Shoku Ruçi, ministri i fundit i tmerrshëm i të tmerrshmit regjim komunist

Shoku Ruçi, ministri i fundit i tmerrshëm i të tmerrshmit regjim komunist

Nga Nada Meçorrapaj *

Shoku Kryetar i Kuvendit;
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë;
Të dashur vlonjatë që po na ndiqni:
Unë jam deputete e Vlorës, dhe këtë gjë e ndaj me Kryeministrin. Ajo që nuk ndaj me të, dhe që më habit, është një gjë tjetër, që mua më duket madhore. Vendimi i tij për të vënë në krye të Kuvendit Gramoz Rucin, ministër i diktaturës.
Unë e di se ndokujt, ndoshta edhe shumicës së njerëzve, ua vret veshin ose i lë neutral, debati për diktaturën. Si pasardhëse e një familjeje të përndjekur nga regjimi i Enver Hoxhës, nuk i kuptoj. Si shqiptare, që ka ndarë këtë persekutim në familjen e saj për dekada, u kërkoj unë atyre që të më kuptojnë.
Unë nuk kam asgjë kundër z. Ruci apo shokut Gramoz. Si njeri i uroj shëndet dhe mbarësi. Llogarinë e fundit do ta ketë me Zotin, edhe pse ai si komunist nuk beson në Zot.
Por, z. Ruci nuk është vetëm person, ai është edhe identitet politik. Përfaqësues i një force politike dhe i një simbolike politike. Eshtë, do apo nuk do ai dhe kolegët e tij të majtë, ministri i fundit i të tmerrshmes Ministri të Punëve të Brendshme, i të tmerrshmit regjim diktatorial komunist.
Kemi ardhur në një ditë kur faktet shihen si propagandë dhe propaganda shitet për fakte. Eshtë fakt që shoku Gramoz ka qenë zyrtar i lartë i regjimit komunist, nuk është propagandë. Eshtë propagandë ajo që bën z. Rama duke u munduar që këtë fakt ta ambalazhojë lehtë e bukur, si të ishte karamele ‘Zana’.
Unë nuk jam këtu në rolin e prokurores. Nuk dua dhe nuk mund të them se Gramoz Ruci ka bërë këtë e atë të zezë, ka vrarë këtë e atë njeri. Ja, po e ‘shfajësoj’ nga çdo akuzë dhe po them se nuk ka bërë asgjë. Por kjo mëshirë e imja nuk ka asnjë vlerë.
Edhe sikur të mos kish bërë asgjë, ai ka qenë hierark i lartë i regjimit. Kaq mjafton. Pse jemi ne kaq të ndryshëm nga vendet e tjera, që ua ndalojnë zyrtarëve të lartë pjesëmarrjen në jetën publike?
Zotërinjtë Rama dhe Ruci, ndoshta nuk i shqetëson kjo. Ndoshta, as shumë shqiptarë nuk i shqetëson kjo. Dhe nuk u vëmë dot faj shqiptarëve. Hallet e tyre nuk janë për ideologjinë dhe të shkuarën, por për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Por elitave, ku z. Rama bën pjesë, u takon që të mendojnë edhe për shoqërinë. Ata që qeverisin, zgjidhen jo vetëm për mirëqenien fizike të vendit, por edhe atë shoqërore.
Ish-zyrtarët e lartë të komunizmit me poste të larta në demokraci e prishin këtë mirëqenie shoqërore. Ata na thonë se nuk ka rëndësi se cfarë bën në jetë. Shoqëria nuk e vë re. Ata që e kanë vënë re, duke e pësuar në kurriz, nuk kanë rëndësi.
Ky është kuptimi yt për shoqërinë, zoti Rama?
Të dashur kolegë deputetë, të nderuar shqiptarë që na ndiqni!
Kur politikanët këtu në Tiranë e stolisin me këta xhevahirë majën e kurorës së shtetit shqiptar, cfarë mendoni se ndodh më poshtë. Në Vlorën time, apo në Dibrën, Shkodrën, Gjirokastrën dhe Elbasanin tënd.
Në Vlorë nuk janë të panjohur për qytetarët ata që kanë mbajtur poste të larta në komitete, drejtori apo Sigurim, dhe sot janë ricikluar si zyrtarë të Rilindjes. Ata nuk sjellin me vete vetëm të shkuarën e tyre. Ata bartin edhe frymën e asaj kohe. Mënyrën se si bëheshin dhe konceptoheshin gjërat në atë kohë.
Një prej tyre është edhe mungesa e respektit për votën e lirë. Në komunizëm nuk kishte zgjedhje, por votime. Kjo ishte epidemia, apo fryma e keqe që sundoi në Vlorë dhe në Shqipëri. Votime në vend të zgjedhjeve.
