vlorë,ditët e italianëve aty do të numëroheshin me gishta.Kështu,në ditët e para të qershorit 1920,në kodrat me ullinj që parkonin Vlorën ishin afruar rreth 2500 trupa të ushtrisë dhe xhandarmërisë shqiptare,së bashku me 7000 të tjera vullnetare të armatosur nga mbarë Shqipëria Etnike.Në krye të gjithë këtyre forcave të rezistencës shqiptare u vu Ahmet Zogu,tashmë 25 vjeçar, me njohuri të thella ushtarake.Pa dashur të minimizoje rolin e vullnetarëve të armatosur nga e gjithë hapsira etnike shqiptare,në epopenë e lavdishme të luftës së Vlorës në verën e vitit 1920,do të ndriçonte për të parën herë,nga faktorë relë të asaj lufte,fizionomia kombëtare e reale të xhandarmërisë shqiptare.Në luftimet më delikate kundër italianëve,atëherë kur pozicionet e shqiptarëve bombardoheshin apo hapej zjarr i dendur me armët e këmbësorisë,Ahmet Zogu,ndodhej kurdoherë në repartet e shpejta të xhandarmërisë,duke mbyllur çdo shteg të mundshëm që italianët kërkonin të hapnin në shpinë të luftërave shqiptare.Xhandarmëria shqiptare,jo vetëm në luftën frontale në kodra,por sidomos në betejat delikate brenda në qytet,u shqua sa për trimërinë aq edhe për frymën e mirëkuptimit me popullin heroik të Vlorës.Lidhur me epopenë e lavdishme të Vlorës,Benitto Musolini,pos të tjerave,në gazetën e madhe “Il Popolo d’Italia”,më 5 gusht 1920, do të deklaronte ; “Vlora duhej të ishte shpërblimi i Italisë për vuajtjet e pësuara dhe gjakun e derdhur prej saj.Vlora duhej të bëhej,pragu i depërtimit tonë paqësor në Ballkan.Ne e pranojmë se nga pikpamja strategjike,zotërimi i Sazanit mund të zëvendësojë humbjen e Vlorës… Por ky fakt nuk mund të pakësojë sadopak përmasën e katastrofës sonë në Shqipëri, e cila është kryesisht e një faktori politik dhe moral”.(Il Popolo d’Italia, më 5 gusht 1920 ).
Me organizimin e përgjithshëm që nisi me 6 dhjetor 1920,Xhandarmëria u njoh si armë më vehte.Organizimi i saj,pësoi ndryshime të ndjeshme,që kishin të bënin jo vetëm me ndarjen e formacioneve dhe emërtimin e tyre,por sidomos me mocione të reja përkundër detyrës luftarake që do të kryenin,në rrafsh të këtij organizimi të ri,trupat e xhandarmërisë ; “ndahen në 3-Krah – Komanda dhe nji Qark-Komandë dhe mvaren tanesisht prej komandes së Pergjithshme të xhandarmërisë”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë,fondi 152/5,dosja 613,fleta 76 ). Vënia në zbatim e këtij urdhëri, nis në janarin e vitit 1921,me krijimin në Durrës të Qark-Komandës e më pas të komandave të tjera në Shkodër,Mirditë,Gjirokastër dhe Vlorë.
