Përbindëshi i Sigurimit , Skënder Kosova

Përbindëshi i Sigurimit , Skënder Kosova

Nga Agustin Miraka

Sigurimi i Shtetit në vitin 1950
E shoqja e Hysni Babametos, e Beshirit etj., ajo e Abdyl Kokoshit, e Selfos, mbërrijnë të thonë se mënyra me të cilën na trajtojnë partizanët, ia kalon gjermanëve, grekëve dhe italianëve.
Skënder Kosova, kryepolici i Tiranës i viteve të para të çlirimit, ishte bërë tmerri i qytetit, sidomos i familjeve të të dënuarve politikë. Dokumentet e Sigurimit përmbajnë dhjetëra denoncime të grave të të arrestuarve për sjelljet brutale të tij. Autoriteti lokal i Sigurimit, si Skënder Kosova, shkruhet në një syresh që mban datën 13 janar 1947, e ka tepruar me qëndrimin kundra grave dhe familjarëve të armiqve të dënuar. Teprime të tilla, si bastisje shtëpish dhe plaçkitje sendesh personale, ku nuk kurseheshin as teshat e trupit, në Tiranën e atyre viteve krahasoheshin me ato të pushtuesit. Sidoqoftë,Kosova nuk ishte një rast i shkëputur, por pjesë e profilit brutal të Sigurimit.

“Para pushkatimit të dënuarve politikë u grabisnin sendet personale”

“Njerëzit e Sigurimit në çastet e fundit u rrëmbenin orët, unazat dhe monedhat e floririt”

Po të ndodhte mrekullia e të ngriheshin edhe një herë nga varri viktimat e kryqëzatës së Sigurimit të Shtetit, veç torturave të tmerrshme, barbarisë në Hetuesi dhe akuzave monstruoze, do të rrëfenin edhe një pjesë të panjohur të makabritetit të ushtruar ndaj tyre në çastet e fundit. Çdo syresh, para se të mbyllte sytë e të ndahej nga kjo botë, është grabitur përdhunshëm nga njerëzit e Policisë Sekrete në kushte çnjerëzore e në terr të plotë. Profili i krimit në këtë rast, mund të ishte zhdukur bashkë me viktimat, por me sa duket, nuk ka shpëtuar pa lënë gjurmë në forma të ndryshme në dosjet e Policisë Sekrete. Kastriot Dervishi, drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, pas hulumtimeve të shumta ka zbuluar së fundi dokumente autentike e dëshmi të pakontestueshme që provojnë praktikën makabre të grabitjes së të dënuarve politikë para ekzekutimit. Gjatë rrëfimit për “Panorama”, kreu i institucionit të memories së Sigurimit të Shtetit zbardh një mori faktesh rrëqethëse, duke hedhur dritë mbi mënyrën si funksiononte ky mekanizëm barbar. Fillesat e kësaj plaçkitjeje, pohon Dervishi, janë shfaqur qysh në fillimet e viteve ’40, ku në emër të luftës kundër “reaksionit” dhe armikut të klasës, shqiptari jokomunist përballej me babëzinë e grupit që përgatitej të merrte pushtetin. Po si e argumenton më tej drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme historinë e panjohur të këtij krimi çnjerëzor…