E faktoi edhe raporti i Task Forcës, të cilin Kryeministri e injoroi. Sic injoroi edhe vetë pjesëtarët e Task Forcës. Sic injoroi të gjithë procesin elektoral. Sic shpërfilli edhe votuesit e tij, të cilët shkoi t’i dëgjonte pasi u kishte marrë votën.
Sot na paraqitet këtu programi qeverisës më i cuditshëm në botë. I ndërtuar, jo mbi programin e paraqitur në publik gjatë fushatës elektorale, sic është zakoni në demokraci. Jo. Ai është ndërtuar me dëgjesa paszgjedhore.
Ndoshta është program artistik, sepse program qeverisës nuk mund të jetë.
Për t’ju kthyer votës së lirë dhe raportit të Task Forcës, dua të bëj publike gjëra që kam parë vetë në terren gjatë fushatës elektorale në Vlorë.
-Ka patur punësime të panumërta gjatë fushatës elektorale. Në minierën e Selenicës, për shembull, janë punësuar njerëzit në qershor dhe janë shkarkuar nga puna në gusht.
-Ka patur kërcënime dhe heqje nga puna të atyre që dyshoheshin si të lëkundur apo demokratë
-Ka patur përfshirje të administratës shtetërore në fushatë në mënyrë të përsëritur dhe të pakufizuar.
-Ka patur blerje masive të votes, sidomos në fshatra dhe në lagjet e varfra të qytetit.
-u është lënë dorë e lirë trafikanëtve të drogës, të cilët kanë mbjellë lirisht hapësira të mëdha me kanabis dhe i kanë përdorur paratë gjatë fushatës në favor të Partisë Socialiste.
Këto që po them nuk kërkojnë ndonjë certifikim politik këtu në sale, apo certifikim mediatik nëpër redaksi. Vlonjatët i dinë, i dinë edhe shqiptarët, dhe mua kjo më mjafton.
Vlonjatët dhe shqiptarët, dinë gjithashtu se zgjedhjet e 21 qershorit nuk zgjidhën gjë. Ato shënuan një ditë në kalendarin politik të Shqipërisë, dhe kaq.
Numri i të vdekurve në aksidente automobilsitike gjatë kësaj vere ngjante me një bilanc lufte. Në bregdetin e Vlorës ka patur ditë edhe me katër të vdekur. Nuk ka kurrfarë sigurie në plazhe: nëse shpëton pa u mbytur, do të mbetesh i vrarë nga motorët e ujit. Kombësia nuk të bën punë. Mund të jesh shqiptar, rus, polak apo gjerman dhe sezoni turistik shqiptar nuk të diskriminon. Ai të vret po njëlloj.
Lagjet e qytetit dhe fshatrat e Vlorës i ndajnë shumë gjëra, por i bashkon një e vetme, që është edhe jetike: U thahet buza për ujë. Është paradoksale që ne jetojmë në breg të të gjitha ujrave dhe vuajmë mungesën e ujit.
Fshatrat, padyshim, vuajnë më shumë se qyteti. Thuajse të gjitha kanë problemin e ujit të pijshëm dhe të qendrave shëndetësore që mungojnë.
Shëndetësia falas nuk ka mbërritur në fshatrat e Vlorës. Madje, nuk ka mbërritur as shëndetësia e shtrenjtë.
Mungesa e kujdesit shëndetësor nuk e pengon fare praninë e mizorisë shtetërore. Unë kam qenë në dy familje të lagjes Cole, kryefamiljarët e të cilëve ishin me probleme shëndetësore të rënda. U ishte hequr kempi dhe ishin hequr edhe nga skema e ndihmës ekonomike. Nuk janë të vetmit që për arsye abuzimi të administratës shtetërore janë në prag të dorëzimit dhe të vetëfliijimit.
Pse, nga kujtoni se vijnë gjithë ata që vendoin t’i japin fund jetës cdo ditë? Shqiptarë janë, jo nga një planet tjetër.
A i reflekton këto programi i qeverisë tuaj? Si cdo gjë ‘e mirë në letër’, ndoshta po. Por katër vite të kaluara nën qeverisjen tuaj janë prova që nuk e keni problem të premtoni botën. Në fund të kërkoni timonin, sepse në tepsi po iu fusnin hundët brejtës të tjerë.
Tani i keni të gjitha: timonin, kazanin dhe tepsinë.
T’i gëzoni e ti shpërdoroni!
Por, Shqipërinë nuk jua lëmë ta përdorni si të doni!
*Deputete e Vlorës. Fjala në Kuvendin e Shqipërisë