ANTIKOMUNISTËT E VONUAR, SI PELEGRINËT E VONUAR !

ANTIKOMUNISTËT E VONUAR, SI PELEGRINËT E VONUAR !

Nga Roland Bejko

Qetësohuni zonja dhe zotërinj të rrjeteve virale !
Historia me Ruçët e komunizmit nuk fillon sot.
Përkundrazi, historia ja ka dhënë shansin PD që ta ndalte me LIGJ kontaminimin e demokracisë shqiptare nga mbetjet e komunizmit të Ruçëve, Xhafëve, pinjollëve të Bllokut dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të sigurimit fatëkeq të shtetit qysh më 1992, 1996, 2005, 2009, vite kur PD ka qenë në pushtet, POR NUK E KA BËRË !
Madie ka pasur edhe një mundësi të fundit në 2016-ën me ligjin e dekriminalizimit, por as aty nuk mundi ta bllokonte ushtrimin e funksioneve të larta shtetërore të këtyre kategorive me implikime të forta në të kaluarën komuniste. Minimumi,duhet të ishin hapur të paktën dosjet e tyre.
Dje qëndrimi kundër në Parlament ishte një detyrë formale e opozitës pasi dihet që nuk kishte asnjë mundësi reale për ta bllokuar zgjedhjen e Atij që duhet të ishte ndaluar me ligj të ushtronte detyra të tilla, të larta shtetërore vite më parë.
Në fakt kryelajmi dje duhet të ishte BOJKOTI QË PËRFAQËSUESI I SHBA-ve NË TIRANË I BËRI PARLAMENTIT NË MOMENTIN E VOTIMIT TË GRAMOZ RUÇIT PËR KRYEPARLAMENTAR !
Duke bojkotuar zgjedhjen e tij, SHBA-të në fakt rrefuzuan Edi Ramën për përzgjedhjen e tij në krye të legjislativit të politikanit që i është refuzuar hyrja në USA. Me këtë rast, SHBA -të i kanë dërguar kështu Kryeministrit një mesazh të qartë për vazhdimësinë e marrëdhënieve midis tyre në të ardhmen të cilat nuk do ndjekin më kursin e shijeve të piktorit.
Pikërisht për këtë arsye jam i prirur të besoj se historitë me vota të rrjedhura nga PD në favor të Ruçit, janë thjesht histori për konsum lokal, kurthe diversive për të legjitimuar histerinë e brendshme të një klani ndaj një tjetri, a thua se të nesërmen e kësaj ngjarje “armiku i brendshëm” do të likujdohet, dhe PD do shpëtojë njëherë e mirë nga e “keqja” që e ka kapur. Kur në fakt, gjithë kjo, më ngjan me një lojë dinake të kalkuluar dhe të servirur mjeshtërisht prej Ramës e stafit të tij të PR-it.
Por gjithsesi si akuzat e supozuara për rrjedhje votash nga grupi i PD në dobi të shumicës, apo edhe ato për manipulim rezultati nga komisioni i votimit kanë nevojë të mbështeten mbi prova. Demokratët meritojnë një përgjigje të sinqertë, dhe nëse është e vërtetë, NJË NDJESË TË MADHE, NGA THELLËSIA E SHPIRTIT dhe largim nga grupi të atyre që mund ta kenë bërë nja akt të tillë.
Përndryshe, një kakofoni e tillë akuzash koti thjesht ndihmojnë Ramën ti shmanget përgjigjes së pyetjes se përse ambasadori i SHBA-ve në Tiranë bojkotoi zgjedhjen e ish ministrit të fundit komunist të diktaturës në krye të tempullit të demokracisë, Parlamentit. (?!)
Dhe deri sa e vërteta të shfaqet me fytyrën e vet, për këtë çështje nuk kanë gojë të flasin, nuk kanë moral të gjithë ata që për gjatë 27 viteve kanë ushtruar funksionet e deputetëve e ministrave në kohën kur PD ka qenë në pushtet, sepse ose kanë bërë pak, ose aspak për ta pastruar politikën dhe shtetin shqiptar nga falangat e komunizmit dhe trashëgimtarët e tyre.
Përkundrazi, disa prej tyre kanë ndarë pushtet e privilegje ekonomike e publike me ta, dhe pse jo, jo pak prej pinjollëve të atij sistemi dhe bashkëpunëtorët e tyre ishin dhe ndoshta vazhdojnë të jenë në krye të politikbërjes shqiptare edhe të PD-së, po deshe.
Ndaj, në respekt të votuesve të tyre, në respekt të viktimave të komunizmit, para se të përbetohet në emër të tyre si antikomunist gjithsekush pra që ka pasur në dorë të bënte diçka ndër vite për ta dekomunistizuar Shqipërinë dhe nuk e ka bërë, mirë ndjesë që nuk kërkon, por paktën mirë është të heshtë.
Është më mirë kështu.
Antikomunizmi nuk fillon sot, por edhe dje kur ajo zonja a zotëria e facebook-ut bënin konformistin a tolerantin për hir të demokracisë dhe kur dikush fliste e kërkonte hapjen e dosjeve si një akt katarsisi për shoqërinë dhe individin shqiptar, askush nuk i dëgjonte, përkundrazi, ju mbyllnin edhe dyert me neveri.
A ka deputetë brenda PD -së që mund të kenë votuar pro Ruçit?
Po, mund të ketë. Dhe do ketë edhe në të ardhmen zuzarë të tillë për aq kohë sa në 27 vjet nuk mundëm të bënim një ligj lustracioni të vërtetë që do na ndante përfundimisht nga e kaluara. Duhet ta pranojmë, fëmijët e pinjollëve, bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit dhe shërbëtorët e pushtetve e kanë pasur më të lehtë karrierën brenda PD-së. Pra nuk është një histori që na u shfaq dje për herë të parë.
Dhe ky fenomen do vazhdojë për aq kohë sa klientelizmi, njohjet, nepotizmi, lëpirja dhe servilizmi do vazhdojnë të dominojnë mbi meritën.
Pavarësisht kësaj, sot, nuk ka më asnjë vlerë ajo që rëndom ne themi në të tilla raste “më mirë vonë, se kurrë” !
Sot nuk ka më vlerë me qenë ANTIKOMUNIST I VONUAR. Sot nuk i hyn askujt në punë sepse antikomunisti i vonuar tani, më ngjan me atë pelegrinin e vonuar i mbetur mbrapa karvanit në udhëtim dhe që shfaqet kur ceremonia ka përfunduar. Lini lotët e krokodilit.
Në 27 vjet kishit mundësi të na ndanit nga trashëgimia komuniste, por nuk e bëtë. Nuk deshët jo se nuk mundët.
Prandaj mbetjet e atij rregjimi do vazhdojnë të përdridhen në këmbët e opozitës edhe për shumë kohë, për fat të keq të së ardhmes së fëmijëve tanë.
Dekriminalizimi dhe dekomunistizimi nuk janë më tema të largëta në vite, por realitete që duhen shembur.
Zoti Basha duhet ta kthejë në kryefjalë të aksionit të tij opozitar. Dhe nuk është më vetëm çështje emrash, por çështje sistemi.