Zoti Kastriot, shumë nga të afërmit e viktimave të regjimit komunist, por jo vetëm, kanë denoncuar rastet e sekuestrimeve që shoqëronin procesin e persekutimit të tyre. A ka në Arkivin e Ministrisë së Brendshme një inventar për to dhe si veproni me të interesuarit që kërkojnë ndihmën e institucionit tuaj?
Arkivi i Ministrisë së Brendshme në një farë kuptimi është memoria e këtij përbindëshi të regjimit komunist. Por jo të gjitha marrëzitë e tij mund të gjenden aty. Ca më tepër, inventari i materialeve të sekuestruara, i cili në pjesën më të madhe është bërë jashtë ligjeve të kohës. Pra, Arkivi nuk posedon dokumente zyrtare për sendet dhe materialet që u janë sekuestruar të dënuarve politikë. Ato pak të dhëna që kemi janë nga burime të nivelit të dytë, që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me procesin e grabitjes. Është kjo arsyeja që interesit të vazhdueshëm të subjekteve që kanë vuajtur e janë plaçkitur, nuk u vijmë dot në takim. Sakaq, të dhënat e tjera për konfiskimin e floririt janë regjistruar në fondet arkivore të degëve të Brendshme. Placckitja në rastin e sendeve personale bëhej kur personi arrestohej. Ndërsa çështja e florinjve ka pasur karakter tjetër, pasi fillonte nga “gjobëvënia” e mbaronte deri te përndjekja…
Megjithatë, me burime nga institucioni tuaj dhe Arkivi i Shtetit disa herë janë bërë publike raste të veçanta të sekuestrimeve, sidomos të monedhave dhe sendeve të floririt. A ka një shifër zyrtare për këto të fundit?
Mënyra e grabitjes së sendeve të floririt, në rastin e të dënuarve politikë, në pjesën më të madhe, nuk është zbatuar si procedurë zyrtare, por si grabitje ordinere, duke shfrytëzuar pozitat e pafavorshme të viktimave. E vetmja shifër zyrtare, referuar dokumenteve të Sigurimit, është ajo e vitit 1948, e botuar në vitin 1984 në revistën “Në shërbim të popullit”. Sipas saj, që nga lufta e deri në atë periudhë ishin sekuestruar 43.816.682 copë të tilla. A është e plotë ajo? Pa dyshim që jo. Rezervat në këtë rast nuk kanë të bëjnë vetëm me sasinë, por edhe me kohën, pasi kjo lloj grabitjeje ka nisur që në vitet e luftës. Pra, në thelb ky lloj konfiskimi kishte nisur qysh herët në emër të luftës ndaj “reaksionit” dhe armikut të klasës. Shqiptari jokomunist ishte personi që duhet të vuante babëzinë e grupit që përgatitej të merrte pushtetin. Vetë regjimi të cilin përfaqësonte Sigurimi, në një farë mënyre ishte një regjim banditësh.
Me pak fjalë, regjmi komunist është shfaqur që në fillim si një regjim banditësh…
Profilin banditesk të tij shqiptarët e kanë provuar qysh në vitet e luftës, të epokës që komunizmi e veçonte si më të lavdishmen. Lavdia me sa duket kishte lidhje edhe me këtë dimension grabitës. Mjafton t’u kthehemi dokumenteve që kanë lënë protagonistët e kësaj kauze. Në ditarin e një partizani të njohur, që më vonë u bë shkrimtar, kur flitet për historikun e Brigadës së Parë, shkruhet: “Pas një nate ecjeje hyjmë në Dumre, partizanët ia nxorrën inatin reaksionarëve. E kam fjalën për çifligun e Ibrahim Biçakçiut, ushqim pa masë, duhan me rrogozë e, mbi të gjitha, mish prej dhie që kishte 4 gisht dhjamë. U kënaqën partizanët e bajshin shaka mes tyne, tue thane mos na lente Zoti pa reaksionarë! Në Dumre kishim lopë që thernim, të cilat ua merrshim atyre çdo ditë.” Nuk bëhet fjalë këtu për një dëshmi të zakonshme, por për një dokument autentik i ruajtur në Arkivin e Partisë së Punës, sot pjesë e AQSH-së…
Ndoshta ky mund të jetë një rast i shkëputur…
