30 Qershori/ Krim elektoral, Ademi: Depozitova kallëzimin penal

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ka depozituar sot në Prokurori kallëzimin penal për krimet elektorale të kryera në votimet e 30 qershorit duke paraqitur edhe provat për shkeljet e denoncuara:
“Si zgjedhëse dhe kryetare e Bashkisë së Shkodrës, kam depozituar sot në Prokurorinë e Shkodrës kallëzimin penal për krimet elektorale të kryera të votimet e 30 qershorit,” tha Voltana Ademi për kallëzimin i cili u shoqërua me dëshmi të cilat janë paralajmëruar edhe më herët:
“Kam paraqitur të gjitha provat që vërtetojnë shkeljet e ligjit në një proces që nuk kishte asgjë të përbashkët me zgjedhjet.”
Me këtë rast ajo i bëri thirrje prokurorisë: “Të bëjë detyrën dhe të hetojë pa iu nënshtruar asnjë presioni politik dhe çfarëdo lloj tjetër dhe të zbatojë vetëm ligjin. Po ashtu, kam nënvizuar se qytetarët e Shkodrës dhe gjithë shqiptarët e meritojnë të mësojnë të vertetën dhe të shohin drejtësinë të bëhet realitet.”