· “Iluzionet e Humbura”

Nga Roland Bejko

Nuk e kam fjalën për sagën e Balzakut, por për të gjithë ata që nuk besonin se Berisha nuk kish për qëllim të hidhte në dorë PD për interesat e veta personale, por se me demek i’u hap barku tani pas 30 vjetësh që ta deberishizojë atë, pra ta demokratizojë.
Dje në Kavajë, i eksituar nga salla e mbushur me njerëzit e dëshpëruar nga humbja e 25 prillit, Berisha e shpalli qartë qëllimin e tij.
Atij zotërisë i duhet PD -ja se nuk e duron dot faktin që USA, si atë edhe Metën i përzuri nga Tryeza e Madhe e vendimarrjes në politikën shqiptare duke e lënë në dorën e dy vetëve vendimarrjen dhe “shernajën” politike shqiptarëve, pra të Bashës dhe Ramës.
Këtu e ka bazën dhe kërcënimi që Ai dje nga Kavaja u bëri deputetëve të PD-së që të mos firmosin asnjë dokument që Ai e quan “marrëveshje” Rama-Basha.
Jo se Berisha nuk ka firmosur më parë “marrëveshje”me kundërshtarët politikë, siç ka qenë njëra bie fjala më 2008 kur bënë të famshmet ndryshime kushtetutuese, ku ndryshoi dhe sistemi xgjedhor, pasojat e të cilës po i vuan sot demokracia shqiptare dhe vet PD, por se Ai nuk mund ta durojë dot faktin që ish Biri i tij që e mbajti peng në krye të PD-së për 8 vite, të shkojë të bëjë “marrëveshje” politike pa miratimin e vet atij.
Sali Berisha, më mirë pranon vdekjen, sesa t’i marrin PD-në në gjallje të tij. Kështu që Ai është i gatshëm ta marrë me dashuri në var PD-në nën moton, “Pas meje u bëftë qameti”!
Kur t’u dalë dalldia mbështetësve të tij që e kanë ndjekur në çdo “Fajtore”, dhe kur të vijë ai çasti që të zhgënjehen nga “Baba”, apo siç e quan një miku im, nga “Princi i Gjullurdisë”, do jetë shumë vonë.
Zhgënjimi i tyre pastaj, do jetë edhe më fatal se ai i pas 25 prillit sepse me të në krye, PD do jetë krejt e izoluar duke ndërtuar e vetme “punizmëm-sovranizmin” buzë Adiriatikut.
Të dh*erë, por krenarë, ama!
Si zgjidhet kriza? Kush mund, dhe si bashkohet PD? Si bëhet ajo e zonja për të qenë në pushtet?
Për të interesuarit e kam sonte një përgjigje te Erla Mëhilli në Euro News Albania Tv, në orën 20 45.
Ps. Deklaratën e më poshtme e kam dhënë te Ora News, më 23 shtator.