Basha paralajmëron Ramën nga Shkodra: Ajo që nisi në Kukës nuk do ndalet

 

Nga Shkodra ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 2 Prillit, vrasjes së 4 dëshmoreve të demokracisë, Lulzim Basha lëshoi paralajmërime të prera për qeverinë.

Revoltën e Kukësit e quajti pikënisjen e një pranvere protestash që nuk do të ndalen përballë Edi Ramës dhe klikës së tij, që kryedemokrati e quajti të kapur nga oligarkët e krimit.

Lulzim Basha: Ky është muaji, ku maska e Edi Ramës ka rënë para çdo shqiptari.Taksa e “Rrugës së Kombit”, TVSH-ja për bizneset e vogla, taksa e rritur e banesave dhe pronave, faturat e rritura të ujit dhe të dritave, përjashtimi i mijëra familjarëve nga ndihma ekonomike, janë aktet e fundit të një grabitqari dhe mashtruesi, që pasi vjedh, përbuz dhe tallet me popullin e tij. Por unë i them sot nga Shkodra, se i ka bërë hesapet gabim.I them sot nga Shkodra, se ajo që nisi në Kukës nuk do të ndalet dhe nuk ka për të ndalur, derisa tirania e krimit të rrëzohet!5 ditë më parë e sfudoi popullin me fjalorin e tij të ndyrë.

Populli i Kukësit i dha përgjigjen e merituar. Ai ishte reagimi i njerëzve që nuk munden më të pranojnë taksat e rritura, të pranojnë kërbaçin dhe haraçin e Edi Ramës me një grusht njerëzish qëe pasurohen mbi gjakun dhe djersën e tyre. Nuk ka rrugë tjetër për të larguar të keqen përveçse përballjes me të, Kukësi u përball dhe e ndali të keqen.Së bashku me Kukësin, do ta zbrapsim.Le të jetë ky, një fillim i mbarë i pranverës që po vjen.

Reagimi është e vetmja formë për të luftuar të keqen dhe nga sheshi ku mbeten të vrarë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, kreu i Partisë Demokratike bëri një zotim, që lidhet me modelin e qeverisjes që do të ketë neser forca e tij politike.

Lulzim Basha: Zotohemi së bashku në këtë altar të lirisë se gjithë sa kemi denoncuar si opozitë as nuk do ti falim, as nuk do t’i harrojmë kur të vijë ora e përgjegjësisë së pushtetit: ne nuk do falim askënd që ka bashkëpunuar me krimin, askënd që ka vjedhur dhe grabitur shqiptarët. Nuk do të ketë politikan nga kryeministri deri tek punonjësit më të thjeshtë të administratës që nuk do japë llogari për vjedhjet, grabitjet, dhunimet që i janë bërë vendit, Kushtetutës dhe ligjit. Ne do ta çlirojmë ekonominë nga oligarkët e paskrupuj dhe grabitqarë që vjedhin çdo gjë përmes koncesioneve, PPP-ve dhe pazareve me politikanë.

Të zotohemi t’ia heqim lakun në fyt biznesit të vogël, të rikthejmë projektin tonë ekonomik, më modernin në Ballkan, me përjashtimin nga TVSH-ja të gjithë sipërmarrjeve të vogla, me xhiro nën 12 milionë lek të reja në vit. Le të rikthejmë projektin tonë të zhvillimit të sigurtë, me standarde dinjitoze, me paga dhe punësim dinjitoz, me siguri dhe të ardhme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Nga ky vend i shenjtë për të gjithë demokratët dhe shqiptarët e lirë, deklarojmë edhe një herë, si çdo vit, se heronjtë e 2 prillit dhe ëndrrat e tyre janë frymëzimi ynë i pavdekshëm.

Më tej ai nuk hezitoi të akuzojë qeverinë Rama për sjelljen diskriminuese ndaj Shkodres dhe veriut, duke krijuar sipas Bashës ndasi të qëllimta krahinore.

 

 

Voltana Ademi: Europa ia ka vënë vizën qeverisë dhe kryeministrit Rama

 

Në fjalën e saj Ademi tha se “Heronjtë nuk vdesin kurrë” por sipas saj kjo qeveri ka vrarë ëndrrën e lirisë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Kësaj qeverie, këtij kryeministri dhe klikës në pushtet, tha Ademi, Europa ia ka vënë vizën.

Voltana Ademi: Në vitin 1991 e donin Shqipërinë si gjithë Europa. Por a mund të na pranojë Europa siç jemi ne sot me një Ministër të Brendshëm që sa ishte në detyrë ishte kreu i bandës më të madhe të kultivimit dhe trafikimit të drogës?

A mund të na pranojë ne Europa me një kryetar parlamenti si Gramoz Ruçi i cili me 2 prill të vitit 1991 ishte Ministër i Brendshëm i Ramiz Alisë? A mund të na pranojë Europa me një Ministër të Brendshëm aktual i cili krenohet me foton e tij në krah të ish-dikatorit Enver Hoxha dhe vëllai i të cilit kërkohet për trafik droge?

A mund të na pranojë Europa në gjirin e saj me një Kryeministër si Edi Rama i cili pasuron klikën e tij, Nushin e kompani me lekët e shqiptarëve dhe rrënon përditë shqiptarët e thjeshtë me taksa shumë herë më të larta se në BE, siç është edhe rasti i Rrugës së Kombit? Përgjigjen e di unë, ju dhe gjithë shqiptarët. Jo, Europa nuk e pranon këtë qeveri, nuk e pranon këtë kryeministër.

Është e qartë se ua ka vënë vizën por fatkeqësisht pasojat e keqqverisjes së vendit po i vuajnë të gjithë shqiptarët përditë. Sot jemi mbledhur të përkujtojmë me respekt të thellë dhe nderim të lartë, katër dëshmorët që ranë me 2 prill 1991. Idealet e tyre janë të gjalla sepse jetojnë tek secili prej nesh. Këtë kryeministri, këtë Edi Rama dhe klika e tij në pushtet e dinë shumë mirë. Më shumë se kurrë, ata duhet ta dëgjojnë sot thirrjen tonë për kujtesë.

Vetë familjarët e dëshmorëve të demokracisë që ende edhe sot pas 27 vitesh kërkojnë drejtësi, akuzojnë fajtorin e vertetë sipas tyre të vrasjeve, Gramoz Ruçin, që edhe sot është në krye të kuvendit.

Homazhet u mbyllën më një vizitë në bashkinë Shkoder, ku Basha nderoi familjarët e 4 dëshmoreve.