Në verën e vitit 1921,xhandarëmëria shqiptare u vu përballë një problemi tejet të rrezikshëm.Asaj i duhej të përballej me fenomenin e “Republikës së Mirditës” të cilin ndonëse e udhëhiqte Mark Gjonmarkaj,ishte inicuar dhe paguar prej serbëve.Në ditët e para të korrikut 1921,Gjonmarkaj shpalli autonominë e mirditës dhe duke patur në krah forca ushtarake të Beogradit si edhe të gjeneralit bjellogardist Vrangelit,filloi luftrat për të zgjeruar kinse kufijtë e autonomisë së Mirditës.Trupat e xhandarmërisë mbi 800 vetë,në bashkëpunim edhe me rreth 400 trupa të ushtrisë kombëtare shqiptare,për javë të tëra u përleshën me forcat serbe dhe ruse,si për të ruajtur sovranitetin e Shqipërisë,ashtu edhe për të vendosur ligjet e shtetit shqiptar,i cili kërkonte të mbahej sidoqoftë në këmbë përballë trazirave të mëdha të mbrendshme dhe të jashtme.E vërteta është se në ditët e para të operacionit qeveritar,forcat e xhandarmërisë arritën të neutralizojnë veprimet rebele të mirditorëve të cilët mbështeteshin prej ushtarëve dhe oficerëve sllav.Më tej,xhandarmëria shqiptare mori plotësisht në duar situatën,duke vendosur ligjin e shtetit mbi shumë fshatra.Por Beogradi,duke mos u pajtuar me këto thyerje,nisi në drejtim të Mirditës një tjetër fuqi serbe të komanduar nga Halil Lleshi.Me porosi të këtij të fundit,pinjolli i një prej familjeve dibrane kishte organizuar që krejt ushtria serbe që pat hyrë në Shqipëri,ishte veshur me kostume vendase gjoja se Halit Lleshi komandonte me forcat dibrane.Forcat e xhandarmërisë shqiptare,ndonëse disa herë u qëlluan me artileri nga serbët,nuk u ndalën deri në kryerjen e plotë të misionit që u ishte ngarkuar,kudo ku ata merrnin nisiativën në duar bënë çfar ishte e mundur me veprime të forcës por edhe me propagandë,të bindnin mirditorët e gënjyer se autonomia e tyre do të realizohej vetëm mberenda autonomisë së shetit shqiptar,përndryshe çdo orvatje për t’u mbështetur tek Beogradi apo Vatikani,për të luftuar qeverinë e Tiranës,do të ishte një skllavëri e re.Është për t’u theksuar se mjaft prej luftimeve të forcave qeveritare shqiptare,të zhvilluara në Mirditë e rrethina në korrik-nëndor 1921 u ideuan dhe udhëhoqën prej ish-ministrit të mbrendshëm të asaj kohe burrit e trimit të Matit Ahmet Zogu.
Në vitin 1922,trazirat e brendshme në shtetin amë,diktuan nevojën e një riorganizimi tjetër në radhët e xhandarmërisë shqiptare.Kështu,nëpërmjet një qarkorjeje të Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë u udhëzua ngritja e stacioneve të xhandarmërisë nëpër pikat kyçe të qendrave të banuara dhe disa muaj më vonë,këtyre stacioneve iu ngarkuan edhe detyrat e vetë policisë sipas modeleve të përparuara evropiane të kohës.Në fund të vitit 1923,forcat e xhandarmërisë shqiptare të riorganizuara,të kompletuara dhe të stërvitura me kujdes të vazhdueshëm konsideroheshin një numër jo i vogël i forcave të armatosura kombëtare.Më saktësisht,në këtë vit numëroheshin 3133 xhandarë “prej të cilëve 146 oficerë,2588 nënoficerë dhe 91 xhandarë kalorës të lëvizshëm”. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë – fondi 152/5, dosja 490 , fleta 11 ).
Gjatë vitit 1923 dhe në pranverë të vitit 1924,xhandarmëria shqiptare me urdhër direkt të kryeministrit shqiptar Ahmet Zogut,mori pjesë aktive në çarmatosjen e shqiptarëve.Në të vërtetë,shkak për këtë ç’ramatosje u bë kryengritja e Mirditës,por më pas ky aksion u shtri në krejt Shqipërinë,duke dashur të mbyllte kështu sadopak mëritë e vjetra të shqiptarëve mes vedi si edhe mëritë ndaj shtetit.Mjaft prej studiuesve të huaj të cilët kanë jetuar në Shqipëri,kanë vënë re pikërisht këtë gjë,mërinë kolektive të shqiptarëve karshi ligjeve të shtetit,të inicuar nga pushtuesit. Ndërsa në vitin 1924,xhandarmëria shqiptare do të pësonte një shkatërrim moral dhe fizik,sidomos gjatë grushtit të shtetit të tipit bollshevik,me Nolin në krye.
Duke dashur të nënvizoj idenë se Ahmet Zogu,ka udhëhequr me kompetencë çdo organizim të xhandarmërisë si edhe lëvizjen e saj të përhershme drejt kahjes nacionale,mendoj të sjell në këto rreshta vlersimin e të huajve për burrin e Matit,lidhur me periudhën e ngjarjeve më 1924.
