Rezistenca e Drenicës : Kur partizanët e  Shqipërise masakronin Kosovën për hesap të Serbisë

Rezistenca e Drenicës : Kur partizanët e  Shqipërise masakronin Kosovën për hesap të Serbisë

Nga Av. Xhafer Sadiku

 

(5 – 10 dhjetor 1944)

Me kalimin e divizioneve partizane shqiptare në Kosovë, nacionalistët e Kosovës u ndodhen përballë tre zjarreve: çetnikëve të Mihajllovicit, partizanëve të Titos dhe aleatëve të tij, komunistëve të Enver Hoxhës.

Pasi vunë nën kontroll pjesën më të madhe të Kosovës, forcat komuniste shqiptaro-jugosllave gjetën rezistencë në Drenicë. Grupimi më i madh i rezistencës ishte grumbulluar në malet e Cicavicës. Fuqija e tij, simbas informatave të shtabit partizan, ishte reth 700 persona, të armatosun me armë të lehta e të këmbësorisë. Grupin e komandonte Mehmet Gradica. Në tërë krahinën e Drenicës si psh. rreth Kijevos, Sverkos, Ukcës, Rakeshit e tjera gjendeshin grupe të vogla ose të mëdha shqiptarësh të armatosun, që komandoheshin prej Jakup Ramës, Demali Pozharit, Mehmet ag Berishës, Mehmet ag Rashkocit, Bajram Gashit etj. Krejt sektori i Drenicës asht i armatosun, – theksohej në Urdhërin e veprimit të komandës partizane. Ata bënin përpjekje të lidheshin me grupe të tjera të Kosovës. Komanda partizane konstatonte se “ Anmiku ia ka dalë qi në disa katunde të këtij sektori të lidhet me masat e t’i organizojë për qendresë kundra nesh”, dhe arrinte në konkluzionin se ishte e nevojshme nji goditje e fortë për me i nda popullin prej drejtuesve.
Operacioni do të zhvillohej nga 5 deri në 10 dhjetor 1944 dhe do të fillonte në të njëjtën kohë. Spastrimi përfishnte një zonë të gjërë, e cila do të ishte e rrethuar dhe sulmi më i ashpër do të zhvillohej ku do të ishte rezistenca më e madhe.
Në operacion morën pjesë forca të mëdha partizane:
-Brigada e VII –ë e Kosmetit në sektorin Rahovec – Ostrezub-Banjë.
-Brigada e III e Kosmetit në sektorin Suharekë – Rahovec.
-Brigada 25 e divizionit 46 te UNCL te Jugosllavise, në sektorin Sllatinë – Prillushnje – Mitrovicë – Vuciternë.
-Brigada e V e divizionit V të Korpusit të III shqiptar.
-Brigada III e divizionit V të Korpusit të III shqiptar në sektorin Mitrovicë-Klinë e Epërme-Rudnik-Rakesh-Istok.
-Aradha e Ibrit do të vepronte në sektorin e Istokut.
Më 9 dhjetor, shtabi partizan i Brigadës V –të dha urdhër të kapeshin Ferhat Draga, Ibrahim Lutfiqi, Tefik Bektashi, Barjam Gashi, Bikaj i Pazarit të Ri, Aqif Luta, Gjevat Begolli, Gjelal Preveza, Hamdi Gashi, Imer Berisha, Mehmet Gradica, Shahin Gërdeci, Hysen Gërdeci, Riza Tahiri, Adem Shala, Muharrem Mitrovica. Këta -theksohej në urdhër, “kanë lidhje dhe bashkëpunojnë me tradhëtarët e vendit”: Myftar Bajraktari, Sadik Zeneli, Sadik Lutani, Regjep Fekvojvoda, Mulla iliazi, Mulla Brahimi, Mulla Rexhepi, Feza Runiku, Isa Zymberi, Xhemal Xhelili, Ali Lladrovci, Ali Prekazi, Gani Mehmeti.
Këta të fundit, sipas shtabit partizan, “kanë organizuar dhe organizojnë reaksionin e brendshëm (e këtushëm”.