2 korrik 1990, Dita e parë e Pavarësisë së Kosovës

29 vite më parë delegatët e Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut. Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave që sot mund të quhet edhe Dita e parë e Pavarësisë së Kosovës.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 u lexua nga Muharrem Shabani delegat, jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake. Me këtë rast, Muharrem Shabani tha se me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
Kurse Ilaz Ramajli nënkryetar i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës në një bisedë për Radio Kosovën thotë se deklarata Kushtetutese e 2 korrikut dhe Kushtetuta e 7 shtatorit, janë dy ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës:
“Në atë kohë kishte filluar shpërbërja e ish Jugosllavisë, dhe duke e ndjekur rrjedhën e ngjarjeve dhe interesin e qytetarëve shumicë të Kosovës atëherë, Kuvendi I Republikës së Kosovës e ka kryer detyrën e vet dhe delegatët me 2 korrik kanë nxjerrur deklaratën kushtetutese për Kosovën Republikë dhe me vonë me 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ai duke shtuar se deri tek kjo Deklaratë, është dashur një unifikim i përgjithshëm i popullatës dhe përfaqësuesve të atëhershëm shqiptar:
“ Pa unifikimin e plot të faktorit shqiptarë i cili u bë në atë kohë, vështirë se do të kishim një rrjedh të ngajrjeve ashtu siç ndodhi dhe siç përfundoi me largimin e pushtetit serb nga Kosova dhe shpalljen e pavarësisë së plot siç e kemi sot të Republikës së Kosovës..”
Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës.
Deklarata e 2 Korrikut 1990, ishte dhe dita e parë e pavarësisë së Kosovës ndonëse klasa politike aktuale me në krye Presidentin Hashim Thaçi, ka bërë përpjekjet maksimale për tjetërsimin e historisëpër ta kthyer këtë akt historik të shtetndërtimit të Kosovës në një akt formal.