“Aritjet e Zogut gjatë kësaj periudhe ishin të pakta,kryesisht për faktin se problemet me të cilat u ndesh,ishin pothuaj të pakapërcyeshme… Sidoqoftë Zogut mund t’i njihen disa merita për vendosjen e një farë stabiliteti në Shqipëri.Ndonëse gjakmarrja nuk ishte zhdukur,numëri i vrasjeve ishte zvogëluar,kryesisht,sepse Zogu kishte çarmatosur një pjesë të madhe të popullsisë së vendit.Ligji dhe rendi,koncepte që kishin munguar pesë shekuj me radhë në Shqipëri,po ktheheshin përsëri,madje edhe në rajonet më të thella malore,aty ku edhe vet pushteti i perandorisë turke,në pikën e saj më kulmore,nuk kishte mundur të ushtronte kontroll të plotë.Një hap i vogël,drejt unitetit kombëtar ishte hedhur”.(Bernd Fisher,”Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri “, Tiranë më 1996,faqe 73 – 74 ).
Por edhe pas Triumfit të Legalitetit,më 24 dhjetor 1924,në pjesën e saj më të konsiderueshme, xhandarmëria shqiptare,shfaqi mentalitetin nacional të fituar.Dihet tanimë se Ahmet Zogu,falë konjukturave politike në Evropë e Ballkan,marshoi në Shqipëri,e vërteta është se dy-tre qind forca të xhandarmërisë shqiptare,të udhëhequra prej përkrahësve të Nolit e Gurakuqit, i bënë forcave të Ahmet Zogut disa prita,por ata u zbrapsën kurdoherë,përballë potencialit ushtarak të trimit të Matit.Nga ana e tij,Ahmet Zogu urdhëroi krejt ata xhandarë që kishte pas vetes,si edhe komandantët e çetave matjane,të evitonin sa të ishte e mundur luftërat e shqiptarëve ndërmjet vedit. Porosia e tij u zbatua dhe xhandarët shqiptarë që patën dalë të prisnin me pushkë ish-kryeministrin e tyre,që në përpjekjet e para kur mbetën robër u trajtuan me kujdes,madje as nuk u çarrmatosën.Ky fakt e shtoi në maksimum besimin e xhandarëve fanolistë,tek parimet atdhetare të Ahmet Zogut.
Sidoqoftë vitet pas Triumfit të Legalitetit dhe ata të konstituimit të Monarkisë,arma e xhandarmërisë erdhi duke u rritur e modernizuar nën kujdesin e drejtëpërsëdrejti të Naltëmadhnisë së Tij,Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogut.Ngase ndiqte me vëmendje të veçantë krejt zhvillimet e brendshme në Shqipëri,të cilat jo rallë karakterizoheshin nga mllefe e mërira të verbërta,Mbreti u detyrua shpesh të merrte në vëmendje këtë armë jo për ta përdorur si vegël në duart e veta,po që t’i jepte popullit qetësinë dhe rendin e duhur.Ndërkaq duke vendosur në vendet kyçe të xhandarmërisë shqiptare,kuadro ushtarake të Anglisë,Mbreti i Shqiptarëve,kërkonte të shmangte sa më shumë të ishte mundur dominimin italian në ushtrinë tonë kombëtare.E vërteta është se në vitet 30-të të shekullit të kaluar,Italia në bazë të traktateve të firmosura që më parë i kishte dhënë një mbështetje të madhe organizimit,funksionimit dhe zhvillimeit të ushtrisë shqiptare,në këtë kuadër edhe vetë xhandarmërisë.Por kur e panë se Ahmet Zogu,nuk ndikohej aspak në pozicionet e veta politike prej këtyre ndihmave nisën të presin ndihmat apo kreditë njëra pas tjetrës,duke dashur të tërheqin vëmendjen e trimit të Matit,i cili ishte tejet dyshues në interesimin strategjik të italianëve.Madje në një rast,kur këta u bindën se Ahmet Zogu nuk do të ndiqte politikat italiane në Shqipëri, e kërcënuan fare hapur.
