Analistët: Rusia ka një plan për te destabilizuar Ballkanin

Analistët: Rusia ka një plan për te destabilizuar Ballkanin

 

Ndërsa pjesa më e madhe e vëmendjes së botës është tek politika e Rusisë ndaj vendeve baltike në verilindje të Evropës, disa ekspertë thonë se ndikimi në rritje i Rusisë në Ballkan përbën një rrezik më të madh ndaj interesave perëndimore në këtë rajon. Ata thonë se synimi i Moskës është që të godasë interesat amerikane dhe perëndimore duke penguar integrimin e vendeve të Ballkanit në institucionet euro-atlantike.

Një krizë politike dy vjeçare në Maqedoni po hyn në një faze të rrezikshme, ku nacionalistët po akuzohen se po nxisin tensione etnike në përpjekje për të penguar një hetim për korrupsion.

Përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi në tetor, për të cilën fillimisht u fajësuan nacionalistët serbë, tani mendohet se është mbështetur nga forcat ruse të sigurisë në përpjekje për të penguar anëtarësimin e pritshëm të vendit në NATO.

Një tren i prodhuar në Rusi, që u dërgua së fundmi nga Serbia në kufi me Kosovën, me fjalët “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë, u konsiderua si provokim nga shqiptarët e Kosovës.

Moska po mbështet presidentin nacionalist Miroslav Dodik në Republikën Serbe, në thirrjet për një referendum për pavarësinë e entitetit serb të Bosnjës brenda Bosnje- Hercegovinës.

Pasiguria e vazhdueshme në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni i hap rrugën Rusisë sipas ekspertit të poltikës së jashtme, Edward Joseph:

“Kur i lë të pazgjidhura çështjet e Ballkanit, e ekspozon rajonin ndaj virusit nacionalist. Dhe ne e shohim një gjë të tillë shumë qartë në pothuajse të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë me disa përjashtime”, thotë Eduard Joseph i Institututit për Çështje Botërore.
Analisti Janusz Bugajski, paralajmëron se Rusia ka një plan për të destabilizuar Ballkanin ose për ta shndërruar në “territor jomiqësor ndaj NATO-s”, siç e quan ai.

“Për të luftuar ndikimin amerikan, ndikimin e Bashkimin Evropian, për të mos lejuar integrimin e rajonit në institucionet perëndimore. Për të krijuar një gjendje të vazhdueshme kaotike që Rusia ta shfrytëzojë në favor të vet. Nuk duhet harruar se qeveria ruse funksionon më së miri me propaganda, korrupsion, shtete të dështuara dhe mosmarrëveshje territoriale. Të gjithë këta elementë janë të pranishëm në Ballkan”.

Shumë ekspertë besojnë se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen më shumë. Uashingtoni i ka kërkuar Maqedonisë që të formojë me shpejtësi një qeveri dhe të zbatojë reforma. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Mark Toner, kriza politike e Maqedonisë “ka dëmtuar rëndë zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit, si edhe integrimin euro-atlantik”.