3 amendamentet për Kushtetutën, Bardhi: Kemi biseduar me ndërkombëtarët, jo parlament të korruptuar

PD do të depozitojë nesër 3 amendamentet kushtetuese që formalizojnë 3 propozimet për Vetingun e politikanëve, zhbërjen e ndryshimeve Kushtetuese të 30 qershorit të vitit të kaluar si dhe reformën territoriale. Në një prononcim për mediat pas takimit me demokratët e Komisionit të Ligjeve, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se këto amendamente janë në interes të qytetarëve, ndërsa nënvizoi se sipas tij ka ardhur momenti të mos kemi njerëz të korruptuar në parlament.

 

“Atëherë siç jeni njohur edhe gjatë komunikimit që kemi pasur dje pas mbledhjes së grupit, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, dje vendosi që gjatë javës të depozitojë disa amendamente kushtetuese për tre çështje madhore në interes të qytetarëve. Së pari, pastrimin e politikës nga të korruptuarit dhe individët me lidhje me krimin e organizuar. Së dyti, rikthimi i legjitimitetit të zgjedhjeve përmes ndryshimeve kushtetuese. Dhe së treti, një reformë të re territoriale që afron më shumë shërbimet tek qytetarët. Autorizojë Komisionin, anëtarët e Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve si grup pune për të finalizuar amendamentet. Sot grupi i punës u mblodh për të finalizuar amendamentet. U ra dakord për të gjitha çështjet që grupi parlamentar autorizoi dhe vendosi që ditën e nesërme të depozitojmë amendamentet kushtetuese që formalizojnë të treja propozimet që unë përmenda.

Vettingun e politikanëve, Reformë territoriale dhe reformë zgjedhore. Të treja çështjet, e ripërsëris, nuk janë çështjet të interesit për Partinë Demokratike, janë çështje në interes të qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur momenti dhe është ekzaktësisht ky momenti për të siguruar që në institucionet më të larta shtetërore në parlament, në qeveri, në institucionet kushtetuese të kemi persona të palidhur me krimin e organizuar dhe persona që nuk janë të korruptuar dhe nuk kanë vënë pasuri të paligjshme për shkak të funksionit, sikundër edhe një Reformë Zgjedhore të plotë që garanton zgjedhjet të lira dhe të ndershme dhe një Reformë territoriale që çon shërbimet atje ku qytetarët janë dhe anasjelltas siç është aktualisht pushteti vendor. Nesër ju do të njiheni edhe me propozimet tona të plota për të treja çështjet“, tha Bardhi.

 

Bardhi la të nënkuptohej se PD ka pasur bisedime edhe me ndërkombëtarët për këto propozime. Nga ana tjetër i bëri thirrje mazhorancës që ti votojë duke menduar për qytetarët.

“Detyra e opozitës është të ofrojë zgjidhje që kanë qytetarët, ne nuk shohim interesin e PD. Mazhoranca megjithë problemet që ka pas zgjedhjeve do duhet ti rikthehet interesit të qytetarëve. Deputetet e PS të mendojnë për qytetarët. Ka patur, ka dhe do ketë një proces informimi me ndërkombëtarët mbi çdo propozim të PD, e rëndësishme është që nesër i depozitojmë të 3 amendamentet”, shtoi Bardhi. be.k/Abcnews.al