Kështu,më 23 qershor 1934,në afërsi të brigjeve detare të Durrësit,u dukën gjashtë kryqëzore ushtarake dhe 13 skuadra destrojerësh italiane nën komandën e ndihmësadmiralit Kantu. Anijet, duke shpërfillur edhe të drejtën e flamurit shqiptar iu afruan Durrësit,ndërsa telegramet nga ministria e jashtme italiane ishin tejet kontradiktore.Në të vërtetë po ate ditë,Koch,përfaqsues i qeverisë italiane në Tiranë,i dorëzonte ministrit të jashtëm shqiptar një listë kërkesash në të cilën përfshiheshin kërkesat për çeljen e shkollave private italiane,rifutja në strukturat e ushtrisë dhe xhandarmërisë shqiptare të oficerëve madhorë italian si edhe disa kërkesa të tjera me karakter antikombëtar.Ishte e qartë se me aktin e 23 qershorit 1934,Musolini po luante me kartën e fundit të “dorës së hekurt”.Pikërisht këtë pat kuptuar Ahmet Zogu i cili urdhëroi repartet ushtarake si edhe ato të xhandarmërisë së Durrësit,të ishin në gjendje të lartë gadishmërie për të përballur sulmin italian të mundshëm.Ndërsa urdhëronte transportimin e armëve dhe municioneve,prej depove mbi qytet,Ahmet Zogu,porosiste të dërguarin italian në Tiranë të njoftonte urgjentisht Romën për tërheqjen e trupave detare,në të kundërt ata do të konsideroheshin si trupa pushtuese dhe do të goditeshin.Tërheqja e këtyre forcave të tyre dy ditë pas shkuarjes së tyre në Durrës,më 25 qershor 1934 tregoi në fakt se Musolini nuk do t’ia dilte dot,të luante me Mbretin e Shqiptarëve përmes represionit dhe forcës së armëve.Në këtë rast u dëshmua edhe më tej misioni atdhetar i xhandarmërisë shqiptare e cila mori nën mbrojtje krejt Durrësin dhe u vendos në llogoret e para të luftës së mundshme.Në kushtet e një keqësimi të “miqësisë” ndërmjet italianëve dhe shqiptarëve, forcat e xhandarmërisë jo vetëm qëndruan në gadishmëri të përhershme,por edhe zhvilluan më tej ndjenjat kombëtare përmes edukimit të gjithanshëm të tyre.Kështu,me porosi të N.M.së tij,Mbretit të Shqiptarëve ; “Të gjithë specialistët duhet të dijnë të shkruajnë e të lexojnë.Shkolla e analfabetëve duhet të mbikqyret shumë dhe të zhvillohet me kujdes dhe me zell të madh.Duhet të shënohen ato oficerë-mësues të aftë… me i nxit për studimin duke u dhanë shpërblime në të holla,me leje e të tjera”.(Arkivi Qendror i shetit.Tiranë,fondi 260.dos.54,fl.7 ).
Në kushtet e prapambetjes së madhe arsimore,në të cilën kalonte Shqipëria në atë kohë,është e kuptueshme se masat e tilla,do të ndikonin sadopak në formimin kulturor e atdhetar të xhandarëve shqiptarë.Ky dimension i jetës së xhandarëve shqiptarë do të reflektohej padyshim në përcjelljen e ideve nacionale,në çdo aspekt të veprimtarisë së tyre në popull.Është interesante të sjellësh në këtë rast,sidomos përshkrimet e të huajve të cilët e kishin parë dhe jetuar monarkinë shqiptare,në vitet më të bukura të saj.Njëri prej këtyre gazetarëve,amerikani John.J.Haunos,shkruan tekstualisht ;
“Para se të hyj në ekspozenë e dëshirës sime,duke parashtruar në opinionin publik disa sqarime, dua të tregoj zotësinë e Mbretit Zog,lidhur me unitetin kombëtar dhe kompaktësinë e gjnedjes së mbrendshme,në kohën e tij.Të gjitha fuqitë e mbretërisë shqiptare,ishin të përqendruara në ndërtimet e mbrendshme,për forcimin e unitetit kombëtar,kulturor dhe ekonomik të popullit të vet,në frymë thellësisht demokratike.Qeverisja ka qenë krejtësisht kombëtare duke menjanuar çdo influencë antishqiptare dhe antinacionale.Idetë demokratike,janë zhvilluar sipas brumit të popullit shqiptar,me një pamvarsi shumë të vogël,duke ndjekur besnikërisht kuptimin e vërtet të fjalës,me pjesmarrjen e popullit në raste publike… Zgjimi,zhvillimi dhe lartësimi i ndjenjës nacionale,për të cilën Mbreti Zog ka shkrirë gjithë përpjekjet e tij formon kurorën e suksesit të tij,sepse u arrit bashkimi i gjithë pjesëve të ndara të kombit”.( Gazeta “Sun “ New Jork , nëndorë 1943 ).