Të tillë, vetëm në dokumentet që kanë shkruar me dorën e tyre njerëzit e regjimit, janë me dhjetëra. Kjo lloj sjelljeje, sidomos pas qershorit 1944, kur nisi “mësymja ndaj reaksionit”, u bë gati masive. Tipik është rasti i fshatit Fushë-Alie i Dibrës. Aty partizanët “duke luftuar reaksionin” u lëshuan në tapetet e orenditë e shtëpive. Morën çdo gjë që gjetën, sepse i quanin të “kriminelit Halil Alia”. I ashtuquajturi “reaksion” në këtë rast përbëhej nga fshatarë të zakonshëm, familje të mesme dhe të pasura…
Sidoqoftë, pas luftës fushata e sekuestrimit u bë më masive, madje e përligjur me akte e procedura zyrtareve. Nga buronte agresiviteti i regjimit për të rrënuar pronën e qytetarëve?
Filozofia e shkatërrimit buronte më së shumti prej formimit të ekipit drejtues komunist. Në Këshillin e Ministrave, organet e PKSH-së, Kuvendin Popullor, Drejtorinë e Sigurimit, Ministrinë e Mbrojtjes etj., qysh me krijimin e shtetit komunist, depërtoi elementi me precedent kriminal. Mjafton këtu të përmend faktin se njëri prej ministrave në qeverinë e parë të Hoxhës kishte qenë në kërkim për vrasje të më shumë se dy personave. Vrasës ordinerë, kontingjente kriminale etj. u bënë oficerë, gjykatës, prokurorë, hetues etj. Po kështu, të tjerë persona që kishin probleme deri te hakmarrjet personale, morën pushtet, të cilin në jo pak raste e përdorën atë kundër njerëzve më të cilët kishin pasur probleme.
Përtej kësaj konsiderate të përgjithshme, do të ishte me interes ndonjë rast konkret…
Në Tiranën e asaj kohe ishte bërë i famshëm oficeri i Sigurimit, Skënder Kosova. Në informacionin e Sigurimit të datës 13 janar 1947, për sjelljet e tij, ndër të tjera, shkruhet: “Flitet se autoriteti lokal i Sigurimit, si Skënder Kosova etj., e kanë tepruar qëndrimin kundra grave dhe pjesëtarëve të tjerë të disa familjeve ku kemi bërë arrestime. Këto ankime të shumta po qarkullojnë gojë më gojë, duke përshkruar njëmijë e një akuza kundër njerëzve tanë. E shoqja e Hysni Babametos, e Beshirit etj., ajo e Abdyl Kokoshit, e Selfos, mbërrijnë të thonë se mënyra me të cilën na trajtojnë partizanët, ia kalon gjermanëve, grekëve dhe italianëve. E shoqja e Beshirit p.sh., u ndalua të merrte as këmishën e krahëve nga teshat e tij. E shoqja e Abdyl Kokoshit po në këto kondita mbërrin të lëshojë një sërë akuzash kundër Skënderit dhe disa agjentëve të Sigurimit që banojnë në shtëpinë e saj. E shoqja e Abdylit, me djalin 1-vjeçar, sillet duke qarë nëpër familje të ndryshme, kërkon strehim dhe fillon të përshkruajë kuadrot më të turpshëm kundër nesh”…
Sigurimi i Shtetit ishte pjesë e administratës zyrtare të regjimit. Po pjesët e tjera të kësaj të fundit a demonstronin sjellje të tilla?
Në vitet e para të regjimit komunist e gjithë administrata u përfshi në aksionin për rëndimin social të “armiqve të popullit”. Fushata nisi me bastisjen e qyteteve duke larguar prej tyre të familjet “e padëshirueshme” dhe zaptimin e shtëpive nga aparati i ri komunist. Të dyshuarit u dënuan me vdekje apo me burgime të gjata. Pasuria e tyre kaloi në dy duar: së pari, te ata që e vidhnin për herë të parë dhe së dyti, te pushteti i kohës që e vidhte për herë të dytë. Në vend u ngrit një sistem sa i egër, aq edhe korruptiv. Plaçkitja shkonte deri aty sa për të parë në burg të afërmin tënd, duhej të lije peng unazën e floririt apo sende të tjera me vlerë. Por edhe më tej: të dënuarve me vdekje, para ekzekutimit, u grabiteshin unazat, orët, madje edhe dhëmbët prej floriri. Raste të tilla nuk kanë qënë sporadike, apo marri e ndonjë polici province, por praktikë e rëndomtë e tërë hierakisë së Sigurimit…