Prezantohet Drejtori i ri i Policise se Shtetit . Ardi Veliu: Policia ka nevojë për ristrukturim të efektshëm

Ardi Veliu i cili sot mori detyrën e Drejtorit të Policisë së Shtetit është prezantuar nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në fjalën e tij përpara kolegëve, drejtori i ri tha se policia e shtetit ka nevojë për një ristrukturim të ri.

Po ashtu, drejtori Ardi Veliu deklaroi se detyrën që i është besuar e shikon si sfidë të jetës së tij.

Ardi Veliu: Sot e shoh si sfidën e jetës sime, përgjegjësi ndaj qyetarëve dhe arsyeja që ma besuat këtë detyrë. Përgjegjësia ndaj qytetarëve të republikës së Shqipërisë si dhe besimit të qeverisë ndaj meje në këto moment që ndodhet rendi më angazhon mua për të përmbushur me sukses këtë mision.

Unë e di që nuk jam vetëm në realizimin e këtij misioni. Jam i ndërgjegjshëm që organizata e policisë është institucioni më i besuar nga publiku në Shqipëri.

Jam i vendosur të punoj me përkushtim bashkë me ju kolegë për të realizuar objektivat e qeverisë në përmirësim të rendit dhe sigurisë.

Policia ka nevojë për një rritëm të ri, më dinamik në të gjitha nivelet për të qenë me rezultative në realizimin e strategjive të miratuara për rendin dhe kjo do të ndodhë. Ka nëvojë për ristrukturim të efektshëm si në nivel qendëror edhe në atë vendor. Policia e Shtetit sot ka nevojë për një menaxhim më eficent të burimeve njerëzore.

Fjala e plotë:

Kjo është një ditë shumë e veçantë për mua. Sot më është besuar detyra e rëndësishme e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Çdo oficer policie e ëndërron këtë detyrë dhe nuk dua ta fsheh, e kam menduar dhe unë.

Por sot, e shoh si sfidën e jetës sime, përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe atyre që ma besuan këtë detyrë.

Përgjegjësia ndaj qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndaj besimit të Qeverisë së Shqipërisë ndaj meje, në këtë moment që ndodhet rendi dhe siguria publike, në Shqipëri, më angazhon mua për të dhënë maksimumin e përkushtimit tim, për të përmbushur me sukses këtë mision.

Unë e di qe nuk jam vetëm në realizimin e këtij misioni. E po kështu jam i ndërgjegjshëm që organizata e policisë është institucioni më i besuar nga publiku në Shqipëri.

Jam i vendosur të punoj me përkushtim së bashku me ju kolegë të nderuar për të realizuar të gjitha objektivat e vëna nga Qeveria Shqiptare, në drejtim të përmirësimit të situatës së rendit e sigurisë si edhe përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të organizatës së policisë në publik.

Policia ka nevojë për një ritëm të ri, më dinamik në të gjitha nivelet, për të qenë më rezultative në realizimin e të gjitha strategjive të miratuara për rendin.

Dhe kjo do të ndodhë.

Ka nevojë për një ristrukturim të efektshëm si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor.

Policia e Shtetit sot ka nevojë për një menaxhim më efiçent të burimeve njerëzore.

Ne polici nuk mungojnë njerëzit e kualifikuar e profesionistë, po ata jo gjithmonë kanë qenë në vendin e duhur.

Vënia në efiçencë e kapaciteteve njerëzore, trajnimi i tyre i mëtejshëm, ngritja në vazhdimësi e kapaciteteve të reja, vlerësimi dhe monitorimi i vazhdueshëm i punës së punonjësve të policisë, do jetë objektivi kryesor i punës së policisë në të ardhmen.

Do ti kushtojmë vëmendje trajtimit të personelit për ti bërë ata më të motivuar e përkushtuar për të realizuar objektivat.

Do të vlerësohet punonjësi i policisë, i cili është më i përkushtuar dhe më rezultativ.

Menaxhimi me efiçence i burimeve financiare, logjistike si edhe përmirësimi i vazhdueshëm i teknologjisë do të jetë fokusi i punës së Policisë që unë do të drejtoj me përkushtim.

Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin shumë të vlefshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të arritur në një polici të standardeve perëndimore.

Do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjithë partnerët e sferës profesionale e shoqërore në vend, duke mos harruar asnjëherë se policimi është një profesion ku duhet të kontribuojnë të gjithë.

I nderuar Z. Ministër!

Besimi, që Qeveria Shqiptare pati për të më ngarkuar këtë detyrë, më vë para një përgjegjësie shumë të madhe, të cilën unë do të mundohem ta justifikoj duke e drejtuar organizatën e Policisë drejt sfidave që kërkon koha, së bashku me kolegët e mi.