Të dhënat e reja të zyrës së shërbimeve të fshehta Angleze,për periudhën 1937-1939,na bëjnë me dije se veçanërisht Konti Çiano,ndërtoi një sistem të tërë të propagandës Italiane, e cila në thelb synonte italianizimin e ushtrisë shqiptare.Në këto vite pas përpjekjeve të shumta dhe të egra,në xhandarmërinë shqiptare u futën disa kuadro italiane,misioni kryesor i të cilëve ishte të krijonin celula aneksioniste në gjirin e ushtrisë shqiptare.Por edhe në këtë sens duhet thënë se orvatjet propagandistike italiane,nuk e realizuan dot misionin e tyre.Kuadrot e xhandarmërisë shqiptare,në vargun e gjatë të të cilëve,padyshim u dalluan :Mustafa Aranitasi,Tajar Tetova,Ali Fehmi Kosturi, Meleq Frashëri,Muharrem Bajraktari,Fiqri Dine,Aqif Përmeti,Banush Hamiti,Hysni Dema, Adem Boletini etj,dijtën t’u rezistojnë me forcë të paparë morale krejt synimeve aneksioniste italiane,duke u udhëhequr nga binomi i madh Atdheu,Kombi dhe Flamuri.
Ka pasur në radhët e xhandarmërisë shqiptare të atyre viteve edhe njerëz të paaftë,dembelë apo të korruptuar,kjo asesi nuk mund të mohohet,por fakti që këta njerëz,shumëshpejt vetëdenoncoheshin, shumë shpejt lëshonin radhët e lavdishme të xhandarmërisë shqiptare,tregon qartë për pastërtinë morale të kësaj arme në misionin e saj të madh,ngarkuar prej Mbretit të Shqiptarëve.Kufijtë e paprekshme të shtetit amë,ruajtja e rendit dhe qetësisë proverbiale të vendosur në ato vite, e ngrenë armën e xhandarmërisë shqiptare në vendin e merituar,përkrah armëve dhe shërbimeve të tjera të ushtrisë sonë kombëtare.Në fund të jetës së shkurtër të monarkisë shqiptare,mund të themi se autoriteti i xhandarmërisë shqiptare,ishte i madh dhe i padiskutueshëm.Shtypi shqiptar i kohës i ka dhënë vlersimet e tij me kohë,lidhur me këtë fakt ;
“Arma e gjindarmërisë filloi të riorganizohej dhe të vëhet në rrugën evet të vërtetë,si fuqi e sigurimit publik, e disiplinuar dhe në shërbim t’urdhnavet të administratës.Pastrohen radhët e saj prej elementeve kompromentonjës,tue u zavendësue gradualisht me të tjerë,të provuem për aftësi dhe edukatë ushtarake,të kryeme në shkollat e shteteve të Oksidentit.Me bashkëpunim organizues,të nji grupi të vogël oficerësh të huej,gjindarmërija jonë konkretizoj veprimin e kësaj arme,në tanësinë e viseve të Mbretërisë Shqiptare”.( T. Selenica “Shqipëria më 1937 “ Tiranë më 1938, faqe 266 )
Edhe në çastet e mbrame të jetës së monarkisë shqiptare,repartet e xhandarmërisë shqiptare, treguan me veprën e tyre besnikërinë e pafundme ndaj Kombit dhe Mbretit.Ishin me qindra kuadro dhe xhandarë të thjeshtë të kësaj arme,të cilët për të vënë në vend nderin e kombit të tyre,zunë karakollet e para mbrojtëse në brigjet pranë Shengjinit,Sarandës,Durrësit e Vlorës.Vështirë të shkruhet epopeja e lavdishme e 7 prillit 1939,pa evokuar heroizmin masiv të xhandarëve shqiptarë,shumë prej të cilëve dhanë dhe jetën në mbrojtje të nderit të kombit. Mesazhi i veprës së tyre përcjell ende në ditët e sotme dhimbjen e atyre luftëtarëve monarkistë,të cilët ende janë anonimë,vetëm e vetëm pse ishin nën urdhërat e Mbretit.Zhbërja e kësaj gjëme kombëtare,do të mund të na japë dimensionin real të heroizmës dhe sakrificës së xhandarmërisë shqiptare,në vitet e Monarkisë Shqiptare.A duhet ringritur përsëri Xhandarmëria,un do të thoja se po,më shum se kurrë!
Bern-Zvicër
Fotoja ilustruese: Gjeneral Jocelyn Percy(1871-1952)Ishte inspektori dhe instruktori i Xhandarmërisë
Shqiptare 1926-1938 së bashku me kolonel Neil Reiss.Foto e vitit 1931