Në Shqipëri është nisur e po vjen një uragan

Në Shqipëri është nisur e po vjen një uragan

Nga Indrit Vokshi

Vajza që jep motin teksa paralajmëron uraganin, shpreh një ndjenjë kënaqësie, uau një uragan dhe, menjëherë lajmëron live nga televizori shoqet që të zgjedhin rrobat e të mos e humbin rastin për të bërë një selfie me uraganin. Shqiptarët ndezin debat, në kafe e rrjete sociale, debatojnë nëse uragani e ka seriozisht apo jo. Blendi Fevziu bën çmos për të gjetur një kontakt e për ta ftuar uraganin në emisionin e tij për një intervistë ekskluzive në Opinion ku uragani të shpjegojë se pse zgjodhi Shqipërinë. Lideri historik i demokratëve shprehet me status se ky është Uragani Blu që ka ardhur për ta shkatërrue qeverinë e Edvin Kristaq Rams. Ndaj shqiptarët të mos shqetësohen se uragani s’ka punë me askënd tjetër përveç Edvinit. Kryetari i demokratëve deklaron se opozita do ta ndalë uraganin, kurse disa nga deputetët e tij shprehen se uragani ishte nisur për Greqi por, Edi Rama e manipuloi atë dhe e solli në Shqipëri me qëllim për t’iu prishur shqiptarëve shtëpitë. Mirpo lideri historik i qorton. Vetë Edi Rama deklaron se nuk duhet të frikësohemi prej uraganit sepse sapo ai të mbërrijë në Shqipëri e të shohë reformat dhe transformimet rrënjësore që ai dhe ekipi i tij kanë realizuar, do të qetësohet dhe do të ulet për bisedime. Erion Veliaj deklaron se uragani është lajm i mirë pasi ai do të shkatërrojë disa shkolla në Tiranë duke i dhënë mundësi bashkisë për të ndërtuar shkolla të reja shumkatëshe ku në katet sipër shkollave do të banojnë edhe njerëz të cilët do ta kenë shkollën afër. Ndërkohë Meta ofrohet si faktor konstruktiv për të pajtuar palët, uraganin dhe Shqipërinë. Shoqatat e feministëve dalin në protestë ku akuzojnë se fjala uragan është në gjininë mashkullore dhe ardhja e tij është dhunë e një mashkulli të nervozuar mbi femrat shqiptare. Kështu që i drejtohen ujit me një thirrje: Kur të nevrikosesh, mos u bej re, stuhi apo uragan por, derdhu në lavaman, pra laj enët o.. hajvan. Mustafa Nano deklaron se uragani ka nënën serbe dhe nuk ka punë me ne por vetëm po kalon për të shkuar tek dajat në Serbi. Vlonjatët mblidhen për ta sharë e degjeneruar uraganin dhe marrin edhe shkopinj bejsbolli që po ua ktheu fjalën t’i bien. Universitetet private bëjnë reklama në televizione ku e ftojnë uraganin të rregjistrohet tek ata pasi me të përfunduar studimet do ta ketë të sigurt punësimin. Arjan Çani premton publikisht se po i erdhi uragani në emision ai do ta puthë në buzë. Artan Lame premton legalizim të uraganit. Një grup historianësh deklarojnë se uragani është turk dhe vjen për të shkatërruar identitetin e shqiptarëve. Kurse Zyra e BE në Tiranë i uron uraganit mirëseardhjen duke deklaruar se më në fund do të na çojë diku afër Europës. Uragani nga ana e tij, pasi i merr vesh të gjitha këto, kthehet mbrapsht duke deklaruar “Ça qenkan këta..”.